Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se nga viti 2026 shqiptarët do të pajisen me identitetin e vet digjital.
Në podkastin “FLASIM”, Rama u shpreh se kartat e ID-së do të kalojnë në celular apo në kompjuter.
Kreu i qeverisë theksoi se do të funksionojë si një portofol digjital komod drejtpërdrejt nga telefoni.
“Edhe BE po ecën në këtë drejtim dhe ka vendosur që në vitin 2027, të jetë afati i futjes së identitetit digjital në jetën e përditshme të Evropës dhe aktivitetin e përditshëm të qytetarëve evropianë”, tha Rama.
Edi Rama: Ndërkohë IdentiTek është angazhuar për sidën e re të identitetit digjital, pra të kalimit të kartës së identitetit në celular apo në kompjuter dhe funksionimit të saj si një portofol digjital shumëfunksional e komod drejtpërdrejt nga telefoni.
Edhe BE po ecën në këtë drejtim dhe ka vendosur që në vitin 2027, të jetë afati i futjes së identitetit digjital në jetën e përditshme të Evropës dhe aktivitetin e përditshëm të qytetarëve evropianë.
Shqipëria është gati, karta e identitetit digjital u prezantua si një produkt i kompanisë IdentiTek dhe testet e fundit janë në vijim në mënyrë që çdo shqiptar të mund të pajiset me identitetin e vet digjital duke filluar nga viti 2026.
Në vijim, Kryeministri prezantoi edhe projektin për portën biometrike në aeroportin “Nënë Tereza”, e cila do të lejojë hyrjen në vend pa ndalesa dhe pa kontroll tradicional të pasaportës, vetëm përmes verifikimit të pamjes dhe të dhënave të udhëtarit të lidhura elektronikisht.
“Aeroporti i Tiranës, tashmë i mirënjohur si një nga të parët aeroporte në Europë me kontroll digjital të pasaportave, do të jetë i pari aeroport në Europë me portën digjitale të hyrjes. Kjo falë bekimit të teknologjisë digjitale, e cila u jep mundësi vendeve në zhvillim të bëjnë kapërcime epokale që, përndryshe, do të ishin të pamundura“, theksoi Rama.







