Shqipëria nuk e ka të përcaktuar qartë termin e varfërisë energjetike me një kuadër ligjor të posaçëm dhe as nuk e monitoron këtë tregues por gjithsesi vendi aplikon disa masa mbështetjeje buxhetore për shtesa në nevojë.
Raporti i fundit i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë që analizon vendet që janë pjesë e tij dhe politikat e tyre në funksion të zbutjes së varfërisë energjetike tregon se ndonëse vendi ynë nuk e ka aktualisht këtë ndarje të qartë ka një plan të detajuar ndërhyrjeje në vazhdim.
Kjo lidhet me rritjen e eficiencës së energjisë në ndërtesa, ku parashikohen që çdo vit të jepen grante për të përmirësuar performancën energjetike të ndërtesave që kanë edhe shpërdorimin më të madh të energjisë.
“Shqipëria po zhvillon një plan afatgjatë për rinovimin e ndërtesave, i cili do të mbështesë rikonstruksionet e ndërtesave rezidenciale, duke përfshirë edhe familjet në varfëri energjetike. NECP(Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën) e Shqipërisë ofron një përmbledhje të veprimeve të ndërmarra deri tani lidhur me rinovimin e ndërtesave, duke përfshirë kërkesat minimale për performancën energjetike të ndërtesave dhe objektivat që do të arrihen nga një plan afatgjatë për rinovimin e ndërtesave që do të përgatitet.
Objektivi parashikon që Bashkia e Tiranës të mbështesë 1000 rikonstruksione të ndërtesave rezidenciale të fokusuara në eficiencën energjetike deri në vitin 2035 (me mundësi zgjatjeje pas vitit 2035), duke rezultuar në kursime prej rreth 1 milion kWh energji në vit. Përveç kësaj, edhe bashkitë e tjera do të përfshihen në këtë program, prandaj priten kursime shtesë,” thuhet në raportin e Sekretariatit publikuar këto ditë.
Sipas raportit, Plani Kombëtar thekson nevojën urgjente për një plan rinovimi të ndërtesave. Disa nga dimensionet e këtij plani afatgjatë përfshijnë fillimin e rinovimeve progresive të stokut të ndërtesave rezidenciale dhe mbështetje financiare për përmirësimin e eficiencës energjetike në ndërtesat private.
“Për financimin e implementimit të masave për eficiencën energjetike dhe rinovimin e ndërtesave, theksohet rëndësia e bashkëpunimit ndërkufitar. Strategjia për rinovimin e ndërtesave u adaptua në shkurt 2025 dhe parashikon nevojën për të investuar 24 miliardë euro në rinovim deri në vitin 2050, ku 69% e investimeve kërkohen për sektorin rezidencial. Strategjia kërkon uljen e konsumit të energjisë përmes investimeve në izolim termik të mureve, çative, dyshemeve, zëvendësimin e dritareve dhe sistemeve të ngrohjes” thuhet në raport.
Termi i varfërisë energjetike
Raporti citon se “varfëria energjetike nuk është ende e përcaktuar qartë dhe nuk monitorohet në Shqipëri. Nuk ekzistojnë politika specifike që adresojnë varfërinë energjetike, vetëm skema kompensimi në formë përfitimesh monetare për familjet në nevojë. Këto skema janë të përgjithshme për mirëqenie, megjithatë ato ofrojnë kompensim edhe për shpenzimet e energjisë. NECP vendos objektiva për eficiencën energjetike që synojnë: uljen e konsumit të energjisë për njësi, kontribut në sigurimin e energjisë të përballueshme, dhe reduktimin e varfërisë energjetike”.
Sipas Sekretariatit, Shqipëria për të mbështetur arritjen e këtyre objektivave, do të zhvillojë një plan veprimi për uljen e varfërisë energjetike bazuar në përvojat e vendeve të BE-së. Ai do të përcaktojë: grante për rinovimin e ndërtesave me performancë më të dobët, zëvendësimin e pajisjeve të vjetra shtëpiake, dhe do të krijojë një sistem kombëtar për planifikimin, monitorimin dhe implementimin e masave për shuarjen e varfërisë energjetike.
Parashikohet që këto masa do të mbështesin 213 mijë familje, me një kosto për buxhetin e shtetit prej 1.76 miliardë lekësh (rreth 14.22 milionë euro) në vit. Ndërkohë, po zhvillohen ndryshime në legjislacionin primar dhe sekondar për transpozimin e Direktivës së rishikuar për Performancën Energjetike të Ndërtesave. Monitor


                                    




