Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur admirim të thellë për Njësinë e Operacioneve Speciale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke e cilësuar atë si simbolin e gatishmërisë dhe profesionalizmit të lartë të ushtrisë kosovare.
Në një postim emocional në rrjetin social Facebook, Osmani ka nënvizuar se njësia elitare e FSK-së është e përgatitur plotësisht sipas standardeve dhe doktrinës së ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“E stërvitur dhe e përgatitur sipas doktrinës së ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, për ta mbrojtur atdheun në çdo moment dhe në çdo pëllëmbë të vendit, kjo është Njësia e Operacioneve Speciale e FSK-së: krenaria, nderi dhe zemra e pathyeshme e Kosovës. Ata nuk mbajnë vetëm uniformën e shtetit, por edhe amanetin e lirisë sonë!”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Njësia e Operacioneve Speciale, e njohur për misione të rrezikut të lartë, ka marrë vlerësime ndërkombëtare për performancën në ushtrime si “Defender Europe” dhe bashkëpunime të ngushta me forcat speciale amerikane.Presidentja Osmani ka theksuar se FSK-ja nuk është vetëm forcë mbrojtëse, por edhe trashëgimtare e sakrificës së luftës për liri.
“Ata janë bijtë dhe bijat e Kosovës që kanë zgjedhur të mbrojnë çdo centimetër të tokës sonë me profesionalizëm, guxim dhe përkushtim të pakufi,” ka shtuar ajo në komentin shoqërues të postimit.








