HomeKulturePromovoi librin ”Në emër të gjakut” në Kosovë/Ahmet Prençi: Deçani, një gur...

Promovoi librin ”Në emër të gjakut” në Kosovë/Ahmet Prençi: Deçani, një gur drite në udhëtimin tim letrar. Ja falenderimet autorit

Advertismentspot_img

Nga Ahmet Prençi
Në Qendrën Rinore të Deçanit, nën kujdesin e Kryetarit të Komunës, z. Bashkim Ramosaj, ishte një ditë që do ta mbaj gjatë në kujtesë.

Në atë hapësirë të ngrohtë, ku fjala u bë urë mes njerëzve dhe ndjenjave, u fol për librin tim “Në emër të gjakut”, por në të vërtetë, u fol për shpirtin njerëzor, për plagët dhe dashurinë, për rrugët e gjata të jetës sonë shqiptare.

Fjalët e urta të Kryetarit Ramosaj i dhanë kuptim mikpritjes së qytetit, ndërsa ligjërimet e mrekullueshme të Besnik Mustafajt, Abdullah Zenelit, Alfred Duka,Rame Oracës, Elda Vela, Alketa Gashi Fazliut, Gani Bytyçit dhe Ajne Iberhysajt e shndërruan takimin në një kuvend të vërtetë shpirtërash.

Ata nuk folën thjesht për një libër, por për dhimbjet dhe shpresat që mbart letërsia, për kujtimet që nuk plaken dhe për gjakun që flet në heshtje.

Pas fjalëve, mbrëmja u bë më e butë. Në grykën e Lumbardhit të Deçanit, një koloni piktoresh, me penelat e lagura nga fryma e vjeshtës, ngjyrosnin dritën që binte mbi kullat e lashta.

Peizazhi i atyre maleve, i kthjellët e i thellë, të ftonte në meditim, ndërsa ne, mes artit, historisë dhe miqësisë, ndjenim se fryma njerëzore s’ka kufij.

Në mbrëmje, në ambientin e mrekullueshëm të “Belo”, ku natyra takon elegancën e njeriut, bisedat vazhduan gjatë, mes zërash, tingujsh e buzëqeshjesh të ndritshme.

Aty, piktorja e talentuar shkodrane Xheneta Kadillari më dhuroi një portret, një kujtim që do të mbetet si shenjë dashurie dhe simbol i kësaj dite të veçantë.

Faleminderim të thellë për të gjithë: organizatorët, folësit, mikpritësit, artistët e rinisë dhe miqtë që e mbushën sallën me shpirt e emocion.

Deçani, me bukurinë e tij dardane, do të mbetet për mua si një gur drite në udhëtimin tim letrar, aty ku fjala, ngjyra dhe njeriu u bashkuan në një simfoni të përbashkët: dashurisë për artin dhe për jetën.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular