“Plani Energjetik i Shqipërisë dhe Tranzicioni i Energjive të Rinovueshme” ishte një ndër panelet më të rëndësishme të zhvilluara në kuadër të edicionit të 31-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga Klik Ekspo Group, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, kompanive vendase dhe ndërkombëtare, në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, me përfaqësues nga Italia, Zvicra, SHBA, Sllovenia dhe vende të tjera. Diskutimet e panelistëve u fokusuan në strategjinë kombëtare të energjisë dhe hapat drejt tranzicionit të qëndrueshëm energjetik në përputhje me objektivat e EU Green Deal dhe vizionin “Shqipëria 2030”.
Projektet energjetike në Tiranë
Enea Karakaçi, administrator i OSHEE, i ftuar në këtë panel theksoi se objektivat e qeverisë shqiptare janë për të ulur humbjet deri në vitin 2030 në sistemin e shpërndarjes në 10%, gjë që do të arrihet edhe përmes investimeve të reja. “Kemi disa projekte të cilat synojnë t’i japin një transformim shoqërisë, ku më i rëndësishmi mbetet nënstacioni i parë elektrik nëntokësor i qendrës së Tiranës-qytet, që ka nevojë për një nënstacion të ri, pasi ka një bum ndërtimesh. Ky është nënstacioni i parë i këtij lloji në Shqipëri, por dhe ndër të rrallët në Europë. Është nëntokësor, për shkak edhe të arkitekturës që duhet ta respektonim. Ka një vlerë rreth 22 milionë euro, jemi në fazën përmbyllëse të garës, dhe mendoj që brenda vitit 2026 do të kemi fillimin e ndërtimit të tij, një projekt i rëndësishëm për sa i përket furnizimin me energji në qytetin e Tiranës”, tha Karakaçi.
Nënstacioni elektrik 110/20 kV do të pozicionohet pranë sheshit “Skënderbej”, ndërsa projekti parashikon përdorimin e teknologjisë me gaz për pajisjet që do të kryejnë kontrollin, mbrojtjen dhe izolimin e sistemeve të energjisë në këtë nënstacion.







