Nga Bujar Leskaj
30 Tetor 2025, në Kuvend . Fjala për Raportin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2024.
Viti 2024 dëshmoi se Këshilli i Lartë i Gjyqësorit pati një sërë problematikash të thella strukturore dhe funksionale, të cilat, njëlloj si vitet e mëparshme, e kufizuan ndjeshëm efektivitetin e institucionit dhe sollën realizimin shumë të keq të reformës në drejtësi. Procesi mbetet ende larg objektivave të vendosura nga vetë ligjvënësi dhe partnerët ndërkombëtarë.
Një nga mangësitë më të mëdha të KLGJ-së gjatë vitit 2024 ishte mungesa e theksuar e trupës gjyqësore në të gjitha nivelet e sistemit. Procesi i vetingut, dorëheqjet, pezullimet dhe vonesat në emërimet e reja krijuan boshllëqe të mëdha në gjykata, sidomos në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe në gjykatat administrative.
I. Shtim i ndjeshëm i stokut të çështjeve të pashqyrtuara
Sipas të dhënave të vetë KLGJ-së, në fund të vitit 2024 kishte një mungesë prej mbi 25% të gjyqtarëve të nevojshëm për funksionimin normal të gjykatave. Procesi i vetingut la pas një mungesë të madhe burimesh njerëzore, që KLGJ nuk arriti ta kompensojë në kohë me emërime të reja gjatë vitit 2024. Kjo situatë solli (i) shtim të ndjeshëm të stokut të çështjeve të pashqyrtuara, (ii) zvarritje të theksuara të proceseve gjyqësore dhe rënie të thellë të besimit të publikut tek efiçienca e sistemit.
Edhe pse Harta e Re Gjyqësore hyri në zbatim përfundimtar në vitin 2023, viti 2024 nxori në pah një sërë vështirësish praktike. Procesi i bashkimit të disa gjykatave në të gjithë territorin e Shqipërisë, në kuadër të Hartës përfaqëson një nga ndryshimet më të mëdha dhe njëkohësisht më të debatueshme të reformës në drejtësi.
Edhe pse synimi kryesor i saj ishte përmirësimi i eficiencës së sistemit gjyqësor dhe shpërndarja më racionale e burimeve, zbatimi praktik gjatë viteve 2023–2024 provoi dështimin e saj, duke sjellë një sërë problematikash të theksuara, që kanë ndikuar në përkeqësimin e funksionimit të gjykatave dhe ka dëmtuar qasjen e qytetarëve ndaj drejtësisë.
Në vend që të sillte efikasitet, bashkimi i gjykatave gjatë 2024-s krijoi bllokime administrative dhe ngadalësim të ndjeshëm të ritmit të gjykimeve, duke vënë në pikëpyetje përfitimet reale të reformës.Nga ana tjetër, u rrit ndjeshëm stresi profesional dhe rreziku i vendimeve të nxituara nga gjyqtarët që mbartin disa funksione paralelisht.
Një ndër pasojat më të ndjeshme të bashkimit të gjykatave është largësia e re që qytetarët duhet të përshkojnë për të marrë shërbime gjyqësore. Për shembull, banorët e rretheve që më parë kishin gjykata funksionale, si Kruja, Lushnja, Lezha, Puka apo Përmeti, tani duhet të udhëtojnë drejt qyteteve të tjera, shpesh dhjetëra kilometra larg, për të ndjekur proceset e tyre.
Kjo ka sjellë kosto shtesë financiare për udhëtim dhe akomodim, humbje kohe për palët dhe dëshmitarët dhe vështirësi për shtresat në nevojë për të ndjekur çështjet gjyqësore. Në shumë raste, qytetarët janë detyruar të braktisin apo shtyjnë ndjekjen e proceseve, për shkak të mungesës së mundësive të tyre ekonomike.
II. KLGJ e vonoi vetë shtimin e gjyqtarëve. Lejoi mbingarkesë të shtuar në gjykatat pritëse
KLGJ, që ka në dorë karrierën, vlerësimin dhe lëvizjet e gjyqtarëve, u tregua edhe gjatë vitit 2024 tejet i ngadaltë dhe me mungesë të theksuar transparence në procedurat e emërimeve.
Në disa raste, proceset u zvarritën për muaj të tërë, për shkak të mosmarrëveshjeve brenda vetë Këshillit, mungesës së kuorumit apo debatit mbi kriteret e përzgjedhjes. Kjo vonesë ndikoi në (i) vakanca të zgjatura në gjykata kyçe, në (ii) rritje të ndjesisë së pasigurisë tek gjyqtarët dhe në (iii) në mosfunksionim të plotë, sidomos të gjykatave të apelit, që mbetën me numër të kufizuar gjyqtarësh.
Nga ana tjetër, bashkimi i disa gjykatave ka çuar në shtim të menjëhershëm të numrit të çështjeve në gjykatat pritëse, pa u shoqëruar me shtim proporcional të gjyqtarëve, sekretarëve dhe infrastrukturës.
Kjo ka rezultuar në rritje të stokut të çështjeve të pashqyrtuara, vonesa në caktimin e seancave, në zvarritje të vendimeve dhe në ulje të cilësisë së shqyrtimit gjyqësor.
Në disa raste, për shembull, në Gjykatën e Shkodrës dhe të Vlorës, raportet e vitit 2024 treguan se ngarkesa për çdo gjyqtar ishte rritur me 30–40%, krahasuar me vitin paraardhës.
Shumë nga gjykatat që u shndërruan në “qendra pritëse” nuk patën edhe gjatë vitit 2024 kapacitete fizike dhe logjistike për të përballuar fluksin e ri. Në disa prej tyre mungonin zyrat për gjyqtarët dhe stafin, sallat e seancave gjyqësore ishin të pamjaftueshme, ndërsa kushtet e pritjes për qytetarët mbetën të papërshtatshme.
Transferimi i dosjeve fizike nga gjykatat e mbyllura ka qenë një proces i gjatë dhe i ngadalshëm, duke krijuar konfuzion dhe vonesa në regjistrimin e çështjeve.
Një tjetër problem i rëndësishëm ishte mungesa e një sistemi të unifikuar elektronik që të ndihmonte në integrimin e çështjeve dhe të të dhënave ndërmjet gjykatave të bashkuara.
Sistemi ICMS (Information Case Management System) funksionon në mënyrë të pjesshme dhe jo të standardizuar, duke bërë që proceset e transferimit të të dhënave dhe menaxhimit të çështjeve të bëhen manualisht.
E gjitha kjo krijon rrezik të lartë për (i) humbje ose dëmtime të dokumentacionit, (ii) mungesë transparence dhe vonesa në raportimet statistikore.
Procesi i zbatimit të hartës së re gjyqësore pati edhe gjatë vitit 2024 mungesën e një konsultimi të gjerë me grupet e interesit, përfshirë shoqërinë civile, avokatët dhe komunitetet lokale. Shumë vendime ishin të nxituara, ndërsa komunikimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor me publikun ishte i kufizuar.
Kjo mungesë transparence ka ndikuar në uljen e besimit të qytetarëve tek qëllimi i reformës në drejtësi dhe ka krijuar perceptimin se bashkimi i gjykatave nuk u bë për lehtësimin e qytetarëve, por për kursim buxhetor.
III. Probleme të rënda me aksesin në drejtësi dhe barazinë territoriale
Në thelb, bashkimi i gjykatave ka prekur parimin e aksesit të barabartë në drejtësi. Qytetarët që jetojnë në zona rurale apo të thella janë sot më të penalizuar për të ndjekur proceset gjyqësore.
Në disa zona, mungesa e transportit publik dhe kostot e larta e kanë bërë drejtësinë më pak të arritshme . Ky zhvillim bie ndesh në mënyrë skandaloze me standardet e Bashkimit Europian për drejtësi gjithëpërfshirëse dhe efektive.
