HomeEkonomiInvestimet e individëve në bono dhe obligacione po ulen për të dytin...

Investimet e individëve në bono dhe obligacione po ulen për të dytin vit radhazi

Advertismentspot_img

Në Shqipëri veprojnë aktualisht dhjetë shoqëri komisionere që mundësojnë investimin në titujt e qeverisë shqiptare, prej të cilave nëntë janë banka tregtar

Investimet e individëve në ankandet e bonove dhe obligacioneve janë në rënie për të dytin vit radhazi.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për 9-mujorin 2025, individët investuan 19.3 miliardë lekë në tregun primar të bonove dhe obligacioneve, me një rënie prej 16.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rënie u shënua edhe në numrin e transaksioneve, që zbriti në 5857, me një rënie vjetore prej 24.8%. Sipas llojit të instrumenteve financiare, rënia është shtrirë njëkohësisht si në bono, ashtu edhe në obligacione.

Shifrat e AMF-së tregojnë se vlera e blerjeve të bonove në tregun primar zbriti në 14.9 miliardë lekë, me një rënie vjetore prej 16.6%. Ndërkohë, investimi në obligacione arriti në 4.4 miliardë lekë, 17% më pak krahasuar me 9-mujorin 2024.

Të dhënat e mësipërme u referohen transaksioneve të kryera nëpërmjet ndërmjetësve financiarë të licencuar nga AMF, kryesisht bankave tregtare. Megjithatë, investimi në bono thesari mund të kryhet edhe nëpërmjet sporteleve të posaçme të Bankës së Shqipërisë.

Rënia e investimit të individëve në bono dhe obligacione vlerësohet të ketë ardhur kryesisht si rezultat i rënies së mëtejshme të yield-eve. Kjo tendencë rënëse e yield-eve vazhdon ende në tregun e bonove, ndërsa duke filluar nga tremujori i tretë është frenuar në atë të obligacioneve.

Rënia po shtrihet edhe në blerjet në tregun dytësor. Sipas statistikave të AMF-së, individët blenë 1.26 miliardë lekë tituj nga portofolet e bankave, me një rënie 68.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në Shqipëri veprojnë aktualisht dhjetë shoqëri komisionere që mundësojnë investimin në titujt e qeverisë shqiptare, prej të cilave nëntë janë banka tregtare.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në fund të shtatorit 2025, individët zotëronin 18.53% të instrumenteve të borxhit të brendshëm, nga 19.8% në fund të vitit 2024. Kjo shumë përfshin investimet me pjesëmarrje direkte dhe investimet e kryera nëpërmjet bankave tregtare.

Të dhënat tregojnë se individët ngelen mjaft të ndjeshëm ndaj ecurisë së yield-eve të titujve. Në vitin 2022, rritja e shpejtë e normave të interesit pas valës inflacioniste u reflektua edhe në një rritje të shpejtë të yield-eve. Kjo solli menjëherë një zgjerim të investimit të individëve në titujt e borxhit të qeverisë. Por, me rënien e yield-eve, që u bë e theksuar pas vitit 2024, interesi i individëve për të investuar në këto instrumente pësoi rënie të menjëhershme.

Në kuadër të diversifikimit të burimeve të financimit dhe zgjerimit të bazës së investitorëve, në Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2025-2029, Ministria e Financave parashikon të vlerësojë mundësinë e prezantimit të obligacioneve qeveritare për individë.

Sipas strategjisë, ky instrument synon të rrisë përfshirjen e qytetarëve në financimin e borxhit shtetëror, të nxisë kulturën e kursimeve afatgjata dhe të përmirësojë qëndrueshmërinë fiskale nëpërmjet reduktimit të varësisë nga tregjet institucionale dhe financimi i huaj.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular