HomeKryesoreProjektligji për Barazinë gjinore/ Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë: Jemi të palëkundur në...

Projektligji për Barazinë gjinore/ Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë: Jemi të palëkundur në qëndrimin tonë!

Advertismentspot_img

Ndërkohë që në seancën plenare në Kuvend këtë të enjte po debatohet lidhur me projektligjin për Barazinë Gjinore, të kundërshtuar nga opozita që zhvilloi edhe një protestë mëngjesin e sotëm, vjen një reagim nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.

Përmes një reagimi për mediat, KNFSH që përfaqëson të pesta komunitet fetare në vend (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë), ka ritheksuar qëndrimin e tij kundër këtij projektligji.

“KNFSH qëndron i palëkundur në pozicionin e tij, siç është artikuluar qartë në dokumentin e dërguar më parë institucioneve përkatëse, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave themelore të familjes, të traditës shoqërore dhe morale shqiptare, si dhe të parimeve të besimeve tona fetare, në frymën e respektit, barazisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë mbetet i përkushtuar ndaj dialogut të hapur dhe bashkëpunimit me institucionet shtetërore e shoqërinë civile, me synim forcimin e harmonisë ndërfetare dhe ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshme. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj!”, thuhet në njoftimin e KNFSH-së.

Ndërkohë, po sot, Myftiu i Shkodrës Muhamed Sytari dhe Arqipeshkvi i Shkodrës Giovanni Peragine, gjatë një takimi kortezie për 35-vjetorin e lirisë së besimit në Shqipëri, u shprehën të unifikuar në fjalën e tyre kundër ligjit për barazinë gjinore që pritet të votohet në Parlament.

“Vlerësoj që deklarata e përbashkët e komuniteteve tona fetare prevalon mbi çdo fjalë tjetër dhe qëndrim tjetër. Është qëndrimi ynë i përbashkët dhe shpresoj që Parlamenti dhe klasa politike kanë reflektuar si duhet dhe do të respektojnë tabanin dhe nuk do ta presin në besë tabanin e këtij vendi e kombi, për interesa cinike të agjendave që nuk janë të shqiptarëve. Zoti i ruajtë e i bekoftë shqiptarët, ashtu siç Zoti do me ta. E na ruajt nga devijimi dhe shthurja, se ajo është katastrofë e madhe,” tha Myftiu Muhamed Sytari.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Arqipeshkvi Giovanni Peragine, i cili bëri thirrje për ruajtjen e identitetit shqiptar.

“Deklarata që kemi bërë është e qartë. Të gjithë ne si komunitet fetar jemi të bindur për çdo gjë që kemi deklaruar. Jemi të bindur që familja, njeriu, është krijuar sipas vullnetit të Zotit. Unë e kuptoj edhe politikën, integrimin në Europë… Por ne duhet të kemi kujdes të mbajmë edhe traditat tona. Integrimi nuk do të thotë që ne duhet të humbim traditat tona. Populli shqiptar ka një traditë përsa i përket vlerës së familjes, respektit për njeriun që është mashkull e femër. Duhet të mbajmë edhe identitetin tonë shqiptar. Është detyrë për çdo qytetar dhe politika duhet ta ketë parasysh,” shtoi Arqipeshkvi Giovanni Peragine.

Sjellim ndërmend se KNFSH, vetëm disa javë më parë iu drejtua institucioneve më të larta të vendit, me disa argumente kundër projektligjit në fjalë.

Sipas Këshillit, disa dispozita të projektligjit “shkojnë përtej barazisë gjinore”, duke rrezikuar të çojnë në “relativizim moral” dhe në ndryshimin e kuptimit natyror të gjinisë. Në dokumentin e dërguar institucioneve, komunitetet fetare shprehen se “njeriu është krijuar mashkull dhe femër, të thirrur për t’u plotësuar e për të ndërtuar së bashku një shoqëri të drejtë”, ndërsa theksojnë se përfshirja e koncepteve si “identitet gjinor” dhe “shprehje gjinore” mund të ndikojë negativisht në procesin arsimor dhe në formimin moral të fëmijëve.

Këshilli Ndërfetar i bënte thirrje institucioneve që çdo ndryshim ligjor të ndërmerret me kujdes dhe në frymën e dialogut, “për të ruajtur moralin publik, unitetin familjar dhe identitetin kulturor të shoqërisë shqiptare”.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular