Treguesit e riskut të borxhit të publik këtë vit ranë më tej në tremujorin e tretë të vitit.
Sipas informacionit të publikuar nga Ministria e Financave, rreziku i rifinancimit të borxhit të brendshëm publik këtë vit paraqitet pranë niveleve më të ulëta historike.
Vlera e borxhit të brendshëm që maturohet brenda një viti në fund të 9-mujorit 2025 përbënte 40.7%, në rënie të mëtejshme nga niveli prej 40.9% i tremujorit të dytë dhe nga niveli 41.1% që shënohej një vit më parë. Një nivel më i ulët ishte shënuar vetëm në fund të vitit 2024, kur ky tregues pati zbritur në 39%.
Në dekadën e fundit, Ministria e Financave ka ndjekur një strategji të zgjatjes graduale të maturitetit të borxhit publik, me qëllim kryesor uljen e rrezikut të rifinancimit, por edhe përfitimin nga cikli i normave të ulëta të interesit.
Në fundin e muajit shtator, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit në 2.86 vjet, nga 2.58 vjet që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. Kjo rritje dëshmon pikërisht përdorimin më të madh të instrumenteve me maturim afatgjatë edhe gjatë 9-mujorit të këtij viti.
Në strategjinë afatmesme të menaxhimit të borxhit, 2025-2029, Ministria e Financave vlerëson si i nevojshëm vazhdimin e masave të ndërmarra për reduktimin e mëtejshëm të ekspozimit ndaj rrezikut të rifinancimit, duke pasur si objektiv rritjen e përqendrimit të titujve afatmesëm dhe afatgjatë në portofolin e borxhit të brendshëm.
Sipas vlerësimeve të këtij institucioni, kushtet ekzistuese në tregjet financiare vlerësohet se vijojnë të ofrojnë mundësinë e zgjatjes së maturitetit mesatar të borxhit dhe balancimit të profilit të maturitetit, së bashku me uljen e peshës së borxhit afatshkurtër në totalin e portofolit të borxhit të brendshëm.
Edhe indikatorët e tjerë të riskut të borxhit publik po ndjekin një tendencë rënëse këtë vit.
Rreziku i kursit të këmbimit, i shprehur si raporti i borxhit në monedhë të huaj ndaj totalit të borxhit publik, zbriti në 41.6%, nga 43.3% një tremujor më parë dhe nga 42% që ishte një vit më parë.
Ulja e këtij rreziku është mbështetur në mënyrë të vazhdueshme edhe te forcimi i Lekut në kursin e këmbimit, që ka ulur vlerën e borxhit në valutë të huaj dhe peshën e tij specifike.
Risku i normave të interesit, i shprehur si përqindja e borxhit që rifiksohet brenda një viti kundrejt totalit të borxhit publik zbriti në 40.7%, nga 41% një tremujor më parë dhe 41.5% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në treg vitet e fundit, borxhi publik i Shqipërisë po ndjek një tendencë rënëse, i mbështetur nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit dhe një politikë fiskale më e konsoliduar, me deficite buxhetore më të ulëta.
Pasi arriti një nivel rekord prej më shumë se 74% të PBB-së në vitin 2021, borxhi publik ka ardhur në rënie vitet në vazhdim dhe në fund të vitit 2024 zbriti në 54.21% të PBB-së. Sipas vlerësimeve paraprake të Ministrisë së Financave në fund të 9-mujorit 2025 borxhi publik ishte sa 53.45% e PBB-së.
Rënia më e fortë është arritur në segmentin e borxhit të jashtëm, që në fund të shtatorit vlerësohej sa 22.6% e PBB-së, nga 22.9% në fund të vitit 2024 dhe 36.45% që kishte qenë në 2021. Kjo dëshmon ndikimin e fortë që ka dhënë kryesisht forcimi i Lekut në uljen e borxhit publik.







