Kryefjala e aktiviteteve kulturore të kësaj jave janë eventet e programuara për Javën Kulturore Spanjolle, e cila vjen me pasionin e shpirtin mesdhetar në disiplina të ndryshme, si kërcimi, kinematografia, letërsia e kulinaria.
Përgjatë 3 ditëve: 4, 5 dhe 6 nëntor, në Qendrën e Artit “Agimi” do të ofrohet një udhëtim nëpër historitë, emocionet dhe tensionet e kinemasë bashkëkohore spanjolle me filmat “En los márgenes”, me regji të Juan Diego Botto; “Cien años de perdón”, me regji të Daniel Calparsoro; “Ventajas de viajar en tren”, me regji të Aritz Moreno.
Në datat 3, 4 dhe 5 nëntor, në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit do të vihet në skenë baleti “La Sylphide”, një nga veprat më poetike të repertorit klasik.
Një shfaqje për të cilën publiku ka shfaqur mjaft interes është ajo e Teatrit Kombëtar “Si ta doni”, një nga kryeveprat e Shekspirit.
Shfaqja do të vihet në skenë në datat: 4, 5, 6, 7, 8, 9 nëntor, në ArTurbina.
Në Galerinë “Hermon Madhi”, në Liceun Artistik do të vijojë të qëndrojë e hapur ekspozita e Ilir Kasos, “A retrospective in six lessons”.
Për fëmijët do të vijë këtë fundjavë një aventurë magjike mes natyrës, fantazisë dhe miqësisë së vërtetë: “Libri i Xhunglës”, bazuar në veprën e njohur të Rudyard Kipling.
Shfaqja sjell një histori për guximin, miqësinë, zgjedhjen dhe fuqinë e dashurisë, e cila vjen në datat 7, 8 dhe 9 nëntor në Teatrin e Kukullave, në kryeqytet


                                    




