Një tërmet i fuqishëm tronditi Turqinë perëndimore të hënën e 27 tetorit, duke shkaktuar shembjen e të paktën tre ndërtesave. Deri më tani nuk ka raportime për viktima, shkruan Associated Press.
Tërmeti me magnitudë 6.1 kishte epiqendrën në qytetin Sindirgi, në provincën Balikesir, sipas Agjencisë turke për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD). Ai ra në orën 22:48 me orën lokale, në një thellësi prej 5.99 kilometrash.
Sipas televizionit Haberturk, lëkundjet u ndjenë edhe në Stamboll dhe në provincat përreth Bursa, Manisa dhe Izmir.
Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya deklaroi se të paktën tre ndërtesa dhe një dyqan u shembën në Sindirgi.
“Deri tani nuk kemi konstatuar humbje jete, por po vazhdojmë vlerësimin në terren,” tha administratori i distriktit Sindirgi, Dogukan Koyuncu, për agjencinë shtetërore Anadolu.
Televizioni privat NTV raportoi se ndërtesat e shembura ishin banesa të banuara, të cilat kishin pësuar dëmtime nga një tërmet i mëparshëm.
Në gusht, Sindirgi ishte goditur gjithashtu nga një tërmet me magnitudë 6.1, që kishte shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Që prej asaj kohe, zona përreth Balikesir-it është tronditur nga disa lëkundje më të vogla.
Turqia ndodhet mbi breza të mëdhenj të çarjeve tektonike, dhe tërmetet janë të shpeshta.
Në vitin 2023, një tërmet shkatërrues me magnitudë 7.8 vrau mbi 53 mijë njerëz në Turqi dhe dëmtoi ose shkatërroi qindra mijëra ndërtesa në 11 provinca jugore dhe juglindore të vendit.
Në pjesët veriore të Sirisë fqinje, humbën jetën edhe 6 mijë persona.







