Shtatë muaj pas hyrjes në burg, Robinho ka folur për herë të parë publikisht që prej fillimit të dënimit të tij në Burgun Numër 2 të Tremembé, në shtetin brazilian të São Paulo-s.
Ish-sulmuesi i Milanit, Real Madridit dhe Manchester City-t po vuan një dënim me nëntë vjet burg për pjesëmarrje në përdhunimin në grup të një vajze shqiptare në Milano në vitin 2013 — një çështje që tronditi botën e futbollit dhe opinionin publik ndërkombëtar.
Deklaratat e Robinhos u publikuan në një video të shpërndarë nga Këshilli i Komunitetit Taubaté, një organizatë jofitimprurëse e themeluar nga gjyqtarja Sueli Zeraik, që mbështet sistemin gjyqësor brazilian dhe ndihmon në projektet e riintegrimit të të burgosurve.
Në videon që po qarkullon në rrjetet sociale, Robinho shpjegon se dëshiron “të vendosë në vend të vërtetën” dhe të mohojë çdo informacion për trajtim të privilegjuar.
“Dieta ime, oraret e gjumit… janë të njëjta me ato të të gjithë të burgosurve të tjerë. Nuk kam ngrënë kurrë ushqime të ndryshme, as nuk kam marrë trajtim të veçantë,” – deklaron Robinho.
“Gjatë orëve të punës, bëj të njëjtën gjë që bëjnë të gjithë të burgosurit. Kur duam të luajmë futboll, lejohet – zakonisht të dielave, kur nuk punohet.”
Ish-futbollisti mohoi kategorikisht lajmet që qarkulluan për “trajtime të privilegjuara” apo “rol drejtues” brenda burgut: “Asnjëherë nuk kam pasur trajtim të veçantë. Vizitat janë të shtunave ose të dielave. Kur gruaja ime nuk vjen vetëm, vjen me fëmijët tanë. Djali i madh luan, dhe mund të vijnë edhe dy më të vegjlit. Vizita është e njëjtë për të gjithë, trajtimi është i njëjtë për të gjithë. Lajmet që thonë se jam ‘lider’ apo që kam probleme psikologjike janë gënjeshtra.”
Robinho hodhi poshtë gjithashtu zërat për probleme të shëndetit mendor apo përdorimin e medikamenteve: “Nuk kam marrë asnjëherë ilaçe, falë Zotit. Edhe pse është e vështirë të jesh në burg, kam ruajtur gjithmonë qetësinë dhe bëj gjithçka që mund të bëjë çdo i burgosur tjetër. Qëllimi këtu është riedukimi, risocializimi i atyre që kanë bërë gabime. Nuk kam pasur asnjë rol drejtues; këtu komandën e kanë rojat, ne të burgosurit vetëm zbatojmë rregullat.”
Rasti i Robinhos, ish-yllit të futbollit brazilian, mbetet një nga çështjet më të përfolura të dekadës në Itali dhe Brazil.
Ai u dënua përfundimisht në janar 2022, kur Gjykata e Lartë Italiane konfirmoi dënimin nëntëvjeçar për përdhunimin në grup të një vajze shqiptare 23-vjeçare në një klub nate në Milano.
Pas refuzimit të ekstradimit, Robinho u arrestua në Brazil në mars 2024, pas një vendimi të Gjykatës Supreme Federale (STF) për njohjen e dënimit italian.
Burgu Tremembé II, ku ndodhet Robinho, është i njohur për strehimin e të burgosurve të famshëm, si ish-politikanë apo figura publike.
Autoritetet braziliane kanë theksuar se ish-lojtari nuk gëzon asnjë përjashtim nga rregullat e përgjithshme të institucionit.







