Agjenda e samitit parashikon fillimisht një takim bilateral ndërmjet ministrave sipas sektorëve të tyre, ku do të shqyrtohen projektet dhe bashkëpunimet aktuale
Më 13 nëntor, qeveritë e Shqipërisë dhe Italisë do të takohen për një samit dypalësh, që do të zhvillohet nga ora 09:00 deri në 13:00, në Romë.
Delegacionet do të jenë të përbëra në formatin 1+10, duke përfshirë Kryeministrin dhe deri në 10 ministra, me pjesëmarrje minimale prej 5-6 ministrash, sipas fushave të përbashkëta të bashkëpunimit.
Burime për tvklan.al bëjnë të ditur se, agjenda e samitit parashikon fillimisht një takim bilateral ndërmjet ministrave sipas sektorëve të tyre, ku do të shqyrtohen projektet dhe bashkëpunimet aktuale.
Pas kësaj, do të zhvillohet një bisedë direkte ‘kokë më kokë’ mes dy Kryeministrave, për të diskutuar prioritetet strategjike dhe çështjet më të rëndësishme.
Më pas, Kryeministri dhe ministrat e të dy vendeve do të mbajnë një takim të përbashkët, ku do të shqyrtohet zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese dhe identifikimi i projekteve të reja bashkëpunimi në sektorë si energjia, infrastruktura, tregtia dhe turizmi.
Delegacionet gjithashtu do të marrin pjesë në një drekë pune, që do të shërbejë si mundësi për diskutime më të thella dhe shkëmbim përvojash.
Një pjesë e rëndësishme e agjendës do të jetë nënshkrimi i marrëveshjeve të reja, duke formalizuar bashkëpunimet dhe duke krijuar baza për projekte konkrete të përbashkëta.
Takimi do të përmbyllet me një deklaratë të përbashkët për mediat, pa mbajtjen e konferencës për shtyp, duke theksuar rezultatet dhe qëllimet e samitit.
Samiti pritet të forcojë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe të ndihmojë koordinimin e politikave qeveritare në fusha kyçe ekonomike dhe sociale. Ai ofron mundësi për diskutime intensive mbi investimet, zhvillimin e turizmit dhe projekte të përbashkëta infrastrukturore.
Qeveria shqiptare synon që përmes këtij takimi të avancojë bashkëpunimin me Italinë dhe të krijojë një model funksional për projekte rajonale. Rezultatet e samitit pritet të kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve strategjike, duke përfshirë edhe koordinimin me partnerët e tjerë europianë dhe rajonalë.
Në përfundim, samiti synon të vendosë një agjendë të qartë për vitet e ardhshme, duke rritur bashkëpunimin dypalësh dhe duke hapur mundësi për zhvillime të reja ekonomike dhe politike për Shqipërinë dhe Italinë.







