Mazhoranca dhe opozita bashkojnë votat në Kuvend për ngritjen e komisioneve për kryerjen e reformës zgjedhore dhe territoriale, ndërkohë që partitë e vogla e konsiderojnë marrëveshjen si pazar kundër tyre.
Dy partitë e mëdha votuan të hënën me konsensus ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare; për reformën zgjedhore dhe atë territoriale. Komisionet do të funksiojnë mbi bazë bipartizane PS-PD me bashkëkryetarë që do të kenë të drejtën e vetos për çdo vendimmarrje.
Vendimet u votuan me 113 dhe 115 vota pro, ndërsa 3 deputetë nga partitë e reja parlamentare votuan kundër; Agron Shehaj dhe Erald Kapri nga Partia Mundësia dhe Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë.
Konsensusit i paraprinë negociata jashtë syve të publikut mes dy partive të mëdha dhe formula përfundimtare e pjesëmarrjes në komisione u ndryshua nga formula e propozuar në projektvendimin fillestar; duke përfshitë në komision edhe partitë me mbi 2 deputetë, që nënkupton nga 1 anëtar për Partinë Socialdemokrate dhe Partinë Mundësia.
Por, kryetari i “Mundësisë”, Agron Shehaj e kundërshtoi ngritjen e komisionit si një pazar mes dy partive të mëdha dhe si një tentativë “për të vrarë partitë e reja”.
“Keni vetëm një qëllim; pasi keni vjedhur së bashku për 35 vjet do të vazhdoni të vidhni së bashku, ky do të jetë rezultati i këtij komisioni të turpshëm,” tha Shehaj.
Edhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, akuzoi dy partitë e mëdha se i kishin përjashtuar nga e drejta e votës. “Kjo tregon dëmin që pritet t’u bëhet partive të vogla,” tha Muçi në Parlament.
Pretendimet e Shehaj dhe Muçit u kundërshtuan nga mazhoranca.
Negociatori i PS-së për ngritjen e komisioneve, Damian Gjiknuri, tha se ishte bërë e pamundura për t’u përfshirë të gjitha partitë, ndërsa shtoi se “vendimet merren me veton dhe votën e dy forcave të mëdha”.
Në vendimet për ngritjen e dy komisioneve parashikohet një afat pune prej 9 muajsh me qëllim ndryshime ligjore që do të bëjnë të mundur një reformë të re zgjedhore dhe një reformë të re territoriale.
Komisioni i Posaçëm për reformën zgjedhore ka si objektiv qëllimet e vjetra që lidhen me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, bazuar në rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore dhe parlamentare, ndër të cilat një ligj për financimin e partive politike.
Ndërsa Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale synon të rimarrë në shqyrtim reformën territoriale të realizuar në vitin 2014 që shkriu komunat dhe krijoi 61 bashki të mëdha dhe 12 qarqe. Në komisionin e ri parashikohet shqyrtimi i kuadrit ligjor dhe institucional të qeverisjes vendore; opsione të reja për ridizenjimin territorial dhe forcimin e kapaciteteve administrative të njësive të qeverisjes vendore;analizë e sistemit të financave vendore, etj.. Birn







