Sonte çel siparin edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK.
Në një lidhje direkte nga Prishtina për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut, gazetari i Radio Kosova 1, Nimetullah Cahani, zbulon surprizat e këtij edicioni.
“Është një ekip i Radiotelevizionit të Kosovës që për muaj të tërë po bën një punë të jashtëzakonshme për të pasur një edicion sa më të mirë të Festivalit të Këngës në RTK. Në vetëm dy edicione festivali ka ndërtuar një standard dhe na duhet ta rrisim këtë standard.”
Sipas Cahanit, interesi i artistëve për të qenë pjesë e garës ka qenë shumë i madh.
Në konkurrim do të jenë 20 këngë të përzgjedhura nga një juri profesionistësh.
“40 përqind janë këngëtarë dhe grupe nga Shqipëria”, shprehet gazetari i cili zbulon se në natën e tretë do të jenë vetëm 10 finalistë.
Përveç tre çmimeve të mëdha, do të ndahet dhe një çmim special.
“Në natën e dytë do të jepet një çmim për ata që kanë mbajtur gjallë këtë festival të dikurshëm (Akordet e Kosovës) duke i vlerësuar për kontributin e tyre të madh.”
Nata e parë do të ketë të ftuar speciale këngëtaren Eneda Tarifa si dhe fituesin e edicionit të kaluar të Festivalit të Këngës në RTK, Dhjetori.
“Nuk mund të zbuloj më shumë. Do të ketë surpriza të paimagjinueshme, të ftuar në të trija netët, edhe vendas edhe ndërkombëtarë. Janë yje të artit dhe muzikës. Mund të jetë dhe fituesi i Eurovizionit, ku i dihet?! (qesh). Festivali do të prezantohet nga artistët Rina Krasniqi dhe Dukagjin Podrimaj.”
Prej tre javësh, në RTK Radio 1 dhe RTK Radio 2, realizohet dhe një program special për përgatitjet e festivalit.
“Në programet speciale kemi thirrur artistë, kompozitorë, këngëtarë që kanë bërë festivalin ‘Akordet e Kosovës’ që në vitin 1963. Pra dhe Kosova, siç dhe shteti ëmë, ka traditën e organizimit të festivaleve. Por pushuan në vitet ‘90 prej rrethanave që kemi përjetuar. Pastaj pas luftës së Kosovës ka qenë çështje politike për organizimin ose jo të një festivali. Po sa mirë që para tre vjetëve erdhi radha që edhe Kosova të ketë një Festival të Këngës, duke kujtuar këtë traditë dhe kulturën e organizimit të festivaleve që kishim që në vitet ‘60.”
I pyetur për punën që po bën Radiotelevizioni i Kosovës për të çuar këngën fituese në Eurovision, Cahani shprehet: “Ne si RTK po punojmë fort, por edhe politika po punon fort në këtë drejtim, që së shpejti në një të ardhme të afërt edhe kënga jonë fituese të jetë pjesë e Eurovizionit.”
Festivali i Këngës në RTK nis sonte, dhe për tri netë do të përcjellë emocionet e muzikës shqiptare.







