Një ndryshim i rëndësishëm i propozuar në Kodin Penal shqiptar synon të harmonizojë legjislacionin vendas me standardet ndërkombëtare, duke kriminalizuar specifikisht korrupsionin aktiv dhe pasiv ndaj nëpunësve dhe zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian.
Ndryshimet, të cilat hyjnë në fuqi pas ratifikimit të Konventës përkatëse kundër korrupsionit, vendosin dënime të rënda për ata që ofrojnë apo kërkojnë favorizime, shkruan rtsh.al.
Sanksione të ashpra për korrupsionin ndaj funksionarëve të lartë të BE
Nenet e reja parashikojnë diferencim të sanksioneve bazuar në pozicionin e zyrtarit të BE-së.
Sipas ndryshimeve, premtimi ose dhënia e përfitimeve të parregullta anëtarëve të Komisionit Evropian ose Parlamentit Evropian për të kryer ose moskryer një veprim lidhur me detyrën e tyre, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Ndërsa kërkimi ose marrja e përfitimeve të parregullta nga anëtarët e Komisionit ose Parlamentit Evropian për të favorizuar një veprim, parashikohet të dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.
Përfshirja e nëpunësve të përgjithshëm dhe gjyqtarëve të BE
Sipas relacionit, korrupsioni pasiv i Nëpunësve të BE, kërkimi ose marrja e përfitimit të parregullt nga një nëpunës i BE (në kuptimin e Konventës Kundër Korrupsionit) dënohet me burgim nga dy gjer në tetë vjet.
Ndërsa për korrupsionin pasiv të gjyqtarëve të Gjykatës së Drejtësisë të BE-së ose të Dhomës Evropiane të Auditorëve parashikohet që dënimi të jetë me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.







