HomePolitikeRregullat për monopatinat/Në diskutim modeli italian nga, targat, siguracioni, jo nën 16...

Rregullat për monopatinat/Në diskutim modeli italian nga, targat, siguracioni, jo nën 16 vjeç, shpejtësi deri në 25 km/h, qarkullim vetëm brenda qytetit

Advertismentspot_img

Që prej ditës së hënë, 13 tetor, Policia e Shtetit ka ndaluar përkohësisht qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugët e vendit.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu mbodhi sot në një tryezë diskutimi, gjithë institucionet kryesore që luajnë rol kyç në sigurinë rrugore për hartimin e kuadrit ligjor.

Koçiu vuri në dukje në një postim në rrjetet sociale se pezullimi i lëvizjes me monopatina elektrike erdhi si një masë e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve, deri në krijimin e një kuadri të qartë ligjor që rregullon përdorimin e tyre.

Në fokus të tryezës ishte hartimi i rregullave të reja që do të përcaktojnë standardet teknike të mjeteve, rregullat e qarkullimit dhe zonat e lejuara, si dhe përgjegjësitë e institucioneve që do të sigurojnë zbatimin e ligjit.

Sipas Koçiut, qëllimi është normimi i lëvizjes së monopatinave elektrike në mënyrë të sigurt, të organizuar dhe në përputhje me jetën urbane moderne të qytetit.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit njoftuan ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të monopatinave elektrike në të gjithë vendin, pas shtimit të shqetësimeve për sigurinë publike. Vendimi u mor pas një analize të detajuar të Policisë së Shtetit, e cila evidentoi rritje të ndjeshme të aksidenteve që përfshijnë këto mjete, kryesisht në zonat urbane.

Fokusi kryesor është në 3 pika kyçe.

Së pari, shpejtësia maksimale që do të kenë monopatinat. Burime thonë se në diskutim është 25 km/h. Më tej, mosha minimale e përdorimit, që edhe këtu në diskutim është 16 vjeç e sipër.

Pikë e rëndësishme konsiderohen dhe vendet e përcaktuara se ku duhet të lëvizin në rrugë. Kategoria e monopatinave janë mjetet që aktualisht, sipas Kodit Rrugor, mund të lëvizin në korsi biçikletash dhe në mungesë të tyre në anën më të djathtë të rrugës. Me ndryshimet e reja pritet të përcaktohen llojet e rrugëve ku lejohet ose jo kalimi.

Monopatinat pritet të mos lejohen kategorikisht të qarkullojnë jashtë zonave të banuara, si autostrada apo superstrada, siç janë parë shpesh drejtues të tyre. Po ashtu, ndalimi pritet të jetë edhe në trotuare, apo nëpër zona pedolane. Mosrespektimi i tyre pritet të shoqërohet me ndëshkime me gjobë, deri në sekuestrim të mjetit.

Një tjetër moment është vendosja ose jo e regjistrimit të këtyre mjeteve, për targim të mundshëm ose një numri unik për ta identifikuar, ndërsa diskutohet dhe mundësia e sigurimit të detyrueshëm, për të mbajtur përgjegjësi njëlloj si për mjetet e tjera në rrugë. Përpilimi i këtyre ndryshimeve të Kodit Rrugor është në fazë fillestare dhe akoma nuk ka një afat të përcaktuar se kur pritet të hyjnë në fuqi. Fillimisht duhet të kalojnë faza të rëndësishme konsultimi, që më pas të marrin miratim edhe në Kuvend.

Autoritet po shohin disa nga modelet europiane. Holanda është një shtetet që vetëm pak muaj më parë standardizoi përdorimin e monopatinave. Ky shtet ka përcaktuar llojet që lejohen për qarkullim, targim të tyre, siguracion të detyrueshëm, moshë minimale 16 vjeç, qarkullim vetëm në rrugë biçikletash kur janë ekzistuese, shpejtësi maksimale 25 km/h, si dhe gjobitjen e tyre sipas shkeljes së këtyre rregullave./Shqiptarja.com

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular