Shqipëria do të luajë pas pak ditësh dy ndeshjet më të rëndësishme të rrugëtimit në kualifikueset e Botërorit. Kuqezinjtë do të udhëtojnë në drejtim të Andorrës ku në datën 13 do të vulosin fatin e tyre për një vend në Kupën e Botës me pas do të presë Anglinë në “Air Albania”. Në javën e parë të nëntorit, Silvinjo do të publikojë listën me futbollistët e grumbulluar për këtë ndeshje.
Lajmet e mira për Silvinjon padyshim që janë rikuperimet e lojtarëve të dëmtuar, ndërkohë që shqetësojnë futbollistët që nuk janë në formë të mirë dhe që nuk po luajnë me skuadrat e tyre në kampionatet respektive. Në kushte të tilla, Silvinjo mund të ndryshojë vendimin e tij dhe të grumbullojë edhe futbollistë të cilët nuk kanë qenë kurrë zgjedhje e parë, ose të paktën nuk kanë qenë zgjedhje e parë në këto kualifikuese, ndërsa mund të kenë shkëlqyer në të shkuarën.
LOJTARËT MË NË FORMË- Në javët e fundit, të shumtë kanë qenë futbollistët që kanë shkëlqyer në kampionatet e huaja, ndërkohë që ka pasur edhe futbollistë të cilët nuk kanë arritur as të luajnë me skuadrat e tyre respektive. Ndeshja ndaj Andorrës, është padyshim “finalja” më e madhe që kuqezinjtë kanë dhe pavarësisht se në letër bëhet fjalë për një rival të lehtë, fusha ka treguar gjithmonë se të gjitha skuadrat dinë të luajnë futboll dhe nuk mund të fitohet pa dhënë gjithçka mundesh në fushën e blertë.
Repartet që qetësojnë më shumë Silvinjon janë mbrojtja dhe mesfusha pasi thuajse të gjithë futbollistët po luajnë me skuadrat e tyre, përfshirë këtu edhe Strakoshën apo Dajsinanin. Sa i përket sulmit, kemi një problem të madh me lojtarët që kanë luajtur në ndeshjet e fundit të Shqipërisë, pasi me skuadrat e tyre nuk po luajnë, por ka të tjerë që janë në formë. Anis Mehmeti vazhdon të shkëlqejë në Angli dhe tashmë golat janë bërë një pjesë e pandarë e ecurisë së tij në Championship. Jasir Asani që në kualifikueset e Europianit ishte titullar i padiskutueshëm, është kthyer në lojtar stoli por në Iran po shënon rregullisht me Esteghlalin, ndërkohë që një formë shumë të mirë po kalon edhe Taulant Seferi në Turqi.
Nazmi Gripshi i afruar rishtazi në skuadër, mbylli një sezon fantastik në Kazakistan, teksa gola në mënyrë të rregullt po shënojnë vëllezërit Shpendi në kampionatin italian. Të gjithë këto lojtarë, aktualisht janë jashtë planeve të Silvinjos i cili në konferencat e shtypit, ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk është koha për të pasur të rinj dhe se do t’i besojë eksperiencës pavarësisht formës që të rinjtë po kalojnë.
LOJTARËT PA MINUTA- Armando Broja dhe Nedim Bajrami janë padyshim dy lojtarët që shqetësojnë më shumë, por gjithashtu edhe Hysaj ka pasur mungesë minutash te Lacio. Të tre këto lojtarë, kanë luajtur për herë të fundit si titullarë me Shqipërinë në ndeshjen ndaj Serbisë dhe Jordanisë, teksa me klubet e tyre kanë qëndruar në stol ose edhe nuk janë grumbulluar nga trajnerët. Mario Mitaj më në fund ka nisur të aktivizohet pasi as ai nuk ka pasur shumë minuta këtë sezon, por pavarësisht kësaj, të gjithë këta lojtarë kanë treguar se pavarësisht formës me skuadrat, në Kombëtare janë gjithmonë gati.
Në ndeshjen e fundit ndaj Jordanisë, si Bajrami, ashtu edhe Broja shkëlqyen me gola dhe paraqitje mjaft të mirë teksa e njëjta gjë shpresohet edhe në ndeshjen e radhës ndaj Andorrës. Nëse fitohet në transfertë, ndaj Anglisë do të ishte një festë e madhe pavarësisht rezultatit që do të kishte fusha e blertë, gjithmonë nëse këta të fundit mundin Serbinë në Londër në datën 13 nëntor.
RIKUPERIMET- Në ndeshjet e muajit tetor, lista u publikua me dyshime të shumta dhe vetëm pak ditë para grumbullimit, u konfirmuan mungesat e Ismajlit dhe Pajazitit. Të dy lojtarët, tashmë janë në gjendje shumë të mirë fizike dhe po aktivizohen me skuadrat e tyre në Itali e Kroaci.
MUNGESAT- Marash Kumbulla vazhdon të jetë i dëmtuar pas një dëmtimi në harmstring, ndërkohë që në dyshim të madh është tashmë edhe Naser Aliji. Mbrojtësi i Dinamos mungoi ndaj Vorës dhe nuk do të jetë as në ndeshjen e radhës me Dinamon teksa gjendja e tij do të vlerësohet në vazhdim pasi ka shqetësim nga pubalgjia. Sakaq, Kumbulla vazhdon fazën e rikuperimit por me shumë gjasa do të jetë jashtë në nëntor pasi ende nuk e ka nisur stërvitjen me skuadrën e Majorkës në Spanjë.







