“Sot është një nga ato ditë që nuk do të doja ta jetoja kurrë”, e nisi Xhoana Nano mes lotësh fjalën e saj pranë arkëmortit të bashkëshortit të ndjerë, ish-kryeministrit Fatos Nano.
Ajo e kujtoi Nanon si personalitetin që solli një vizion të ri për Shqipërinë, larg hakmarrjeve dhe urrejtes.
“E tillë është kjo ditë edhe për fëmijët tanë. Këtu e çerek shekulli më parë, me intuitën e moshës së pafajshme, rashë në dashuri me Fatosin. Atëherë nuk e kuptoja pse, por tani e di, kisha rënë në dashuri jo thjesht me Fatosin si person, po më shumë se kaq, kisha rënë në dashuri me vizionin e një Shqipërie ndryshe, që përherë e më shumë lipsej të largohej nga tradita e hakmarrjeve, ligësive, prapambetjes. Të gjitha këto do t’i gjeja te Fatosi, gjë që nuk e pata menduar me kaq qartësi atëherë. Me kalimin e kohës, pata fatin të zbuloja vlera dhe cilësi që nuk janë aq të shpeshta në jetën tonë. E ndiej detyrë publike dhe morale, që disa cilësi të tijat, besoj i njohim të gjithë, por kur vjen një moment si ky ia vlen të përmblidhen. Shumë më tepër se ato që do të thuhen në histori e media. Fatosi ishte i vërtetë. Ai nuk dinte dhe nuk donte të shtirej, e urrente populizmin. Bënte atë që besonte dhe besonte te ajo që bënte. Ishte neveritës nga banaliteti, servilizmi dhe paaftësisë“, u shpreh Xhoana Nano.
Ish-kryeministri Fatos Nano ndërroi jetë dy ditë më parë, ndërsa sot po mbahen homazhen publike për nder të tij në ish-Pallatin e Kongreseve.
Xhoana Nano: Fatosi nuk ishte njeri i zakonshëm, nuk bënte asgjë për gjysmë. Ai kishte një zemër të madhe. Një zemër që dinte të falte, të mirëkuptonte dhe të donte me gjithë qenien e tij. Ishte i drejtëpërdrejtë, ndonjëherë kokëfortë dhe i vështirë. Ai e donte këtë vend megjithë shpirt. Pavarësisht çmimit të lartë personal që i duhej të paguante, nuk hoqi dorë për ta parë Shqipërinë më të begatë. Të tillë e paraqiti Shqipërinë edhe në takimet ndërkombëtare me burrat e shteteve në Uashington, Paris e gjetkë. Për të gjitha këto sot, kam një ndjenjë mirënjohje, që pata fatin ta njihja, që pata fatin të ecja krah tij, të qeshnim dhe vuanim bashkë, të jetonim.
Dua ti them edhe njëherë publikisht: Faleminderit Fatos që me deshe dhe më dhe mundësinë të të dua, që ishe ky që ishe, që e dhe veten tënde, të gjithën, pa kursim, për mua, për veten, për vendin tonë. Do mbetesh në kujtesën tonë, si njeri, si njeriu ynë.







