Ish-kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pritet që te premten të lërë për disa orë qelinë për t’u paraqitur në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, ku do të shqyrtohet ankimi i tij për shkarkimin nga detyra, por edhe dekreti i Presidentit Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë.
Ndërkohë disa orë para kësaj seancë, avokati Jordan Daci ka njoftuar se është tërhqur nga mbrojtja ligjore që pritet t’i bëntë ish kryebashkiakut në këtë Gjykatë.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Daci deklaron se është tërhequr nga rasti, për shkak se pretendon se është në konflikt interesi.
“Në përgjigje të interesit publik lidhur me angazhimin tim si mbrojtës i mundshëm i z. Veliaj para Gykatës Kushtuese, pas një vlerësimi të kujdesshëm në përputhje me ligjin dhe Kodin e Etikës, konstatoj që jam në konflikt interesi për shkak të angazhimeve të mia dhe studios time ligjore në raste të tjera të mëparshme ende ne proces dhe shkaqe të tjera nga ato për të cilat ligji, etika dhe morali na detyrojnë të mos jemi mbrojtës në raste si këto. Për këto arsye bëj me dije që s’do jem mbrojtësi i tij para Gjykatës Kushtetuese në gjykimin e nesërm”, shkruan Avokati.
Ekipi ligjor i Veliajt, tashmë do të duhet të gjejë një tjetër avokat. Nëse seanca e parashikuar do të zhvillohet, sepse nëse gjendet një avokat tjetër ai normalisht do të kërkojë kohë për t’u njohur me aktet e dosjes.
Kujtojmë që Ish-kryebashkiaku Erion Veliaj ka konfirmuar gatishmërinë për të qenë në seancën në Kushtetuese dhe menjëherë Gjykata Kushtetuese ka vënë në dijeni Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe SPAK për datën dhe orën e seancës.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka konfirmuar zyrtarisht se janë marrë të gjitha masat që Erion Veliaj të jetë i pranishëm fizikisht në seancën e Gjykatës Kushtetuese që do të zhvillohet më 31 tetor.
Erion Veliaj ndodhet në ambientet e paraburgimit në Durrës prej 10 shkurtit. Prokuroria e Posaçme ka renditur 13 akuza që rëndojnë mbi të dhe 12 mbi bashkëshorten Ajola Xoxa.







