E martë e zezë mund të quhet kjo e 28 tetorit, pasi në harkun kohor të vetëm pak orëve tre persona mbetën të vrarë në tre qytete të ndryshme të vendit. Viktimat, të moshës 34, 42 dhe 69 vjeç, u vranë të gjithë me thikë. Ngjarja e parë ndodhi në Durrës, rreth orës 13:00. E dyta, por që u raportua më vonë për mediat, ndodhi në Berat, në orën 15:10. Vrasja tjetër ndodhi në Tiranë, në orën 15:30.

Në Shkallnur të Durrësit, djali 25-vjeçar, i cili dyshohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor, u përfshi në një konflikt me babain e tij. Gjakrat u nxehën, për motive ende të panjohura. 25-vjeçari e goditi të atin disa herë me thikë, duke e lënë të vdekur. I moshuari kërkoi ndihmë, por fqinjët nuk arritën të shkonin në kohë. Pasi e masakroi të atin, 25-vjeçari mori arratinë. Pak kohë më pas ai u arrestua në zonën e plazhit.

Ende pa pasur të gjitha detajet rreth kësaj vrasjeje, një tjetër tronditi kryeqytetin. Këtë herë shkak u bë një konflikt banal mes dy kolegëve: picierit dhe kuzhinierit të një lokali në zonën e Komunës së Parisit. Picieri 41-vjeçar mori thikën dhe e goditi kolegun e tij në mes të lokalit… Viktima ishte vetëm 34 vjeç. Ai u nis me urgjencë në spital, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë.
Autori u arrestua në vendin e ngjarjes, në sytë e qytetarëve të shumtë që u tronditën jo pak. Sipas asaj që dihet deri më tani, autori pretendoi se viktima e bullizonte në mënyrë të vazhdueshme, e kjo duket se u bë motiv për t’i marrë atij jetën.
Pak minuta më pas, një tjetër vrasje u raportua në Berat. Këtë herë autori dhe viktima ishin të panjohur. Ngjarja ndodhi në lagjen e kalasë së qytetit dhe nisi për shkak të një kali, me të cilin autori, një 63-vjeçar, ofronte xhiro për turistët.
Fillimisht palët u përfshinë në një debat që shumë shpejt përfundoi në përplasje fizike. Viktimë në këtë rast mbeti një 42-vjeçar i cili jetonte në Tiranë. Ai gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes. Autori u arratis nga vendi i ngjarjes dhe vijon të jetë në kërkim. Ai mësohet se rezulton me precedentë penalë në Greqi.
Për të treja këto ngjarje, hetimet sipas policive përkatëse, vijojnë.







