HomeKulture"Poetika e heshtjes së përgjakur", Ramë Oraca: Disa fjalë për librin "NË...

“Poetika e heshtjes së përgjakur”, Ramë Oraca: Disa fjalë për librin “NË EMËR TË GJAKUT” të autorit Ahmet Prençi

Advertismentspot_img

Nga Ram Oraca
Libri i Ahmet Prençit /NË EMËR TË GJAKUT/ botuar nga Shtëpia Botuese Mediaprint – Tiranë, viti 2025. Ky libër përmban 164 faqe dhe është i ndarë në tregime dhe novela të cilat lidhen me një periudhë të veçantë historike të vitin 1997. Nga disa autorë ky libër shpesh është vlerësuar si një argument krize, kaosi dhe përplasje midis rendit dhe dhunës. Andaj edhe shkrimin tim për këtë libër e kam emërtuar / Poetika e heshtjes së përgjakur /.

Përmes këtyre tetë rrëfimeve, sa përmban ky libër, Prençi përpiqet të rikthejë kujtesën kolektive, ai përmes rrëfimeve të tij ndërthur elemente të dramës njerëzore me përplasjes institucionale. Autori përdor metafora dhe figura që theksojnë tensionin mes individit dhe shoqërisë, ndërmjet traumës kolektive dhe përpjekjeve për mbijetesë. Gjuhësisht, libri toleron një stil të matur, që nuk bie në patetikë, por ruan emocionin e situatës përmes imazheve dhe heshtjeve midis rrëfimeve të personazheve, siç janë: Alfredi, Skënderi, Frakulla, Hyseni, Bukuria, Qatipi, Llesh Staka, Arben Dushku, Besnik Mali etj. Gjithashtu autori ngjarjen e bart prej një vendi në vendin tjetër varësisht nga zhvillimet e tyre, duke filluar nga Tirana, Tepelena, Gjirokastra, Fieri, Levani, Dibra, Shkodra, Vlora, Burreli etj. 

Libri ka dhe dimension metaforik të thellë ndaj tragjedisë që nuk është thjesht dokument historik, por përjetim njerëzor. Nyja midis përjetimit personal dhe ndërgjegjësimit shoqëror është një nga forcat kryesore të librit. Autori nuk flet vetëm si kronist, por edhe si dëshmitar dhe pjesëmarrës direkt në realitetin e përshkruar. Një tjetër pikë e veçantë është se libri nuk përpiqet të jep përgjigje absolute, por ai lë vend për pyetje dhe reflektim nga lexuesi. Kjo i jep vlerë letrare dhe dimension etik veprës. Tregimet në këtë libër i takojnë një periudhe që ka lënë plagë në ndërgjegjen kolektive. Ky libër sjell në kujtesë vitin 1997 si “plagë të hapur”. Ndërthurja e përvojës personale me reflektimin shoqëror, kjo nga fakti sepse autori ka përjetuar vetë dimensionin institucional, rrëfimit i jep një peshë autentike dhe një zë që nuk është i largët nga realiteti. Autori i shmanget retorikës së lehtë dhe dramatizimit të pa nevojshëm. 

Autori këtë libër – homazh ua kushton oficerëve të policisë dhe atyre që mbijetuan me plagë të heshtura e të përgjakura, me të cilët autori ndau për disa vite shërbim dhe dhimbje bashkë me ta.  Për lexuesin e sotëm, libri /Në emër të gjakut/ nuk është thjesht një rikthim tek një krizë e shkuar, por një pasqyrë e ashpër dhe poetike, mbi shpresën dhe frikën, mbi kujtesën që refuzon të shuhet nga harresa. Ky libër është një ftesë për reflektim dhe një dëshmi e vlerës së letërsisë që arrin të ruajë, përmes artit, dramën dhe dinjitetin e njeriut. Në tregimet e Prençit, gjaku nuk është vetëm materie biologjike apo shenjë vdekjeje, por dëshmi i sakrificës, dhe i plagës shoqërore. 

