Në New York, qytetarët votojnë sot për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë, në një garë që ka tërhequr vëmendjen kombëtare. Në këtë garë marrin pjesë demokrati 34-vjeçar Zohran Mamdani, ish-guvernatori Andrew Cuomo si kandidat i pavarur dhe republikani Curtis Sliwa.
Sipas sondazheve të fundit, Mamdani kryeson me rreth 12 pikë ndaj Cuomo-s, ndërsa shanset e Sliwës për fitore janë minimale. Procesi zgjedhor, që nisi në qershor, pritet të përfundojë sonte në orën 9:00 të mbrëmjes me orën lokale. Në qytetin me mbi 5 milionë votues të regjistruar, pjesëmarrja është e lartë dhe interesimi i madh.
Gjatë periudhës së votimit të hershëm, më shumë se 735 mijë persona hodhën votën e tyre, duke vendosur një rekord historik. Mamdani, i njohur për qëndrimet e tij pro Palestinës dhe kritikat ndaj Izraelit, mbetet favorit për t’u bërë kryebashkiaku i parë musliman i New Yorkut.
Ai ka premtuar zbatimin e vendimeve ndërkombëtare për drejtësi, përfshirë edhe arrestimin e kryeministrit izraelit Netanyahu nëse viziton qytetin. Kandidati demokrat është përballur shpesh me kritika nga presidenti Donald Trump, i cili e akuzon për qëndrime radikale. Megjithatë, mbështetësit e Mamdanit e shohin atë si përfaqësuesin e brezit të ri në politikën amerikane.
Në fjalën e tij të fundit para votimeve, Mamdani u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për ndryshim dhe drejtësi shoqërore. Ekspertët politikë thonë se fitorja e tij do të shënojë një kthesë të rëndësishme për politikën progresiste në SHBA







