HomeEkonomiShoqatat e Bankave të Shqipërisë dhe Kosovës organizojnë forumin “Siguria Kibernetike në...

Shoqatat e Bankave të Shqipërisë dhe Kosovës organizojnë forumin “Siguria Kibernetike në Sektorin Bankar 2025”

Advertismentspot_img

Më 24 tetor 2025, në Tiranë, u zhvillua Forumi “Siguria Kibernetike në Sektorin Bankar 2025”, i organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës, në kuadër të Muajit të Sigurisë Kibernetike. Ky forum shërbeu si një platformë për të diskutuar sfidat, rreziqet dhe mundësitë në fushën e sigurisë kibernetike në sektorin bankar, duke bashkuar përfaqësues të institucioneve publike, bankave tregtare, autoriteteve rregullatore dhe ekspertëve të sigurisë.
Në hapje të forumit, fjalën e mori z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, i cili nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe rajonal dhe përmendi arritjen më të fundit me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me Policinë e Shtetit, si një hap konkret drejt parandalimit të krimeve kibernetike në sektorin bankar.
Petrit Balija, Kryeshef Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, vuri në dukje se bashkëpunimi ndërinstitucional, adoptimi i teknologjive të reja dhe vizioni afatgjatë janë çelësi për ndërtimin e një ekosistemi financiar të qëndrueshëm dhe të mbrojtur.
Në vijim, z. Igli Tafa, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, theksoi se sektori financiar zë një vend qendror në Strategjinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2025–2030 dhe se ngritja e Qendrave Sektoriale të Monitorimit (SOC) do të mundësojë reagim në kohë reale ndaj incidenteve, duke forcuar kështu bashkëpunimin ndërinstitucional.
Pjesëmarrësit u njohën gjithashtu me përvojën italiane për sigurinë kibernetike dhe ndërgjegjësimin ndaj rreziqeve digjitale përmes prezantimit interaktiv të z. Mario Trinchera nga CertFin Italy, i cili solli praktika dhe njohuri të vlefshme për pjesëmarrësit e forumit.
Programi i forumit u përqendrua në dy panele kryesore diskutimi që trajtuan çështje kyçe për të ardhmen e sigurisë financiare në rajon. Paneli i parë fokusoi strategjinë e qeverisjes së sigurisë kibernetike në sektorin bankar, sfidat e përafrimit me direktivat evropiane dhe kornizën rregullatore për menaxhimin e rreziqeve në teknologjitë e reja të pagesave, ndërsa paneli i dytë trajtoi parandalimin e mashtrimeve kibernetike në sistemet e pagesave, evoluimin e krimit kibernetik në epokën e inteligjencës artificiale dhe sigurinë e pagesave përmes open banking, SEPA dhe instant payment, duke ofruar një pasqyrë të plotë të sfidave dhe mundësive për sektorin.
Në përmbyllje, z. Reglendi Xhango, Kryetar i Ekipit të Gatishmërisë për Emergjencat Kibernetike në kuadër të Shoqatës Shqiptare të Bankave, vuri theksin mbi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm midis institucioneve financiare dhe autoriteteve kombëtare për të përballuar sfidat në rritje të sigurisë digjitale dhe për të ndërtuar një sistem financiar të fortë, të besueshëm dhe të mbrojtur digjitalisht.
Forumi dëshmoi se përmes bashkëpunimit institucional, rajonal, shkëmbimit të njohurive dhe inovacionit teknologjik mund të krijohet një ekosistem digjital i qëndrueshëm, ku siguria mbetet prioritet kryesor.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular