Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, ka folur për herë të parë gjerësisht për punën e Prokurorisë së Posaçme në një intervistë ekskluzive në emisionin “Trialog” në RTSH, në moderimin e Alba Alishani, duke përcjellë një mesazh të qartë kundër pandëshkueshmërisë.
Duke bërë bilancin e tre viteve në drejtimin e institucionit, Dumani theksoi se vlerësimi për atë nëse mandati i tij është historik apo jo u takon qytetarëve dhe palëve të treta, jo atij vetë.
Barazia para ligjit, nuk ka drejtësi selektive
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse SPAK po trondit politikën dhe krimin, Dumani theksoi parimin themelor të punës së prokurorisë:
“SPAK që nga krijimi i tij 6 vite më parë, ka treguar se ka dhënë shenja se nuk ka të paprekshëm. Të gjithë janë të barabartë para ligjit, pavarësisht funksionit që ata kanë, politik, publik apo fuqisë financiare që mbartin.”
Ai hodhi poshtë akuzat për selektivitet, duke besuar se këto vite kanë vërtetuar që SPAK është i aftë të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti. Për të provuar suksesin, Dumani u shpreh se duhet pritur edhe vulosja e vendimeve në gjykata:
“Tani vendime të para të formës së prerë kanë ardhur. Kemi zyrtarë shumë të lartë, të lartë që janë dënuar me vendime të formës së prerë të gjykatave.”
Fokusimi tek prova, jo te emri
Kreu i SPAK nënvizoi se puna e tyre nuk kufizohet vetëm në luftën kundër korrupsionit, por përfshin edhe krimin e organizuar dhe terrorizmin, fusha ku ka pasur bashkëpunim të suksesshëm me agjensitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit në Evropë, SHBA dhe Rajon.
Sa i përket prioriteteve në hetime, Dumani ishte kategorik: “Ne nuk i ndajmë hetimet sipas përkatësisë politike dhe funksioneve publike, por për ne është e rëndësishme prova. Për prokurorët e SPAK është e rëndësishme prova dhe jo emri.”
Ai shtoi se periudha 3-vjeçare në drejtimin e tij ka koinciduar me rritje të numrit të hetimeve për organizata dhe grupe kriminale, duke u përpjekur gjithmonë për hetime shteruese dhe respektim të të drejtave të të pandehurit.
Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, ka deklaruar në emisionin “Trialog” se SPAK nuk ndjek axhenda politike në ndjekjen penale apo hetimin e zyrtarëve të lartë.
I pyetur nga moderatorja Alba Alishani, se ka një akuzë që vjen në drejtimin tuaj që jeni një lloj peshoreje kompensuese politike të të dyjave kampeve, dhe njërën prej tyre e keni dëmtuar elektoralisht, kjo edhe për shkak të masave që keni zbatuar kryesisht me lidershipin e opozitës gjë që duket se zhbën diferencën kryesisht me zyrtarët e hetuar nga kampi tjetër ku shumica kanë qenë ish-funksionarë të së shkuarës ose nuk i keni dëmtuar në momente decizive elektorale, e pranoni deri diku këtë akuzë? E keni bërë me Berishën në fushatë, e keni bërë me burgosjen e Metës në kohë zgjedhjesh, e keni bërë me Fredi Belerin tre ditë para zgjedhjeve…., Dumani u përgjigj se SPAK nuk mat temperaturat e politikës për të ngritur akuzat.
“Ne nuk kemi axhendë politike dhe si institucion para se të ngrejmë një akuzë apo para se t’i drejtohemi gjykatës me kërkesë për caktim mase, nuk matim temeperaturat politike.
Çdo prokuror i posaçëm fokusohet te provat dhe nëse provat janë mjaftueshme dhe nëse përcaktohen edhe kriteret apo kushtet për të caktuar një masë sigurimi ne i drejtohemi gjykatës dhe ju prezantoni rastet të cilët janë hetuar me masë sigurimi por ka raste të tjera që hetohen në gjendje të lirë pavarësisht përkatësive politike”, tha Dumani.
Ai vuri në dukje se SPAK nuk sheh “me përkatësi politike. Ka plot raste të tjera që hetohen në gjendje të lirë dhe tjetra; nuk është i vërtetë konstatimi juaj që ne ushtrojmë ndjekjen penale që janë zhveshur nga pushteti edhe nga ato që përmendët ju që prokuroria e Posaçme ka ushtruar ndjekjen penale duke marrë të pandehur apo duke kërkuar masë sigurimi për persona që kanë qenë në krye të detyrës”.
Po flasim për përfaqësues të opozitës në këtë rast!?
Altin Dumani: Jo në krye të detyrës si përfaqësues të mazhorancës!
