Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë mori pjesë në tryezën e organizuar nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me fokus zbatimin në praktikë të ligjit të ri nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Në këtë takim morën pjesë drejtues të kompanive të sigurimeve, përfaqësues të Shoqatës dhe të Zyrës së Komisionerit, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe përmirësimin e praktikave të mbrojtjes së të dhënave në sektorin e sigurimeve — një nga sektorët me vëllimin më të lartë të përpunimit të informacionit personal.
Kryetari i Asamblesë së Anëtarëve të Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, z. Xhevdet Kopani, përgëzoi Zyrën e Komisionerit për nismën dhe nënvizoi angazhimin e industrisë së sigurimeve për përputhje të plotë me ligjin e ri.
“Kompanitë e sigurimeve kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për zbatimin e ligjit, përfshirë rishikimin e politikave të privatësisë, përditësimin e dokumenteve të brendshme dhe vijimin e trajnimeve për stafin,” – u shpreh z. Kopani.
Ndërsa Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës, znj. Mimoza Hajdarmataj, theksoi se sektori i sigurimeve ka dëshmuar gjithmonë vullnet dhe përgjegjshmëri të lartë në përmbushjen e detyrimeve ligjore.
“Shoqatat dhe kompanitë anëtare kanë qenë gjithmonë koherente me standardet ligjore dhe etike. Kjo frymë bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në procesin e zbatimit të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale,” – tha znj. Hajdarmataj.
Në fjalën e tij, Komisioneri z. Besnik Dervishi, vlerësoi rolin e sektorit të sigurimeve si një ndër sektorët kryesor në përpunimin e të dhënave personale.
Komisioneri u bëri apel përfaqësuesve të kompanive të sigurimit që ta shohin Zyrën e Komisionerit si partner në këtë proces dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit, duke garantuar se Zyra do t’i mbështesë me trajnime, orientime dhe udhëzime praktike për përputhshmërinë me standardet e reja.
Ai shtoi se, Zyra e Komisionerit ka monitoruar ndër vite mënyrën e përpunimit të të dhënave në sektorin e sigurimeve dhe ka dhënë rekomandime konkrete për përmirësimin e masave të sigurisë së informacionit dhe të transparencës ndaj qytetarëve.
Nga pjesëmarrësit u diskutua hartimi i dokumenteve të unifikuar për sektorin deri në një Kod Sjellje për shoqëritë e sigurimit.
Zyra e Komisionerit do të vijojë organizimin e tryezave të ngjashme me sektorë të tjerë të rëndësishëm.







