Gazetari Blendi Fevziu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për përqëndrimin e të gjithë pushtetit në duart e mazhorancës dhe arrogancën e qeverisë.
Fevziu deklaroi se Shqipëria nuk e ka më hapësirën demokratike që ka patur më parë, janë prishur të gjitha balancat dhe shtoi se vendi po shkon drejt qeverisjes nga një parti e vetme. Ai shtoi se ky fenomen po shihet në mbarë botën, madje edhe në vende demokratike si SHBA-të, duke përjashtuar pak vende në Europë.
“Arroganca nuk vjen nga reagimi personal i një individi pasi lidhet edhe me karakterin. Por kur flasim për qeverinë, arrogance vjen nga shifrat. Për sa kohë, një qeverisje ka shifra të larta, natyrisht bëhet më arrogante. Për sa kohë një qeverisje nuk kërcënohet në vota, bëhet më arrogante. Për sa kohë një qeverisje shton numrin e deputetëve, natyrisht vjen duke marrë territor nga pushtetet e tjera. A është sot Rama njeriu më i fuqishëm në Shqipëri? A është njeriu më i fuqishëm institucionalisht që ka patur Shqipëria në këto 30 vite? Po. Nëse flasim për pushtete, në vitet 92-94, edhe Berisha ka patur të gjithë pushtetet, por kishte përballë një opozitë të fortë.
Momenti që po kalojmë, Rama është shumë i fuqishëm, ka thuajse çdo pushtet, nuk mund ti thuash një njeriu, ji ti i butë ose ndryshe, njeriu arrogancën e merr nga pushteti. Nëse dikush mendon se Rama nuk duhet të jetë arrogant dhe nuk duhet të ketë këto pushtete, nuk duhet ti japë votën. Më thonë njerëz, më kapi një grua në rrugë më tha Rama i ka fituar të gjitha, më prishi edhe ballkonin që kisha mbuluar për të shitur paketa, e kam votuar gjithë jetën tha ajo. I thashë, po pse më bërtet mua, unë nuk e kam votuar ndonjëherë, ti që e voton dhe e fuqizon, kur të vjen të shtëpia jote, fillon mendon.
Nëse do ta votojnë, Rama do të fuqizohet edhe më shumë, do të bëhet edhe më arrogant. Kjo është një gjë shumë e thjeshtë. Edhe institucionet, nuk është aq kollaj që të rezistojnë. Është 83 mandate. A është arrogancë, mbledhja e drejtuesve të PD në rrethe dhe vendosja e tyre në poste? Po. Është tentativë për ta çuar vendin, drejt një vendi me një parti të vetme, ku opozita gati nuk ekziston. Kur merr edhe drejtuesit e opozitës…
Problemi është, pas 35 vite të transformimit të Shqipërisë, vendi nuk e ka hapësirën demokratike që ka patur më përpara. Nuk e ka debatin politik që ka patur, balancën politike që ka patur, nuk e ka në pushtetin qëndror dhe as në lokal. PD ka vetëm Kavajën dhe Pukën. Ai ka marrë të gjithë pushtetin lokal. Ka gjithë pushtetin qëndror, ka 83 mandate në Parlament.
Ai vazhdon dhe fiton me të njëjtat ritme. Ose do të ketë ndërhyrje të ndërkombëtarëve, që nuk duket se kanë ndonjë shqetësim për të ndërhyrë, e dyta hapësira e PD vjen duke u rrudhur dhe të mos harrojmë nuk është vetëm fenomen shqiptar, është fenomen i përbotshëm. Ka në SHBA, që dalin në rrugë, duke konsideruar që po rrudhet hapësira demokratike. Fundjavën e kaluar ishte kështu. Në Beograd pretendohet të dalin një milionë njerëz në rrugë për të kontestuar Vucic. Apo Erdogan, 27 vjet. Në fillim të viteve ’90 kjo gjë ishte e paimagjinueshme.
Po rikthehemi në situatë që regjimet autoritariste dhe të forta po rriten në kurriz të demokracisë”, tha Fevziu.







