Siria, vend në Lindjen e Mesme, e ka njohur pavarësinë e Kosovës, njoftoi të mërkurën presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Në një njoftim në Facebook, Osmani tha se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Siria u arrit me mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, të mërkurën në Riad.
Ajo e falënderoi presidentin e Sirisë, Al Sharaa, për vendimin për njohjen e Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin e saj.
“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë”, shkroi Osmani.
Njohja nga Siria është e treta këtë vit për Kosovën, pasi më herët dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia e njohën atë.
Njohjet nga këto vende vijnë pas një rënie të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu atë ishte Izraeli në vitin 2021.
Siria është bërë tani shteti i 120-të që e njeh Kosovën, një vendim që pritet ta zemërojë Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e fqinjit të vet./ REL
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit se Siria ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Ai e ka cilësuar këtë si një tjetër sukses diplomatik për vendin, duke theksuar se brenda këtij viti Kosova ka siguruar tri njohje të reja, nga Kenia, Sudani dhe tani Siria.
“Pas Kenias dhe Sudanit, Siria bëhet shteti i radhës që njeh Kosovën brenda këtij viti. Tre njohje dhe tre partneritete të reja më shumë për vendin tonë,” ka deklaruar Kurti.
Ai ka shprehur mirënjohje për Presidenten Vjosa Osmani për përpjekjet e saj diplomatike dhe për Mbretërinë e Arabisë Saudite, e cila, sipas tij, luajti një rol të rëndësishëm në këtë proces.
“Për këtë lajm të mirë për shtetin dhe të gjithë qytetarët tanë, i jemi mirënjohës përpjekjeve të suksesshme të Presidentes sonë Vjosa Osmani dhe mbështetjes së Mbretërisë së Arabisë Saudite si shtet mik e partner i Republikës sonë,” ka shtuar ai.
Kreu i ekzekutivit theksoi se nga sot Kosova do të punojë për forcimin e lidhjeve me Sirinë dhe për ndërtimin e marrëdhënieve bilaterale me interesa të përbashkëta.
“Nga sot angazhohemi që lidhjet mes nesh të fuqizohen duke ngritur marrëdhënie bilaterale me interesa të përbashkëta dhe partneritete afatgjata,” përfundoi Kurti.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përshëndetur njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Siria ditën e sotme.
Në një reagim në rrjetet sociale Begaj shprehet se me këtë vendim Siria mbështeti shtetin e Kosovës dhe paqen e stabilitetin në Ballkan.
“Republika Arabe e Sirisë njohu sot zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Me këtë vendim, Siria mbështeti shtetin e Kosovës dhe paqen e stabilitetin në Ballkan. Faleminderit të gjithë atyre që e mundësuan këtë njohje!”, ka shkruar kreu i shtetit Shqiptar.
Kujtojmë se Siria, vend në Lindjen e Mesme, është bërë shteti i 120-të i cili ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Lajmin e dha presidentja Vjosa Osmani, e cila ka njoftuar se të mërkurën në Riad kanë arritur marrëveshje nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë e ka njohur Republikën e Kosovës.
Ajo e falënderoi presidentin e Sirisë, Al Sharaa, për vendimin për njohjen e Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin e saj.
“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot ne Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar pas lajmit se Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Në reagimin e saj, Spiropali thekson se njohje pas njohjeje, Republika e Kosovës do të sigurojë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të kombeve.
“Urime Republikës së Kosovës për lajmin e mirë të njohjes së shtetësisë së saj nga Republika Arabe e Sirisë. Kosova vazhdon të përparojë në rrugën e saj drejt forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, falë përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të saj në ndërtimin e një shteti demokratik dhe të zhvilluar”, ka shkruar ajo.
Ministrja shprehu gjithashtu mirënjohje për Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, për rolin dhe mbështetjen e dhënë në arritjen e kësaj njohjeje.
Reagimi i Spiropalit
Urime Republikës së Kosovës për lajmin e mirë të njohjes së shtetësisë së saj nga Republika Arabe e Sirisë.
Kosova vazhdon të përparojë në rrugën e saj drejt forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, falë përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të saj në ndërtimin e një shteti demokratik dhe të zhvilluar, si dhe mbështetjes së miqve dhe partnerëve të saj që kanë kontribuar në procesin e njohjes dhe shtetndërtimit të saj.
Me këtë rast, falënderime të veçanta i drejtohen Lartësisë së Tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, për mbështetjen e tij në realizimin e kësaj njohjeje.
Jam i bindur se, njohje pas njohjeje, Republika e Kosovës do të sigurojë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të kombeve.
Edhe një herë, urime, Kosovë! @VjosaOsmani








