HomeAktualitetMSH propozon draftin për sigurinë e dhurimit të gjakut dhe qelizave riprodhuese,...

MSH propozon draftin për sigurinë e dhurimit të gjakut dhe qelizave riprodhuese, apel spitaleve: Planifikoni dhe zbatoni protokollet për barnat

Advertismentspot_img

Ministria e Shëndetësisë ka propozuar një projektligj për vendosjen e standardeve në cilësinë dhe ruajtjen e Substancave me Origjinë Njerëzore (SoHo). Bëhet fjalë për substanca si gjaku, indet apo qelizat riprodhuese që përdoren për riprodhimin mjekësor të asistuar (fertilizimi invitro) dhe inseminim artificial.

Në relacionin e projektligji “Për standardet e cilësisë dhe sigurisë për substancat me origjinë njerëzore të destinuara për aplikim njerëzor” theksohet se synimi i draftit është që, nëpërmjet vendosjes të rregullave, substancat e marra nga njerëzit (përfshirë gjakun, qelizat, indet ) të jene të sigurta dhe me cilësi, kur përdoren nga dhuruesit te marrësit. Projektligji i propozuar synon të vendosë standarde sigurie dhe cilësie, si për dhuruesin, por edhe marrësin e substancave me origjinë njerëzore, veçanërisht në procesin e riprodhimit mjekësor të asistuar (procesin invitro).

“Ky ligji ka për qëllim të përcaktojë masa që vendosin standarde të larta të cilësisë dhe sigurisë për të gjitha substancat me origjinë njerëzore (SoHO) të synuara për aplikim te njeriu dhe për aktivitete të lidhura me ato substanca, si dhe të sigurojë një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njeriut, veçanërisht për dhuruesit SoHO, marrësit SoHO dhe pasardhësit nga riprodhimi  mjekësor i asistuar, duke përfshirë forcimin e vazhdimësisë së furnizimit me SoHO kritike. Ky projektligj promovon solidaritetin, dhurimin vullnetar dhe pa pagesë dhe vetë-mjaftueshmërinë duke rritur në këtë formë besimin publik”, theksohet në relacion e draftit të publikuar te konsultimet publike.

Drafti përcakton se siguria në cilësi do të garantohet në të gjitha fazat e përdorimit të substancave me origjinë njerëzore. Që do të nisë që nga regjistrimi dhe vlerësimi i dhuruesve, testimi dhe mbledhja e SoHO, deri te përpunimi, kontrolli i cilësisë, ruajtja, shpërndarja, importi/eksporti dhe aplikimi te njeriu, si dhe regjistrimi i rezultateve klinike.

Në thelb, projektligji mbulon gjithë ciklin e menaxhimit të SoHO për të garantuar cilësinë dhe sigurinë e përdorimit të tyre.

Projektligji nuk do të zbatohet për transplantet e organeve, për qumështin e gjirit që nëna e përdor vetë për fëmijën e saj, dhe për rastet kur materiali njerëzor përdoret nga i njëjti person pa u përpunuar apo ruajtur më parë.

Apeli ndaj spitaleve

Forcimi i cilësisë së shërbimit publik, zbatimi rigoroz i protokolleve mjekësore dhe sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm me barna ishin në qendër të takimit të kësaj të enjteje, 30 tetor, të Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, me drejtuesit e spitaleve të vendit.

“Pa protokolle në çdo spital, nuk mund të kemi standarde dhe planifikim të saktë të shërbimit. Cilësia e shërbimit, standardizimi dhe kostifikimi i tij bazohen në zbatimin rigoroz të protokolleve mjekësore”, theksoi ministrja, duke kërkuar përgjegjshmëri maksimale në zbatimin e tyre.

Në të njëjtën linjë, ministrja Sala vuri theksin te furnizimi me barna dhe materiale mjekësore, duke kërkuar vendimmarrje të bazuar në të dhëna të sakta dhe nevojat reale të pacientëve.

“Sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm me barna dhe materiale mjekësore duhet të realizohet në bashkërendim të plotë midis shërbimeve spitalore, farmacisë dhe strukturave të planifikimit, në mënyrë që çdo vendimmarrje të mbështetet në të dhëna të sakta dhe në nevojat reale të pacientëve”.

Gjithashtu, ministrja Sala theksoi rëndësinë e ecurisë së procesit të autonomisë spitalore dhe vijimin e digjitalizimit të proceseve të menaxhimit administrativ të spitaleve.

“Kërkohet bashkëpunim dhe angazhim maksimal për të marrë masat për përdorimin e Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Spitalor, që siguron digjitalizimin e gjithë dokumenteve mjekësore të prodhuara. Vihet re një përdorim shumë i ulët dhe, si rrjedhojë, nuk është arritur eliminimi i procedurave me letra fizike”.

Një tjetër prioritet mbetet forcimi i komunikimit dhe bashkëpunimit midis spitaleve, Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor dhe strukturave të Ministrisë, për të reaguar në kohë reale ndaj çdo situate.   

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular