PROF.DR.ELMAS LECI
Kur i arrestuan bashkëshortët Liri Gega, anëtare e Byrosë Politike dhe Dali Ndreun gjeneral, Mehmet Shehu atëherë sapo i bërë Kryeministër, i propozoi me shkrim Enver Hoxhës “jo vetëm pushkatim për Dali Ndreun por pasi të pushkatohej, kufoma t’i digjej dhe hiri i tij të shpërndahej, në mënyrë që askush të mos e dinte se ku ishte varrosur”. Pas një hetuesie torturuese të gjatë, regjimi despotik i Enver Hoxhës më 26 nëntor 1956 i ekzekutoi këto dy figura të shquara të Luftës Antifashiste, madje dy nga ishbashkëpunëtorët e tij më të afërt, Liri Gega anëtare e Byrosë Politike dhe Dali Ndreun, gjeneralin e famshëm të luftës, ish-Zv.Komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të Luftës partizane me akuzën e përbashkët për të dy figurat e larta e njëkohësisht bashkëshortë për “tradhti e lartë ndaj atdheut”. Se çfarë ishte ajo akuzë, as atëherë, as sot pas 70 vjetëve nuk ekziston e nuk ka. Si e vranë nënën shtatzënë, Liri Gegën me foshnjën e gjallë në bark. Por ajo që i tejkaloi 100- fish veprat despotike të një regjimi terrorist, ishte vrasja mbi vrasje, vrasja e fëmijës disamuajshe në barkun e nënës, Liri Gega. Despoti që vrau nënën me foshnje në bark, Liri Gegën shtatzënë, anëtaren e Byrosë Politike dhe njëkohësisht edhe babain e fëmijës së palindur, Dali Ndreun gjeneral, ku me 2 plumba, katili vrau 3 veta.
Ngjarje e rëndë që megjithëse u ndërmor në fshehtësi të llahtarshme, bëri bujë të madhe brenda e jashtë vendit, me gjithë masat e regjimit për ta mbajtur sa më të fshehtë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në gjithë ish-kampin komunistosocialist. Kundër atij vendimi të regjimit shqiptar e ngritën zërin shumë personalitete të kohës përfshi edhe vetë Nikita Hrushovin, në atë kohë ish-udhëheqës prima i Bashkimit Sovjetik.
DOKUMENTET ARKIVORE
Në gazetën “Panorama” po publikojmë disa dokumente arkivore të panjohura dhe të pabotuara më parë, të cilat janë marrë nga arkivat e Bullgarisë, ku është transkriptuar (zbardhur) fjala e Nikita Hrushovit në një darkë zyrtare në Yevksinograd të Bullgarisë, më 16 maj të vitit 1962. Në atë takim Nikita Hrushovi pasi bën ritualin e kohës së tij duke demaskuar me fakte qeverisjen e Josif Stalinit si “një diktator mizor, që e mbolli vendin me varre”, më tej në atë takim, ish-udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik ka folur sipas, dokumentit arkivor, edhe për udhëheqjen e lartë të Partisë së Punës së Shqipërisë me në krye Enver Hoxhën, të cilin ai e ka cilësuar jo vetëm si mosmirënjohës për të gjitha ndihmat që Moska i kishte dhënë Tiranës zyrtare, por edhe si “një njeri mizor dhe kasap, që po vepronte shumë më keq se Stalini, pasi kishte arritur që të eliminonte fizikisht të gjithë themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare, madje duke pushkatuar edhe një anëtare të Byrosë Politike që ishte shtatzënë… Ata (Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu) e dënuan atë (Liri Gegen) me vdekje. Ne i shkruam një letër duke e pyetur se përse e gjykoni? Pse do ta ekzekutoni atë grua shtatzënë?! As satrapët caristë nuk kanë ekzekutuar gratë shtatzëna. Ata (Enver Hoxha e Mehmet Shehu) e morën telegramin tonë kundra por e ekzekutuan (Liri Gegën), po të njëjtën gjë siç bënte Stalini. Pastaj ata thanë që rusët po ndërhyjnë në punët tona. Po, ne ndërhymë! Dhe tani themi se kjo (pushkatimi i Liri Gegës shtatzënë) ishte një mizori e padëgjuar, që një grua shtatzënë mund të ekzekutohej. Ne u thamë atyre (Enver Hoxhës e Mehmet Shehut): Mund ta kishit lënë një grua shtatzënë në burg dhe ta mbanit atje, por jo ta ekzekutonit”! Liri Gegën dhe Dali Ndreun, regjimi dhe posaçërisht Enver Hoxha dha urdhër jo vetëm për pushkatimin e tyre por vendimi i ekzekutimit duhej të kalonte pa zhurmë e bujë sepse kishin frike edhe nga hija e tyre. Ishte pragçlirimi i vitit 1956, kur 2 plumba shkrehur në Kodrat humbëtira të Linzës, natën pus, u morën jetën tra vetëve, Liri Gegës, ish-anëtare e Byrosë Politike të KQ të PPSHsë dhe Sekretare e Komitetit Qendror, Dali Ndreut, ishgjeneral major dhe foshnjës së tyre disamuajshe e gjallë në barkun e nënës Liri Gega. Ç’makabritet?! Askush dhe deri më sot, edhe nga texhalët e regjimit që i pushkatuan në atë natë të zezë, nuk kanë treguar ende se ku prehen eshtrat e tyre të pafajshme. Kjo ishte fytyra e regjimit satanik të Enver Hoxhës.
VEPRIMTARIA ATDHETARE E LIRI GEGËS
Ishte njëra nga gratë më të shquara të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe e para grua në postin anëtare e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Kishte lindur në Shkodër në vitin 1917, me origjinë të hershme nga Libohova e Gjirokastrës dhe kishte studiuar jashtë shtetit në Itali pa e mbaruar arsimin e lartë. Që para Luftës ishte përfshirë në lëvizjen Antifashiste dhe ishte bërë një nga organizatoret e para të grave komuniste shqiptare. Kthehet në Shqipëri në prag të pushtimit fashist dhe bashkohet me rrethin e rinisë progresiste në Tiranë. Në vitet 1939-1941 janë fillimet e veprimtarisë antifashiste. Merr pjesë në demonstrata antifashiste në Tiranë dhe Shkodër. Punon në arsim, duke përhapur propagandë kundër pushtimit. Lidhjet i mban me Nako Spiron dhe Qemal Stafën, figura kyçe në lëvizjen komuniste të kohës. Është gruaja e vetme ndër pjesëmarrësit në themelimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Nënshkruese e dokumenteve themeluese dhe përfshihet në Komitetin Qendror të parë. Në vitet 1942-1944 përfshihet direkt në luftën antifashiste. Dërgohet në zona partizane si emisare politike dhe vepron në Dibër, Tiranë e Korçë. Në vitin 1943 caktohet përfaqësuese e Partisë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Merr pjesë në Konferencën e Labinotit dhe në Kongresin e Përmetit (maj 1944) si delegate dhe anëtare e Këshillit Antifashist. Pas përfundimit të luftës, konsiderohej si një nga “heroinat e lëvizjes komuniste”. Në vitet 1945-1947 zgjidhet anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSH. Përfaqëson Shqipërinë në Konferencën e Grave Antifashiste në Paris dhe në forume ndërkombëtare. Martohet me Dali Ndreun, komandant divizioni, një nga gjeneralët më të njohur të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe çifti konsiderohej si simbol i çiftit revolucionar.
VEPRIMTARIA ATDHETARE E DALI NDREUT
Vinte në radhët e lëvizjes dhe të Luftës Antifashiste nga një familje me tradita të lashta atdhetare, cilësi që i gëzoi e manifestoi edhe vetë gjenerali Dali Ndreu. Ishte një nga figurat ushtarake më të njohura të Luftës Nacionalçlirimtare dhe të viteve të para të regjimit komunist në Shqipëri. Ai ishte oficer karriere, komandant partizan dhe bashkëshort i Liri Gegës, një prej grave më të rëndësishme të luftës dhe të Partisë Komuniste. Dali Ndreu kishte lindur në Sllovë të Dibrës në vitin 1912. U rreshtua që herët në radhët e partizanëve. Madje, ishte i pari që në prill të vitit 1942 me tu kthyer nga studimet ku ishte në Itali, krijoi çetën e tij të Luftës Antifashiste. Me aktin e kthimit në atdhe dhe të krijimit të çetës antifashiste, ai tregoi se ishte një luftëtar i vendosur i çështjes së lirisë të Shqipërisë dhe se po niste rrugën e vështirë, por të denjë të ngjitjes drejt panteonit, gjë që e afirmonte lufta kundër pushtuesit të huaj fashist. Falë dijeve profesionale e ushtarake të spikatura, trimërisë e drejtësisë, ai gëzonte një influencë të rrallë në popull dhe për të nisi një karrierë të shpejtë e të begatë dhe brilante. Për rrjedhojë, në mbledhjen e tij të fillimit të korrikut 1943, me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm, ai e zgjedh Dali Ndreun anëtar dhe zëvendëskomandant të këtij organizmi të lartë, të rëndësishëm dhe të mirëfilltë ushtarak sepse ai ishte edhe një komandues i shquar dhe plot reputacion. Komandoi Brigadën e 3-të sulmuese, Divizionin I dhe që nga 18 gushti i vitit 1944 Korparmatën I. Në rrugën e vështirë të luftës, Daliu vërtetoi se zotëronte në shkallën më të lartë artin e të luftuarit, aftësitë e rralla drejtuese dhe komanduese dhe të gjitha këto mund t’i mësosh dhe t’i kuptosh po të shfletosh urdhrat apo qarkoret e hartuara prej tij. Po kaq qartë janë hartuar dhe përshkruar edhe detyrat luftarake dërguar formacioneve që ai drejtonte, si dhe analizat e veprimeve luftarake të kryera. Misionarët ushtarakë anglezë pranë formacioneve luftarake të UNÇL, që ia njihnin vlerat dhe aftësitë drejtues në fushën e luftës, kanë bërë vlerësime të posaçme dhe me nota realiste mbi personalitetin e tij në drejtimin e njësive të mëdha të Ushtrisë Shqiptare dhe të veprimeve luftarake të tyre. Me këto u duk sikur jeta do të sillte një të ardhme po aq të suksesshme por pas vitit 1948 nisi kapitulli i zbehjes së punës së tij e akoma më keq i goditjes dhe i asgjësimit të figurës së mirënjohur të Dali Ndreut dhe të bashkëshortes së tij, Liri Gega. Këto janë pak a shumë detyrat dhe funksionet e të dy bashkëshorteve Liri Gega dhe Dali Ndreu deri në vitin 1948, vit kur shkarkohen nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore dhe vihen nën survejimin e plotë të Sigurimit të Enver Hoxhës dhe mashës së tij, satrapit Mehmet Shehu. Viti 1948, ishe viti ku nis kalvari i persekutimit të tyre.
SHPIFJET NDAJ DY BASHKËSHORTËVE
Enver Hoxha, me goditjen që Stalini i bën Titos, merr revanshin dhe në vend që të jepte vetë llogari për shitjen e interesave kombëtare te Tito, (vetëm marrëveshje antikombëtare me Jugosllavinë, Enveri nënshkroi 33 të tilla), kthehet në një akuzues i paskrupullt “si titist” ndaj shokëve e bashkëpunëtorëve dhe në rastin konkret edhe ndaj Liri Gegës e Dali Ndreut. A mund të presupozohej që ata të dy të ishin në shërbim të jugosllavëve? Dali Ndreu, biri një familjeje të madhe atdhetare, i Ndreve, barrikadë shekullore ndaj serbëve?! Kurrën e kurrës! Asnjë dokument, akuzë ligjore e dokumentare të tillë nuk ka. Proçkat e