Stili i Prençit karakterizohet nga përmbajtja gjuhësore dhe emocioni i përmbajtur. Në vend të patetikës së tepruar, autori ndërton atmosferën përmes imazheve të qarta dhe metaforave të thukta. Ky zbërthim stilistik e shndërron tekstin në një hapësirë reflektimi, ku lexuesi jo vetëm që ndjek ngjarjet, por ai edhe ndalet për t’i arkivuar ato. Një meritë e dukshme e librit është ndërthurja e përvojës personale me dimensionin shoqëror. Si një autor që ka qenë vetë dëshmitar i kohës, Prençi e rrëfen të vërteten autentike. 

 “Në emër të gjakut” përfaqëson një shembull domethënës të letërsisë në gjithë hapësirën shqiptare. Ai nuk kufizohet në funksionin dokumentar, por arrin të krijojë një kujtesë letrare ku trauma, dhimbja dhe përpjekja për të kuptuar të shkuarën marrin formë estetike. Në këtë kuptim, libri nuk është vetëm një pasqyrë e një periudhe të shkuar, por një akt i vetëdijshëm artistik dhe moral që synon të ndalojë procesin e harresës. Në këtë kuptim, Prençi arrin të ngrejë nga përvoja personale e një kohe të errët një kujtesë të përbashkët. Viti 1997 nuk është thjesht sfond historik, por një simbol i copëzimit të shoqërisë, një moment ku dhuna e përgjakshme dhe pasiguria krijuan një boshllëk moral. Teksti e shfaq këtë traumë jo me tone të kronikave, por përmes figurave metaforike ku “gjaku” bëhet shenjë e sakrificës dhe dhimbjes.

Poetika e heshtjes së përgjakur, një tipar tjetër që meriton vëmendje është përdorimi i heshtjes si pjesë e rrëfimit. Shpesh, në vend të përshkrimeve të gjata, autori zgjedh që të lë hapësira të zbrazëta ku lexuesi duhet të projektojë ndjenjat dhe mendimet e veta krahas leximit. Kjo i jep veprës një dimension meditativ, ku teksti bëhet një pasqyrë e ndërgjegjes së lexuesit.

Në këtë kuptim, estetika e Prençit është një poetikë e nënkuptimit: më shumë se të thotë gjithçka, ai e orienton lexuesin drejt pyetjeve që ngelen pezull gjatë leximit. Ky tipar e afron librin me traditën moderne evropiane të rrëfimit të traumës, ku e pathëna shpesh flet më shumë se fjalët. “Në emër të gjakut” nuk është thjesht një libër që i përket letërsisë, pas vitit 1997-të, por një tekst që hap një dialog, se si shoqëria shqiptare përpunon të kaluarën e vet të dhimbshme, përmes kujtesës së arkivuar për të ardhmen e tij. Sepse harresa vret më rënd se çdo plumb. Në një kohë të përçarë kur historia shpesh i nënshtrohet harresës apo reduktohet në statistika, libri i Ahmet Prençit mbetet si një akt letrar dhe moral, një dëshmi se letërsia mund të bëhet një avokate e së vërtetës që nuk mund ta përfshijë plotësisht as historia.

 Për këtë arsye, libri Në emër të gjakut / është një tekst me rëndësi të veçantë jo vetëm për letërsinë bashkëkohore, por edhe për diskursin mbi kujtesën dhe traumën në përgjithësi. Ky libër është një dëshmi se letërsia, ndryshe nga historia apo politika, mund të ndërtojë një hapësirë reflektimi ku e shkuara nuk mbetet thjesht akt i kryer, por shndërrohet në kujtesë të përjetuar, të ndarë dhe të jetuar rishtazi në çdo lexim. Andaj, për të mos e harruar të kaluarën e vendit tënd lexojeni këtë libër, dhe arkivoje në kujtesën e breznive që të bëjnë më shumë për vendin e vet, ndryshe ai nuk do të jetë i tyre. Shëndet e suksese të mëtejme për autorin e këtij libri Ahmet Prençi. / KultPlus.com

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular