Duke filluar nga dita e nesërme qytetarët që përdorin linjën urbane Kamëz-Tiranë, dhe linjën Paskuqan-Babrru-Tiranë, do të paguajnë 50 lekë biletën e urbanit, dhe 1400 lekë për abonenë mujore. Pas këtij lajmi Bashkia Kamëz, ka publikuar në llogarinë e saj në rrjetin social “FaceBook”, vendimin e marrë nga këshilli i bashkisë, në të cilin sqarohen arsyet e rritjes së çmimeve të biletave dhe aboneve për qytetarët duke theksuar faktin qe ne linjate brendshem ska ndryshuar cmim.
Reagim sqarues mbi vendimin për ndryshimin e çmimit të biletës në dy linjat rrethqytetase Kamëz–Tiranë dhe Paskuqan–Tiranë
Duke u nisur nga publikimet në disa media lidhur me rritjen e çmimit të biletave të transportit urban, pavarësisht se vendimi i Këshillit Bashkiak është bërë publik më parë, dëshirojmë të bëjmë një sqarim për qytetarët e Bashkisë Kamëz si më poshtë:
1️⃣ Vendimi ka ardhur pas një kërkese zyrtare nga Shoqata e Transportit, e cila është depozituar pranë Këshillit Bashkiak të Kamzës.
2️⃣ Në vijim, kërkesa u trajtua nga një grup këshilltarësh të Komisionit Ekonomiko–Financiar dhe Komisionit Juridik të Këshillit Bashkiak, të cilët dolën me një propozim të përbashkët për rritjen e çmimit, i cili iu paraqit Këshillit Bashkiak për diskutim dhe miratim në mbledhjen përkatëse.
3️⃣ Më 26 shtator, në mbledhjen e transmetuar live, të gjithë këshilltarët bashkiakë votuan unanimisht për rritjen e çmimit të biletës nga 40 lekë në 50 lekë dhe rritja e abonesë nga 1200 lekë në 1400 lekë, vetëm për dy linjat rrethqytetase (Kamëz–Tiranë dhe Paskuqan–Tiranë) të cilat janë më gjatësi mbi 8 km.
❗ Asnjë nga linjat qytetase brenda territorit të Bashkisë Kamëz nuk preket nga ky vendim – çmimi i biletës për linjat e brendshme mbetet 40 lekë dhe nuk ka ndryshim.
Bashkia Kamëz do të vijojë të monitorojë cilësinë e shërbimit publik të transportit, me synim përmirësimin e kushteve dhe garantimin e një transporti të sigurt e të qëndrueshëm për qytetarët.





 
                                    




