nga Perparim Gjeka
Zgjedhjet për Parlament në vendin tonë që prej 33 vjetësh pas 1992 kanë të njëjtat tre probleme kryesore në përfaqësim. Le t’i emërojmë ato dhe të japim zgjidhjet përkatëse që duhet të miratohen në reformën e re zgjedhore.
Problemi 1. Kuvend i dirigjuar nga qeveria dhe nga kryetari padrino i partisë, me deputetë anonimë që nuk i njeh dhe nuk i voton zona e vet, rrjedhimisht këta nuk ndiejnë përgjegjësi para votuesve që i kanë besuar dhe nuk punojnë për zonat, por për kryetarin që i ka zgjedhur, madje kalojne edhe nga krahu tjeter . Goditet keshtu parimi kushtetues i ndarjes së pushteteve dhe ai i demokracisë përfaqësuese.
Zgjidhja 1. Sa më i vogël të jetë numri i deputetëve aq më lehtë blihen e shiten këta nga pushteti, prandaj logjika e do që të jenë sa më shumë. Për problemin e kostos dhe privilegjeve edhe ato kufizohen me ligj. Çdo deputet merr vetëm një rrogë mbi mesataren dhe vetëm ata që punojnë në komisione paguhen më shumë. Kështu zhveshim nga piedestali rolin e deputetit, i cili në fakt është vetëm të përfaqësojë zërin e zgjedhësve të tij/saj e të votojë sic duan shumica e zgjedhësve të tij. Zgjedhësit duhet ta njohin personalisht deputetin e tyre, njëri prej tyre të zgjidhet me sistem maxhoritar direkt nga komuniteti ku ka banuar të paktën në 10 vitet e fundit, kurse një i dytë të zgjidhet nga diaspora e po atij komuniteti prej djemve e vajzave të tyre në emigracion prej të paktën 10 vjet, meqë afër gjysma e çdo komuniteti jeton jashtë. Në këtë mënyrë afrojmë dhe angazhojmë edhe pjesën tonë jashtë shtetit.
Ne kemi rreth 3.5 milionë zgjedhës të regjistruar në gjendje civile. Nëse e ndajmë vendin në 350 zona zgjedhore, kemi mesatarisht 10 mijë zgjedhës për zonë. Nga dy deputetë për zonë, kemi 700 deputetë. Shumica e tyre e kanë part time punën e deputetit e mund të votojnë me elektronik edhe nga jashtë shtetit. Kështu bëjmë të mundur me ligj demokracinë direkte dhe të pamanipuluar nga kryetarët e partive. Deputetët, duke i njohur mirë banorët, i kap prej xhakete ose i këput një hu vetë komuniteti nëse tradhtojnë interesat e zonës dhe të banorëve. Stimulohet meritokracia dhe vetësakrifica e deputetit dhe jo lëpirja dhe privilegji si deri më sot. Vota e 701 në rast barazimi i jepet Presidentit të Republikës i zgjedhur edhe ky direkt nga populli.
Problemi i kostos del i barabartë: Sot; 140 deputete x 5 mijë euro = 700 mijë Euro ne muaj.
Nesër; 700 deputete x 1 mije euro = 700 mijë euro në muaj.
Problemi 2. Zgjedhje të ndikuara nga partia në pushtet e cila përdor burimet shtetërore për avantazh në zgjedhje, sistem duopol që favorizon dy partitë e mëdha të dala nga gjiri i PPSH në 1991, rrjedhimisht edhe një sistem bunker për parti të reja dhe individë të pavarur duke goditur parimin kushtetues të barazisë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
Zgjidhja 2. Qeveri teknike me ligj, katër muaj para zgjedhjeve; sistem maxhoritar me 350 zona zgjedhore; administrim jo-politik të zgjedhjeve, votim dhe numërim elektronik. Lehtësim i kandidimit të kandidatëve të pavarur pas kalimit të figurës së certifikuar nga Gjykata, Prokuroria dhe Shërbimi Informativ Shtetëror, për parandalim kandidatësh nga krimi. Zbehet roli i partive politike.
Problemi 3. Financim jo transparent për partitë politike dhe ndikim të krimit të organizuar në zgjedhje duke futur jo vetëm njerëzit e tyre në parlament, por edhe duke kërkuar nga politika harac për ndihmën elektorale në tendera, territor dhe dritë të gjelbër për aktivitete kriminale si droga, trafikimi, prostitucioni etj. e duke formuar trinomin politikë-oligarki-krim i organizuar (edhe ndërkombëtar). Goditet kështu vetë rendi kushtetues dhe siguria kombëtare e Republikës.
Zgjidhja 3. Ligj ku detyrohet çdo subjekt zgjedhor të publikojë llogarinë e vetme bankare ku bëhen donacione, çdo donator me prejardhjen e parave, çdo transaksion bankar, si dhe situacion shpenzimesh për çdo veprimtari elektorale të gjitha këto në kohë reale dhe të lidhura me njësinë e posacme të SPAK për kontroll në çdo kohë. Kush kapet me pasaktësi, përjashtohet automatikisht nga zgjedhjet në proces. Në këtë mënyrë dekurajohet krimi dhe inkurajohet biznesi i ndershëm të mbështesë alternativën e ndershme. Inkurajohen edhe subjekte e individë meritokratikë, pa nevojë për shpenzime të mëdha në media etj. sepse i njeh mirë komuniteti nga vjen e ku do votohet. Ndërkohë edhe partitë politike detyrohen të zgjedhin njerëzit më të mirë që marrin vota, përndryshe humbasin zgjedhjet.
Nëse idetë e reformës zgjedhore shkojnë nga kahu i shtjelluar më sipër, ato shkojnë përdrejt demokracisë popullore, nëse shkojnë në kah të kundërt, ato në fakt shkojnë përdrejt autokracisë kriminale. Gjendja e jashtëzakonshme ku gjendet Shqiperia, kërkon edhe masa të jashtëzakonshme, duke filluar nga hapja me cdo kusht e politikes.