Enver Hoxhës që ishin sulm kundër “shokëve” e konsolidim i pozitave të tij. Po a ka tradhtar më të madh se Enver Hoxha me jugosllavët, që i shkruan Titos (është dokumenti) se, “na thuaj kur do të bashkohemi”, dmth Shqipëria me Jugosllavinë?! Pas prishjes së marrëdhënieve Shqipëri– Jugosllavi (verë 1948), shumë figura të larta që kishin pasur lidhje bashkëpunimi me jugosllavët gjatë luftës, ranë në dyshim. Midis tyre ishte edhe Dali Ndreu, sepse gjatë luftës, ai kishte qenë në kontakt me shtabin jugosllav të Brigadës së Kosovës dhe të Maqedonisë. Për këtë arsye, u lirua nga detyrat ushtarake me motivacionin “ristrukturim të Ushtrisë”. Pas largimit nga ushtria aktive, u emërua në një detyrë civile, nën varësinë e Këshillit të Ministrave, sipas disa burimeve si “inspektor ose këshilltar për çështje ekonomike dhe transporti”. Në këtë periudhë ishte nën mbikëqyrjen e plotë politike, pra i kufizuar në veprimtarinë publike, por jo i arrestuar. Vitet 1950–1953 ishte periudha e izolimit politik për Dali Ndreun. Bashkë me bashkëshorten, Liri Gegën (që edhe ajo ishte shkarkuar nga detyrat në Parti), jetuan për disa vite në Tiranë, në kushte të vëzhgimit të thellë nga Sigurimi i Shtetit. Disa dëshmi ish-ushtarakësh përmendin se Dali Ndreu u mbajt formalisht në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes, por pa funksion konkret. Kishte kërkesa për t’u rikthyer në shërbim aktiv, por nuk u pranuan. Në vitet 1953-1955, të dy, Dali Ndreun e Liri Gegën i përjashtojnë nga Partia dhe nga të gjitha funksionet shtetërore e partiake dhe i dërgojnë në internim në Lezhë dhe më pas në Shkodër. Jetojnë në kushte të vështira e të izoluar politikisht. Ndaj tyre fillon një hetim i fshehtë për “veprimtari armiqësore” dhe në vitin 1956 bëhet arrestimi dhe gjyqi fals i tyre. Hetimet i zhvilloi Sigurimi nën drejtimin e vetë Kadri Hazbiut dhe të Mehmet Shehut, që i raportonin në çdo moment Enver Hoxhës. Akuzat përfshinin: “Lidhje me agjenturën jugosllave”, “Përpjekje për sabotim të udhëheqjes së Partisë”, “Pjesëmarrje në komplot ushtarak” dhe së bashku me gruan e tij, Liri Gegën dhe “Përgatitje për arratisje”. Gjyqi formal kundër tyre u zhvillua gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1956 dhe në mënyrë tepër sekrete. Të dy u dënuan me vdekje, me pushkatim. Të dy u pushkatuan në prag çlirimin e vendit, për të cilin sakrifikuan shumë dy heronjtë tanë, Liri Gega e Dali Ndreu. Ekzekutimi u krye më 26 nëntor të vitit 1956 në zonën e Linzës (sipas burimeve të Arkivit të Ministrisë së Brendshme). Disa dëshmitarë pohojnë se Liri Gega ishte disamuajshe shtatzënë, fakt që nuk u mor parasysh. Vendi i varrosjes nuk u bë kurrë publik. Trupat u zhdukën në mënyrë sekrete. Pas viteve ’92, me hapjen e arkivave, çështja e tyre u rishqyrtua.
REHABILITIMI
Kuvendi i Shqipërisë e rehabilitoi moralisht dhe politikisht Liri Gegën dhe Dali Ndreun. U njohën si viktima të terrorit politik dhe si dy figura me kontribut të madh në Luftën Antifashiste. Sot, shumë studiues i konsiderojnë si simbol të tragjedisë së revolucionarëve të gllabëruar nga regjimi, që ndihmuan e sakrifikuan të ndërtonin një Shqipëri më të mirë. Ndonëse vetëm pas rënies së komunizmit, emri i tyre u rehabilitua politikisht dhe moralisht dhe ata, Liri Gega e Dali Ndreu, u njohën se ishin viktima të terrorit të regjimit të egër të Enver Hoxhës dhe se procesi gjyqësor ndaj tyre ishte i sajuar për motive politike. Eshtrat e tyre, vendi i eshtrave të tyre, ende nuk është gjendur. Çudirat e kohës tonë!
Autori, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes







