Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjetet sociale këtë të enjte më 6 nëntor, përmes së cilës zbulon se çfarë parashikon projekt-buxheti për vitin 2026 sa i përket rritjes së pagave.
“Përshëndetje përsëri këtu nga zyra ime, sepse një tjetër lajm i mirë në projektbuxhetin 2026, i cili është fillimi i praktikës së indeksit vjetor edhe për pagat e punonjësve të sektorit publik, qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel vendor, të cilat do të indeksohen çdo vit në bazë të nivelit të inflacionit.
Kjo është një politikë e re pagash që, e kombinuar me rritjen e përgjithshme si rezultat i rritjes së pagës minimale për të gjithë, i shton gati 100 milionë euro qysh në vitin e parë 2026 shumës që mandati i katërt do të vërë në dispozicion të rritjes së fuqisë blerëse të të gjitha kategorive shoqërore.”, deklaroi kryeministri Rama.
Gjatë këtij videomesazhi, ai zbuloi shumën me të cilën rriten paga për punonjësit e sektorit publik në të gjitha fushat, nga arsimi, te shëndetësia e me radhë.
Pagat për sanitarët, shoferët, arkivistët…
Kështu, konkretisht 10 mijë e 600 punonjës shërbimi, sanitare, shoferë, tekstilë, protokollistë, arkivistë, magazinierë, do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale, një rritje me 10 mijë lekë në muaj.
Për specialistët e administratës publike, rritja do të jetë 5 mijë lekë të reja. Mësuesit do të përfitojnë pagë 3 mijë lekë të reja më shumë në muaj.
Pagat në Shëndetësi
Për herë të parë në sektorin e shëndetësisë, përveç indeksimit vjetor, do të fillojë edhe llogaritja e vjetërsisë në punë. Që do të thotë, si mesatare për mjekët e përgjithshëm, nga 131 mijë e 700 lekë në 143 mijë e 500 lekë të reja në muaj; për mjekët në spitale, nga 174 mijë lekë në 186 mijë lekë të reja në muaj; për infermierët, nga 87 mijë lekë në 92 mijë e 500 lekë të reja në muaj.
Pagat në Policinë e Shtetit
Po ashtu edhe për punonjësit e Policisë së Shtetit. Përveç indeksimit, do të ketë rritje për vjetërsinë në punë, e cila në gradat më të ulëta përkthehet me një rritje mesatare prej 5 mijë lekësh të reja në muaj.
E thënë ndryshe, për një punonjës me vjetërsi mesatare 15 vjet, sipas gradave, pagat rriten si më poshtë:
-Për inspektorët e thjeshtë, nga 80 mijë e 500 lekë të reja, në 84 mijë e 500 lekë të reja, plus shtesa për kushtet e punës dhe ushqimit që e çon pagën mesatarisht në 100 mijë lekë të reja.
-Për komisarët, paga do të rritet nga 95 mijë e 500 lekë në 101 mijë lekë të reja, e cila me shtesën për kushtet e punës dhe po ashtu për ushqimin, shkon në 116 mijë lekë të reja.
-Për komisarët, nga 105 mijë në 110 mijë e 600 lekë të reja dhe me shtesën për kushtet e punës, plus për ushqimin, shkon në 125 mijë e 600 lekë të reja në muaj.
-Dhe për drejtuesit e thjeshtë, nga 130 mijë e 500 lekë të reja, paga do të shkojë në 141 mijë e 450 lekë të reja në muaj, që me shtesën dhe ushqimin bëhet mesatarisht 156 mijë e 450 lekë të reja në muaj.
Kryeministri Rama shtoi se masat e reja të parashikuara në projektbuxhetin 2026 përbëjnë lajme të mira për të gjitha kategoritë e punonjësve, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Ai theksoi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi dhe kjo do të reflektohet gjithnjë e më shumë në jetën e përditshme të qytetarëve
“Janë të gjitha lajme të mira për të gjitha këto kategori, sepse tanimë Shqipëria është në një nivel tjetër dhe ky fakt do të bëhet çdo vit e më i prekshëm në jetën e përditshme të njerëzve tanë, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, të njerëzve që jetojnë me punë. Sepse ata që na dhanë besimin e jashtëzakonshëm me 83 mandate për Shqipërinë 2030, meritojnë çdo vit e më shumë dhe do të kenë çdo vit e më shumë.”, tha Rama.
Projektbuxheti për vitin e ardhshëm u prezantua vetëm një ditë më parë në komision parlamentar, nga ministri i Financave Petrit Malaj.







