Sot shënohen pesë vjet nga arrestimi i katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në këtë përvjetor, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë reaguar ashpër, duke e cilësuar procesin ndaj tyre si një padrejtësi të madhe.
“Pesë vite padrejtësi, pesë vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan. Ne nuk harrojmë dhe nuk dorëzohemi përballë kësaj padrejtësie historike,” thuhet në deklaratën e OVL-UÇK-së.
Më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i Presidentit të Kosovës, pasi Dhomat e Specializuara në Hagë konfirmuan aktakuzën ndaj tij dhe tre bashkëluftëtarëve të tjerë.
Po atë ditë, Kadri Veseli, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, njoftoi se do të udhëtonte drejt Hagës për t’u përballur me drejtësinë.
Një ditë më herët, më 4 nëntor, Jakup Krasniqi ishte nisur drejt Qendrës së Paraburgimit në Hagë, ndërsa Rexhep Selimi kishte marrë gjithashtu konfirmimin e aktakuzës dhe ishte nisur për në Holandë.
OVL-UÇK ka mbajtur protesta në disa qytete shqiptare dhe evropiane në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.







