Instituti Norvegjez i Filmit për herë të parë do të prezantojë për publikun e Oslos, tre nga filmat e regjisores së njohur shqiptare, Xhanfise Keko.
Homazhi kushtuar artistes së ekranit shqiptar do të nisë sonte më 30 tetor në Kinematekën e Oslos, me filmin e famshëm “Tomka dhe shokët e tij”, ndërsa në datat 31 tetor dhe 2 nëntor do të vijojnë “Beni ecën vetë” dhe “Kur xhirohej një film”.
Në katalogun periodik të Kinematekës, një artikull i posaçëm i kushtohet krijimtarisë së saj me titullin “Xhanfise Keko, zonja e parë e filmit shqiptar”.
Në të, autorja përshkruhet si një regjisore që arriti të krijonte filma poetikë dhe inteligjentë në kushte të censurës së rreptë të kohës.
“Xhanfise Keko po rikthehet në vëmendje përmes shfaqjeve të filmave të saj në kinotekat botërore dhe vlerësimeve të kritikut Mark Cousins. Këtë vjeshtë, publiku i Oslos do të ketë mundësi të shohë për herë të parë tre nga veprat e saj më të njohura: “Beni ecën vetë” (1975), “Tomka dhe shokët e tij” (1977) dhe “Kur xhirohej një film” (1981). Këta filma, ndonëse rrëfejnë historitë përmes syve të fëmijëve, trajtojnë tema të thella shoqërore dhe historike nga pushtimi nazist e deri te të drejtat e grave.
Sipas organizatorëve, nuk bëhet fjalë për filma vetëm për fëmijë, por për vepra vizualisht të arrira e artistikisht të guximshme. Publiku norvegjez pritet t’i shijojë këto filma me interes të veçantë, ndërsa “Tomka dhe shokët e tij” veçohet për fuqinë vizuale dhe atmosferën e tij unike. Homazhi për regjisoren shqiptare në Oslo synon të nxjerrë në dritë ndjeshmërinë e veçantë të Xhanfise Kekos një talent që, siç theksohet, ka qenë “një sekret i ruajtur mirë i filmit evropian”, tha Jan Langlo, programues i Kinematekës së Oslos.
Xhanfise Keko ka realizuar mbi 25 filma duke krijuar portrete të paharrueshme të botës së fëmijëve. RTSH







