Në paketën fiskale 2026 qeveria ka bërë rreth 13 ndryshime në ligjin e proceduarve tatimore, të cilat prekin mënyrën e administrimit, komunikimit dhe formalizimit fiskal në vend dhe reduktimit të parasë cash: Më poshtë 13 ndryshimet e përmbledhura.
1- Digjitalizimi i plotë i komunikimit me tatimpaguesit
Aktet administrative dërgohen elektronikisht me nënshkrim elektronik, duke zëvendësuar shërbimet postare.
Tatimpaguesit detyrohen të deklarojnë adresën elektronike. Këto ndryshime synojnë uljen e kostove, rritjen e efikasitetit dhe transparencës në njoftime.
2-Tatimi mbi veprimtaritë online
Në ndryshimet e reja saktësohet se veprimtaria ekonomike përfshin edhe aktivitetet e ushtruara në internet, që i nënshtrohen regjistrimit dhe tatimit.
Subjektet online detyrohen të publikojnë në faqet e tyre NIPT-in, emrin, adresën dhe kontaktet.
Parashikohet pezullimi i faqes së internetit në rast mosrespektimi si një masë e re për formalizimin e tregtisë online.
3-Zgjerim i masave kundër subjekteve të paregjistruara
Përveç gjobës ekzistuese, aplikohen edhe masa të tjera administrative (përfshirë rivlerësimin e TVSH-së për mallrat pa faturë). Me këtë ndryshim synohet trajtimi të barabartë dhe ndëshkim i plotë për aktivitetet informale.
4- Ulja e kufirit për pagesat me para në dorë
Ndërmjet bizneseve i transaksioneve cash bie nga 150,000 lekë në 100,000 lekë.
Ndërmjet individëve dhe subjekteve ekonomike: vendoset për herë të parë kufi 500,000 lekë. Ky ndryshim synon nxitjen e pagesave përmes sistemit bankar dhe reduktimin e evazionit fiskal.
5-Detyrim për pajisje me terminale “POS”
Të gjithë tatimpaguesit që kryejnë pagesa cash duhet të pajisen me POS, sipas afateve ligjore:
Strukturat akomoduese, transporti, institucionet publike: deri më 30 maj 2026.
Tatimpaguesit e tjerë: deri më 31 dhjetor 2026.
Parashikohen përjashtime për zonat pa internet, subjektet e përjashtuara nga fatura, ose të vetë-punësuarit pa TVSH.
Masa shoqërohet me ulje të tarifave bankare dhe oferta si POS falas për 12 muaj nga MasterCard.
6-E drejta e individëve për korrigjim të deklaratës vjetore
Tatimpaguesit individë mund të korrigjojnë deklaratën vjetore te të ardhurave brenda 6 muajve nga data e dorëzimit, po jo më shumë se dy herë.
Reduktohet gjithashtu afati për dorëzimin e deklaratave të ndryshuara nga 36 muaj në 24 muaj. Ndryshimet synojnë saktësi më të madhe dhe shmangie të abuzimeve.
7-Deklaratat e TVSH-së plotësohen automatikisht
Nëse tatimpaguesi nuk e dorëzon deklaratën brenda afatit, sistemi elektronik i tatimeve e plotëson automatikisht brenda 24 orëve, bazuar në librat e shitjeve dhe blerjeve. Tatimpaguesi mban përgjegjësinë dhe ka të drejtën ta korrigjojë më pas.
Masa synon shmangien e mosdorëzimit të deklaratave dhe rritjen e përputhshmërisë fiskale.
8-Pezullimi i rimbursimeve të TVSH-së gjatë hetimeve penale
Në rast se tatimpaguesi është subjekt hetimi për mashtrim ose fshehje të të ardhurave, kërkesa për rimbursim të TVSH-së pezullohet. Dispozita formalizon praktikën ekzistuese të administratës tatimore, sipas rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
9-Procedura të reja për shitjen e pasurisë së konfiskuar
Procedurat për shitjen e pasurisë së konfiskuar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrit të Financave. Korrigjohet referenca institucionale për Agjencinë e Kadastrës, tashmë nën varësi të Kryeministrisë.
10-Hetimi Tatimor fiton kompetenca për vlerësim paraprak
Njësitë e Hetimit Tatimor mund të kryejnë vlerësim tatimor paraprak në rastet e fshehjes së të ardhurave, me autorizim nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Kjo masë synon përshpejtimin e hetimeve dhe ruajtjen e provave materiale.
11-Përjashtimi nga kamatëvonesat për institucionet publike
Kur mosrespektimi i afateve vjen për shkak të akteve me efekte prapavepruese ose vendimeve gjyqësore, institucionet publike nuk penalizohen me kamatëvonesë.
12-Sanksione të reja për prodhuesit e softuerëve fiskalë
Vendosen gjoba administrative ndaj prodhuesve dhe mirëmbajtësve të softuerëve fiskalë që refuzojnë bashkëpunimin me administratën tatimore gjatë hetimeve apo verifikimeve. Ndryshimi synon ruajtjen e integritetit të sistemit të fiskalizimit.
13-Thjeshtim procedurash administrative
Shfuqizohet detyrimi për publikimin e listës së subjekteve joaktive (neni 4), pasi sistemi i fiskalizimit tashmë e kontrollon automatikisht këtë proces.