Si rast përjashtimor ju do të përmendi z. Veliaj…
Altin Dumani: Jo vetëm, edhe z. Beqja, ishte drejtor i SASPAK kur u ushtrua ndjekja penale ndaj tij.
Megjithëse nuk ishte dosja e sterilizimit që e çoi në qeli!?
Altin Dumani: Ishte një hetim tjetër, por i SPAK-ut
Vendimi i Kushtetueses për Veliajn-Kreu i SPAK në “Trialog”: Nuk ka lidhje dhe as ndikim në hetimet tona
Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani u shpreh në emisionin “Trialog” të moderatores Alba Alishani në RTSH1 se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Veliajn nuk ka lidhje dhe nuk ndikon aspak hetimet e SPAK-ut.
I pyetur nga moderatorja Alba Alishani nëse vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese për rastin e Erion Veliajt mund të jetë një indikator i drejtpërdrejtë për të ndryshuar masën e sigurisë ndaj tij, Dumani tha se ky vendim nuk ka asnjë lidhje me çështjen që SPAK po ndjek penalisht.
“Gjykata Kushtetuese ka pasur objekt tjetër për shqyrtim vendimin për shkarkimin dhe dekretin e presidentit. Nuk ka asnjë lidhje me çështjen që po ndjekim penalisht dhe nuk ka asnjë ndikim në hetimet tona apo edhe në masën e sigurisë që rëndon ndaj z. Veliaj. Nuk dua të futem në detaje është gjykata ajo që vendos që nëse vazhdojnë të ekzistojnë kriteret e caktimit të masës së sigurisë, kritere që përcaktohen nga Kodt i Procedurës Penale”, deklaroi Dumani.
Më herët ai theksoi se SPAK nuk ndjek axhenda politike në ndjekjen penale apo hetimin e zyrtarëve të lartë.
“Ne nuk kemi axhendë politike dhe si institucion para se të ngremë një akuzë apo para se t’i drejtohemi gjykatës me kërkesë për caktim mase, nuk matim temperaturat politike. Çdo prokuror i posaçëm fokusohet te provat dhe nëse provat janë mjaftueshme dhe nëse përcaktohen edhe kriteret apo kushtet për të caktuar një masë sigurimi ne i drejtohemi gjykatës dhe ju prezantoni rastet të cilët janë hetuar me masë sigurimi por ka raste të tjera që hetohen në gjendje të lirë pavarësisht përkatësive politike”, tha Dumani.
Hetimi i Zëvendëskryeministres Balluku, kreu i SPAK hedh poshtë pretendimet për kërcënime ndaj prokurorit të çështjes: Ka mbështetjen time të plotë
Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Trialog” në RTSH, në moderimin e Alba Alishanit, ka folur për herë të parë drejtpërdrejt për hetimin ndaj Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe ka folur për menaxhimin e informacionit në dosjet e ndjeshme.
Transparenca dhe hetimi i Ballukut
Lidhur me informimin e publikut për hetimin ndaj Ballukut, Dumani theksoi kujdesin e SPAK për të ruajtur integritetin e hetimit dhe respektimin e të drejtave të subjektit: “Njoftimi u bë ditën që iu komunikua akuza.”
Kreu i SPAK pranoi vështirësinë për të gjetur balancën mes transparencës dhe ruajtjes së sekretit hetimor. Ai sqaroi se njoftimet bëhen në fazën e ngritjes së akuzës ose kur çështja shkon për gjykim, dhe komunikimi bëhet vetëm përmes faqes zyrtare.
Lidhur me rrjedhjet e shpeshta të informacionit në media, Dumani shpjegoi:
“Nga verifikimet e shpeshta, kur media publikon përmbajtje të dosjes hetimore, ka rezultuar se media ka marrë informacion kur ne si institucion komunikojmë me akte me personat në hetim dhe mbrojtësit e tyre. Nuk them se nuk mund të ketë rrjedhje dhe nga SPAK, por ne këtë e kemi minimizuar shumë.”
Mbështetja për prokurorin e çështjes
Dumani i dha fund edhe zërave për një kërcënim të mundshëm ndaj prokurorit që ndjek çështjen e Zëvendëskryeministres. Ai konfirmoi mbështetjen e plotë për Prokurorin Premçi, si dhe për të gjithë prokurorët e tjerë.
“Asgjë nuk është e vërtetë nga ato që thuhen për kërcënim të prokurori të çështjes nga ana ime. Prokurori Premçi ka të gjithë mbështetjen time. Kam kontakte të shpeshta me të,” tha Dumani.
Ai shtoi se prokurori Premçi nuk i ka shprehur asnjë shqetësim për ndonjë kërcënim të mundshëm në adresë të tij, qoftë nga Kryeministri apo kushdo tjetër, duke theksuar se prokurorët janë të pavarur dhe zot të çështjeve të tyre.







