nga Hamdi Hoti
Arteria që lidh historinë me shpresën. Sa shumë yje kanë gjetur sytë sonte, në këtë natë të argjendtë; sa shumë ëndrra janë tretur në lotët e pritjes — tani, ato s’kanë më kuptim.
Gjethet nuk janë më pa ngjyrë; tani i ngjajnë arit që ka rënkuar prej vitesh.
Në gurët e heshtur të oborrit flakërojnë patkonjtë e një kali të lodhur nga udha e gjatë. Mbi mermerët e qosheve të kullave shfaqen imazhe njerëzish — që presin miqtë e moçëm.
Nata erdhi shpejt në këtë fund tetori. Qirinjtë e ndezur ndriçojnë jo vetëm rrugët, por edhe varret. Drita e tyre dridhet mbi gurët e ftohtë, ndërsa shpirtrat e të vdekurve rënkojnë lehtë, sikur të donin të ktheheshin edhe një herë për të parë udhën që s’e panë kurrë.
Koha ka ikur, madje ka fluturuar, si një zog që s’kthehet më. Shumë njerëz janë larguar pa e parë mozaikun e argjendtë që tret lot dhe kujtime brenda vetes. Por le t’u lutemi atyre për pafajësinë tonë, duke besuar se çdo moment i humbur mund të lindë diçka të re dhe se çdo fund mund të sjellë një shpresë të fshehur.
Kjo arterie do të vazhdojë të pulsojë në shekuj; gjaku i saj, që prej njëqind vitesh, ende valon. Rreziqet historike u bënë prita për të qëndruar gjatë, por tani portat e shpresave të mëdha kanë vështuar… Një dritë e heshtur gjithsesi dridhet në horizont, duke na kujtuar se pas çdo sfide lind mundësia për diçka të re, dhe çdo vështirësi mund të shndërrohet në një fillim të ndritshëm.







