Kryeministri Edi Rama zhvillon këtë të hënë, 27 tetor, një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare ndau pamjet nga mbërritja në aeroportin e Riadit. Ai u prit nga Princi Mohammed bin Abdulrahman bin Abdulaziz, Zëvendësguvernatori i Riadit.
Në një njoftim për mediat, zyra për shtyp e Kryeministrit thotë se Rama do të marrë pjesë në edicionin e 9-të të Future Investment Initiative (FII), platformës Globale që përcakton axhendën e Investimeve në botë, që mbahet pikërisht në Riad.
Forumi bën së bashku liderë politikë, investitorë globalë dhe inovatorë, në një dialog mbi të ardhmen e investimeve në botë, gjetjen e zgjidhjeve të reja dhe ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit.
Rama ka zhvilluar edhe më herët vizitë në Arabinë Saudite, ku është pritur nga Princi i Kurorës, Muhammed Bin Salman. Diskutimet janë fokusuar në rritjen e investimeve të rëndësishme në fushën e turizmit, infrastrukturës dhe kulturës.