Ndryshimet në juridiksion, rritja e fluksit dhe puna në kushte të mbingarkuara kanë ndikuar në cilësinë e vendimmarrjes dhe në motivimin e personelit. KLGJ nuk garantoi paralelisht edhe gjatë vitit të kaluar, investime infrastrukturore dhe teknologjike, për ta bërë Hartën e re funksionale në praktikë.
Gjatë vitit 2024, Këshilli u përball me vonesat në përfundimin e procesit të rekrutimit të inspektorëve gjyqësorë, sekretarëve gjyqësorë dhe personelit mbështetës, çka ndikoi negativisht në ecurinë e punës. Po ashtu, proceset e vlerësimit të gjyqtarëve dhe karrierës së tyre mbetën të pjesshme, duke krijuar pasiguri në promovime dhe transferime.
IV. Mungesë buxheti, digjitalizim i vonuar dhe infrastrukturë tejet e amortizuar
Një tjetër problem i theksuar gjatë vitit 2024 ishte financimi i pamjaftueshëm i sistemit gjyqësor. Shumë gjykata funksionuan në ambiente të amortizuara, me mungesë sallash gjykimi dhe pajisjesh bazike, ndërsa investimet për teknologji dhe arkiva mbetën minimale. Gjykatat u përballën me mungesë zyrash, kushte jo dinjitoze pune dhe vonesa në proceset e digjitalizimit.
Përkundër rëndësisë që merr teknologjia në administrimin e drejtësisë moderne, digjitalizimi i gjykatave mbeti në nivele të ulëta. Sistemi elektronik për menaxhimin e çështjeve (ICMS) funksionoi pjesërisht dhe jo në mënyrë të njëtrajtshme në të gjitha gjykatat.
Kjo mungesë uniformiteti pengoi (i) monitorimin efektiv të çështjeve, (ii) transparencën për publikun dhe (iii) shkurtimin e kohës së procedurave.
V. Transparencë dhe komunikim publik i kufizuar
Një tjetër mangësi e KLGJ-së gjatë vitit 2024 ishte mungesa e komunikimit të qartë dhe të rregullt me publikun dhe median. Raportet vjetore, vendimet dhe proceset e rëndësishme shpesh nuk u publikuan në kohë, ndërsa përfshirja e shoqërisë civile në diskutimet mbi politikat e drejtësisë mbeti formale. Raportimet për performancën e gjykatave munguan ose ishin të paqarta.
E gjithë kjo situatë ka rritur perceptimin se KLGJ po vepron me burokraci të mbyllur, pa llogaridhënie të mjaftueshme ndaj publikut, gjë që bie ndesh me transparencën që reforma në drejtësi duhet të sillte. Kjo ka ndikuar në perceptimin e ulët të transparencës dhe llogaridhënies së institucionit tek qytetari dhe publiku.
xxx
Reforma në drejtësi nën drejtimin e KLGJ-së, në zbatim praktik gjatë vitit 2024, tregoi mangësi dhe kufizime të dukshme, që rrezikojnë dështimin e plotë të saj.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, si institucioni përgjegjës për administrimin e sistemit gjyqësor, nuk arriti të sigurojë ritmin dhe koherencën që kërkon një proces kaq kompleks. Problemet me mungesën e gjyqtarëve, mbingarkesën e gjykatave, digjitalizimin e ngadaltë, ndërhyrjet dhe ndikimin e fortë të sektit Rama në qeverisje, si dhe mungesën e transparencës, e kanë degraduar reformën në drejtësi më shumë në një proces administrativ, sesa një transformim real në funksion të qytetarëve.
KLGJ edhe gjatë vitit 2024 nuk arriti të rikthejë efiçiencën, profesionalizmin dhe besimin e humbur publik në gjyqësorin, duke rrezikuar që reforma të humbasë qëllimin e saj kryesor, ndërtimin e një drejtësie të pavarur, të shpejtë dhe të drejtë për çdo qytetar shqiptar.


 
                                    




