Ky eshte formularin e vetëdeklarimit dhe jetëshkrimin e kandidatit të Sali Berishës për Bashkinë e Vlorës në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, Dionis (Erjon) Sota, në të cilin bien në sy disa pasaktësi dhe elementë të pazakontë.
Në formularin zyrtar të dorëzuar pranë KQZ-së, kandidati ka deklaruar se niveli më i lartë i arsimit të tij është “arsim i mesëm”, ndërkohë që në rubrikën për arsim të lartë ka shënuar “studim aktiv on-line/libra”, pa specifikuar asnjë institucion universitar apo program konkret studimi.

Kjo do të thotë se kandidati i mbështetur nga Berisha për drejtimin e një prej bashkive më të rëndësishme të vendit nuk ka një arsim të lartë të përfunduar, dhe aktualisht ndodhet “në studim aktiv”, sipas vetëdeklarimit të tij. Një fakt që bie në kontrast me përvojën dhe profilin që kërkon ligji për drejtuesit e institucioneve vendore.
Por ajo që tërheq vëmendjen edhe më shumë është ndryshimi i emrit të kandidatit.

Në formularin e vetëdeklarimit për integritetin, të datës 18 tetor 2025, Dionis Anesti Sota ka shënuar se më herët ka mbajtur një tjetër emër: Erjon Sota. Sipas të dhënave të plotësuara, të dyja emrat lidhen me të njëjtin person — i lindur më 19 shkurt 1980 në Vlorë, me prindërit Anesti dhe Vasilika Sota.
Kjo nënkupton se kandidati ka ndryshuar zyrtarisht emrin nga Erjon në Dionis, por pa bërë publik arsyet e këtij ndryshimi. Ligjërisht, ky fakt nuk përbën pengesë për kandidim, por përbën një element që kërkon transparencë ndaj publikut, sidomos kur bëhet fjalë për kandidatë që synojnë poste të zgjedhura.







