Në listë përfshihen figura të njohura të jetës publike dhe politike, mes tyre ish-kandidatë për deputetë, aktivistë të shoqërisë civile dhe avokatë me përvojë të gjatë në fushën e drejtësisë. Janë bërë publike emrat e 23 kandidatëve që garojnë për postin e Avokatit të Popullit, një nga institucionet më të rëndësishme të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve.
Në listë përfshihen figura të njohura të jetës publike dhe politike, mes tyre ish-kandidatë për deputetë, aktivistë të shoqërisë civile dhe avokatë me përvojë të gjatë në fushën e drejtësisë.
Ndër emrat më të spikatur janë Adriana Kalaja, Endrit Shabani, kryetar i “Nisma Thurje”, si dhe avokati Saimir Vishaj.
Lista e plotë e kandidatëve për postin e Avokatit të Popullit:
1. Adriana Kalaja
2. Aranita Brahaj
3. Anton Kosteri
4. Anton Lleshaj
5. Besim Ndregjoni
6. Dardan Mustafaj
7. Endri Papajorgji
8. Endrit Shabani
9. Fatjona Male
10. Genta Tafa
11. Gerti Shella
12. Ismail Tafani
13. Jola Hysaj
14. Juliana Hoxha
15. Laureta Roshi
16. Lulzim Hamitaj
17. Myrteza Myftari
18. Saimir Vishaj
19. Shkëlqim Sulo
20. Suela Koçibellinj
21. Tartar Bazaj
22. Valentina Teodoresku
23. Skënder Haluci
PS ende pa një emër për Avokatin e Popullit, Balla: Të gjejmë konsensus me opozitën
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, deklaroi për mediat se fokusi i mazhorancës është gjetja e konsensusit me opozitën për këtë zgjedhje.
“Jo, PS nuk ka sot një emër për ta mbështetur. Jemi në fazën e vlerësimit të atyre që kanë shprehur interes dhe që mendojnë se mund të japin kontribut. Fokusi sot duhet të jetë te tre grupet parlamentare të opozitës,” u shpreh Balla.
Më tej ai shtoi se në ditët në vijim, kur të mblidhet komisioni përgjegjës për kandidaturat, duhet të institucionalizohet komunikimi mes opozitës dhe mazhorancës, në mënyrë që t’i jepet fund kësaj situate, pasi mandati i kreut aktual të institucionit ka përfunduar, ndërsa Kuvendi nuk ka arritur ende të zgjedhë pasuesin.
“Kjo legjislaturë do të jetë më e ngjeshura edhe për shkak të numrit të madh të ligjeve që vijnë si pasojë e përafrimit të legjislacionit të Republikës së Shqipërisë me Acqui Communitaire të BE.
Po kaloj një për një në disa prej çështjeve, një prej të cilave ju me të drejtë ngrini, është zgjedhja e Avokatit të ri të Popullit të Republikës së Shqipërisë. Prej tre vitesh nga mbarimi i mandatit të avokatit aktual, nuk është zgjedhur pasardhësi.
Kjo ishte edhe tema e diskutimeve në seancën e fundit të Kuvendit, përgjatë procesit të raportimit nga Avokati i Popullit. Ligji thotë që 30 ditë nga përfundimi i mandatit duhet të jetë zgjedhur edhe avokati tjetër, por kjo nuk është bërë.
Kuvendi i Shqipërisë, legjislatura aktuale, sapo ka filluar punën. Menjëherë komisioni përgjegjës ka bërë shpalljen. I kujtoj të gjithë qytetarëve shqiptarë që plotësojnë kriteret për të qenë Avokat i Popullit, të mos jenë të dënuar, të kenë eksperiencë në çështjet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të mos jetë deputetë në legjislaturën aktuale dhe të plotësojnë edhe kriteret e tjera.
Deri sot në orën 12 të natës kanë të drejtën të depozitojnë shprehjen e interesit, ndërsa prej nesër edhe ato aplikime apo kërkesa që vijnë me postë do të merren parasysh sipas rregullave përkatëse. Prej nesër Kuvendi i Shqipërisë do të publikojë listën e personave që kanë shprehur interesin. Kjo listë i shkon komisionit përgjegjës, i cili në fillim bën vlerësimin e përputhshmërisë me kriteret, pra kush i plotëson dhe kush jo.
Në atë moment, propozimi im në emër të grupit parlamentar të shumicës është që ajo që nuk ka ndodhur këto 3 vite të ndodhë tani: qoftë në komision, qoftë në Konferencën e Kryetarëve apo në një tryezë tjetër, si ta mendojë opozita, të ulemi dhe të zgjedhim Avokatin e ri të Popullit. Kandidatura për Avokat të Popullit duhet të përmbushë kriteret që përmenda dhe t’i japë këtij institucioni kredibilitetin institucional që i takon.
Në ndryshim nga legjislatura e kaluar, këtë radhë i keni votat për të zgjedhur Avokatin e Popullit. A ka Partia Socialiste një emër që e mbështet?
Balla: Jo. Partia Socialiste nuk ka ende një emër për t’u mbështetur, pasi jemi ende në fazën e shprehjes së interesit nga të gjithë ata që mendojnë se mund të japin kontributin e tyre për të qenë Avokat i Popullit. Fokusi i mesazhit tim sot duhet të jetë për tre grupet parlamentare të opozitës që janë në Kuvendin e Shqipërisë. Pra, prej nesër ose pasnesër, kur të mblidhet komisioni përgjegjës për vlerësimin e kandidaturave, propozimi im është institucionalizimi i një komunikimi opozitë-mazhorancë, në funksion të dhënies fund të kësaj situate të papranueshme ku institucionit kushtetues i Avokatit të Popullit e ka mbaruar mandatin dhe Kuvendi nuk e ka zgjedhur ende pasuesin“, tha ndër të tjera Balla.


                                    




