Ardiana Kalaja ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga Partia Demokratike.
Në një postim në rrjetet sociale, Adriana Kalaja shprehet se ka marrë vendimin për shkak se do të shpallë kandidaturën për pozicionin e Avokatit të Popullit.
“Mund t’ju them me bindje, që angazhimi dhe puna ime e vazhdueshme në gjithë aktivitetin profesional dhe atë shoqëror, deri më tani, janë orientuar gjithnjë drejt nevojës për respektimin dhe garantimin e shtetit ligjor të së drejtës, parimeve dhe të drejtave themelore kushtetuese, paqes e drejtësisë sociale, objektiva, të cilat më kanë shoqëruar në çdo veprimtari apo eksperiencë profesionale”, shkruan ajo.
Adriana Kalaja shprehet se ditën e enjte, ka depozituar pranë Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha dorëheqjen e parevokueshme si nga funksioni i Kryetares së Gjykatës, ashtu dhe nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike.
“Unë nuk e di si do shkojë procesi i mbështetjes apo i votimit për postin e Avokatit të Popullit”, deklaron ajo, teksa shtoi se: “Por di se kjo nuk do të thotë, se unë do heq dorë nga ato, që di të bëj më mirë: Të ndjek rrugën e të drejtës dhe të ligjit. Të jem në krah të çdo individi, që ka nevojë për mua. Të jem në opozitë me çdo padrejtësi.”.
Postimi i plotë:
Të nderuar miq.
Fillimisht, desha të shpreh mirënjohjen time të pafundme, për Ju që më mbështetët dhe vlerësuat pa kushte.
Edhe për Ju, që në raste të caktuara nuk ratë dakort me qëndrimet apo veprimet e mia, por ishit bashkëudhetarë në këtë rrugë tejet të vështirë.
Po kështu, do doja t’u “kërkoja ndjesë”, të gjithë atyre, që kur mora funksionet e rëndësishme në PD, nuk ndoqa traditën e të mosbërit asgjë, por punova me përkushtim e nuk mungova në asnjë protestë apo aksion politik, se për mua politika duhet të jetë moral.
Pas marrjes së këtyre funksioneve brenda Partisë Demokratike, më datë 3 qershor 2022, dhënë me votat e 2/3 të Këshillit Kombëtar, zgjedhur në këtë Këshill më datë 30.04.2022, kam punuar me korrektësi, përkushtim dhe seriozitet, së pari për të zbatuar këto funksione në mbrojtje të Statutit të PD-së, por edhe në interesin më të lartë të Partisë Demokratike, anëtarëve dhe votuesve të saj.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, përveç se jam angazhuar maksimalisht në mbrojtje të Statutit, si Kushtetuta e PD-së nga njëra anë, nga ana tjetër, kam dhënë kontributin tim pa kushte në mbrojtje të interesave të çdo demokrati, qytetari apo protestuesi dhe, rrjedhimisht, në ruajtje të demokracisë dhe pluralizmit në vend.
Ndaj sot, ndjehem e detyruar t’Ju bëj me dije, se kam vendosur të shpall kandidaturën time për pozicionin e Avokatit të Popullit dhe se mund t`Ju them me bindje, që angazhimi dhe puna ime e vazhdueshme në gjithë aktivitetin profesional dhe atë shoqëror, deri më tani, janë orientuar gjithnjë drejt nevojës për respektimin dhe garantimin e shtetit ligjor të së drejtës, parimeve dhe të drejtave themelore kushtetuese, paqes e drejtësisë sociale, objektiva, të cilat më kanë shoqëruar në çdo veprimtari apo eksperiencë profesionale.
Njëkohësisht me paraqitjen e kësaj kandidature, më lejoni t`ju bëj me dije, se qëllimi i aplikimit tim është ai për dhënien e kontributit tim profesional (ligjor, financiar) dhe qytetar, në përmbushjen sa më të mirë të rolit dhe pozitës, që Kushtetuta i ka dhënë Avokatit të Popullit jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshëm të individëve, pa dallim, nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike në vendin tonë, por edhe për ndërmarrjen e të gjitha përpjekjeve për bashkëpunim me organet shtetërore për të zhvilluar e përmirësuar kuadrin rregullator dhe masat organizative, në përputhje me vlerat e parimet, që mbron Kushtetuta dhe në mbrojtje të interesit më të lartë publik e qytetar.
Siç edhe Ju jeni në dijeni, gjatë gjithë periudhës time të aktivitetit shoqëror, edhe pa mandatin e Avokatit të Popullit, kam qenë në ballë të betejave, në mbrojtje të të drejtave të demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë, nga protestat e komisariatet e deri te proceset penale, të drejta këto të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Për këtë arsye, Ju bëj me dije se ditën e enjte, kam depozituar pranë Kryetarit të Partisë Demokratike, dorëheqjen e parevokueshme si nga funksioni i Kryetares së Gjykatës, ashtu dhe nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike.
Unë nuk e di si do shkojë procesi i mbështetjes apo i votimit për postin e Avokatit të Popullit, por di se kjo nuk do të thotë, se unë do heq dorë nga ato, që di të bëj më mirë:
- Të ndjek rrugën e të drejtës dhe të ligjit.
- Të jem në krah të çdo individi, që ka nevojë për mua.
- Të jem në opozitë me çdo padrejtësi.
Deri atëherë, Ju uroj çdo të mirë në familjet tuaja dhe Zoti Ju bekoftë.







