nga Agron Haxhimali
Bashkia Tiranë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
1-Gjykata Kushtetuese foli: tani është radha e institucioneve të tregojnë pjekuri.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar si të pavlefshëm si vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, ashtu edhe dekretin e Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, përbën një moment të rëndësishëm për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.Gjykata theksoi një parim themelor kushtetues: asnjë institucion nuk mund të veprojë jashtë kornizës ligjore dhe pa respektuar procedurat e përcaktuara. Ky vendim riktheu besimin se Kushtetuta dhe ligji janë instanca përfundimtare mbi vullnetin politik.
2-Konteksti institucional dhe gabimet e palëve.
Rasti i Bashkisë Tiranë vuri në pah mungesën e pjekurisë ligjore dhe institucionale në nivelet më të larta të vendimmarrjes.Qeveria, me nxitim politik, kërkoi nga Presidenti dekretimin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë pa pritur afatet ligjore për ankimin e vendimit të shkarkimit, duke provokuar një reagim politik dhe institucional.
Presidenti, nga ana e tij, duhej të kishte treguar maturi kushtetuese, duke refuzuar të dekretonte zgjedhje për Tiranën deri në qartësimin ligjor të vakancës.Gjykata Kushtetuese vendosi qartë: në Bashkinë Tiranë nuk ka vakancë ligjore, pra nuk mund të ketë zgjedhje të parakohshme.Ky vendim ndalon një precedent të rrezikshëm ku ekzekutivi dhe presidenca mund të ndërhyjnë në mënyrë arbitrare në qeverisjen vendore.
3-Situata aktuale e Bashkisë Tiranë.Pas këtij vendimi, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, mbetet formalisht në detyrë, deri në një vendim të formës së prerë nga gjykatat penale që mund të ndikojë mbi mandatin e tij.I ndodhur në paraburgim apo në një formë të kufizuar të lirisë personale, funksionet ekzekutive përkohësisht ushtrohen nga nënkryetari i bashkisë, i caktuar prej tij,siç përcakton ligji për vetëqeverisjen vendore. Kjo siguron vazhdimësinë administrative, por krijon një vakum politik që kërkon qartësi nga legjislacioni dhe një reagim institucional të matur.
Në këtë kontekst, duhet theksuar një mendim thelbësor: për Bashkinë Tiranë, por edhe për çdo bashki tjetër në rrethana të ngjashme. Institucioni që duhet të marrë në dorë fatet e bashkisë është Këshilli Bashkiak. Ky organ përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe ka legjitimitetin institucional për të garantuar funksionimin demokratik të bashkisë në periudha pasigurie politike ose ligjore.
Për më tepër, qytetarët duhen shërbyer pavarësisht rrethanave, dhe një rol më konsensual e përbashkues i Këshillit Bashkiak, me peshën e 61 këshilltarëve që përfaqësojnë një spektrum të gjerë politik, do të ndikonte pozitivisht në mbarëvajtjen e shërbimeve publike dhe në stabilitetin e administratës ekzekutive. Ky model do të ishte një shembull i shëndetshëm i bashkëqeverisjes vendore në periudha krizash.
Por, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, çështjet juridike që rëndojnë mbi z. Veliaj nuk e bëjnë atë aspak fitues.Ky është një moment që kërkon maturi dhe përgjegjësi institucionale nga të gjitha palët për të ruajtur besimin e qytetarëve në institucionet vendore.
4-Mesazhet për sistemin institucional.
Ky rast nxjerr në pah disa mësime thelbësore mbi përkushtimin ndaj procedurës ligjore.Procedurat dhe afatet ligjore nuk janë pengesë, por garanci për drejtësi dhe stabilitet institucional.Gjithashtu nevojen për kulturë Kushtetuese. Institucionet duhet të zhvillojnë një etikë të pavarësisë dhe maturisë, duke shmangur reagimet e nxituara për përfitim politik.Balanca midis institucioneve Qeveria, Presidenti dhe gjykatat duhet të veprojnë në harmoni kushtetuese, duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe autonominë vendore.
Ky rast duhet të kuptohet nga publiku si fitore e ligjit mbi politikën, jo si mbrojtje e një individi apo force politike.
5-Drejt pjekurisë institucionale dhe përmiresimeve ligjore.
Ngjarja e Bashkisë Tiranë duhet të shërbejë si moment reflektimi për sistemin politik dhe institucional shqiptar. Në vend të përplasjeve, ky rast duhet të nxisë ndêr të tjera rishikim të procedurave ligjore për vakancat dhe zëvendësimet në nivel vendor,forcim të rolit të institucioneve të pavarura, dhe kultivim të një kulture të re politike që e sheh shtetin e së drejtës si garanci, jo si pengesë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Bashkinë Tiranë nuk duhet parë thjesht një çështje e momentit, por një sinjal për forcimin e rendit kushtetues. Ai tregon se shteti ligjor është ende funksional, edhe pse shpesh sfidohet nga veprime të nxituara apo politike. Tani është koha që klasa politike, institucionet dhe publiku të kuptojnë se stabiliteti demokratik fillon nga respektimi i ligjit dhe maturia institucionale.







