Në kudër të muajit të letërsisë, Shkolla e mesme e Bashkua në Zejmen të Lezhës ka ftuar Ahmet Prençin në promovimin e librit “Në emër të gjakut” dhe e ka bërë këtë në formë të një bashkëbisedimi. Lajmin e promovimit e jep mësuesja Mimoza Gjoka e cila falenderon Ahmet Prençi për nderin dhe kënaqësinë me prezencën në shkollë! Shkrimtari Prençi nga ana e tij duke theksuar që kjo nuk është hera e parë që e pranisë së tij mes nxënësve të kësaj shkolle shpjegon dhe arsyet se pse shkolla e Zejmenit është kthyer për të në një destinacion letrar dhe shpirtëror.
Statusi i mësueses Mimoza Gjoka nga shkolla
e Mesme së Bashkuar Zejmen Lezhe
Tetori i letërsisë është vetëm një fillim në shtegun e librit që na shoqëron gjatë gjithë vitit! Dhe ku ka më bukur që ta nisim me “Në emër të gjakut” të Ahmet Prençit.
Një libër që nuk na vjen vetëm si një vepër letrare, dhe me leximin e parë ti me të vërtetë që e harron si të tillë për çdo lexues që e njeh dhe e ka jetuar atë periudhë, po një akt kujtesë se ajo që harrohet – është e destinuar të përsëritet.
Megjithatë autori nuk mbetet në rolin e vëzhguesit. Ai na i sjell ngjarjet me syrin e atij që i ka përjetuar në lëkurën e tij por në një sy tjetër, të atij që i veshur me petkun e mbrojtësit të ligjit, shtetit, të të pambrojturit do të ishte në vijën e parë të zjarrit i cili duhej t’i ruhej si ” armikut” me armë përballë dhe “mikut” me të cilin jetonte po që për hirë të mbijetesës kthehej në armik.
Një libër që na bën një thirrje ndërgjegjeje për pasojat afatgjata që la kjo periudhë në Shqipëri i cili nuk mbetet në kufijtë e kronisti për të dokumentuar ngjarjet, por ai përdor letërsinë për të përcjellë të vërteta tronditëse. Pra përmes rrëfimit artistik ai na paraqet një të vërtetë që qëndron në thelb të secilit tregim.
Kjo vepër jo vetëm që do të mbetet gjatë por do të jetë shumë e dobishme për brezat që po vijnë për të mos harruar ngjarje të tilla me ndikim kaq të madh në shoqërinë tonë si në sferën sociale dhe historike. Libër që e lexon me një frymë, të trondit por që në fund thua me të madhe: Po, duhej shkruar! Dhe unë duhej t’a lexoja! Të falenderojmë Ahmet Prençi për nderin dhe kënaqësinë që na jep me prezencën tënde në shkollën tonë!
Statusi i shkrimtarit Ahmet Prençi
Shkolla e Zejmenit në Lezhë është kthyer për mua në një destinacion letrar dhe shpirtëror. Nuk kam gjetur askund një publik lexuesish kaq të vëmendshëm dhe të pasionuar si nxënësit e kësaj shkolle. Isha dje i ftuar aty së bashku me gazetaren e poeten Nikoleta Kovaçi.
Ky ishte takimi im i tretë me ta, dhe çdo herë kthehem me gëzim, kureshti e emocion. Pyetjet që më bëjnë janë aq të detajuara, të thella dhe plot imagjinatë, sa ndonjëherë më lënë pa fjalë. Ata i lexojnë librat me shpirt, hyjnë në thelbin e ngjarjeve dhe personazheve, analizojnë, debatojnë, përjetojnë.
E gjitha kjo falë mësueses së përkushtuar të letërsisë Mimoza Gjoka, një grua që jeton me pasionin e dijes. Ajo e ka kthyer librin në pjesë të përditshme të jetës së nxënësve të saj, duke i mësuar se leximi është dritë, frymëzim dhe liri.
Sa herë që shkoj pas botimit të çdo libri tim në këtë shkollë, ndjej një lumturi të madhe dhe një përgjegjësi të veçantë përballë këtij lexuesi të mençur.
Gjithmonë ka pyetje të bukura, shpesh edhe të “sikletshme”, dhe unë mundohem që përgjigjet e mia të jenë po aq të sinqerta dhe të ndjera.
Do të doja me gjithë zemër që çdo shkollë në vendin tonë të kishte këtë dashuri për librin dhe leximin. Në Zejmen, libri është më shumë se një tekst, është frymë, është udhëtim, është jetë.
Falënderim nga zemra për nxënësit e mrekullueshëm të Shkollës së Zejmenit, për mësuesen Mimoza Gjoka dhe Drejtorin e shkollës Zef Therçaj që e mbajnë gjallë këtë frymë të bukur kulturore e shpirtërore. Zefi ka qenë nxënës i poetit tonë Rodolf Marku. Ska si të ndodh ndryshe. Ndaj janë dëshmia më e bukur se sa shumë mund të ndryshojë një brez, kur krijohet një traditë e bukur, kur lexojnë me pasion dhe mendojnë me zemër. Faleminderit!







