HomeTe tjera“Nxirri tanket në rrugë…”- Si e refuzoi Kiço Mustaqi urdhrin e Ramiz...

“Nxirri tanket në rrugë…”- Si e refuzoi Kiço Mustaqi urdhrin e Ramiz Alisë më 1991 për shtypjen e protestave: Njëri prej tyre tërhoqi litarin…

Advertismentspot_img

PËLLUMB VREKA

Në shkrimin e para disa ditëve në gazetën “Panorama” ku bëhej fjalë për një bisedë private me ish-ministrin e Brendshëm Hekuran Isai, përmendet edhe një ndodhi e (vogël) në zyrën e ministrit të Mbrojtjes, Kiço Mustaqi. Në këtë shkrim do të ndalem më gjerësisht…

Konkretisht, Kiçon e kam njohur në Ministrinë e Mbrojtjes kur mori detyrën e shefit të Shtabit të Ushtrisë, duke zëvendësuar Veli Llakaj. Aso kohe, për shkak të ngjarjeve të bujshme në ekonomi dhe ushtri, shefat e shtabit dhe zëvendësministrat ndërroheshin shpesh. Ai na thirri në zyrë së bashku me piktorin e talentuar dhe të paarritshëm Fatmir Haxhiun, i cili kishte një studio piktori te Rruga e Kavajës. Pasi na foli goxha për situatën e uniformave në ushtri (Kiçoja ishte i pakënaqur për vete, por ishte tepër i kujdesshëm se i dinte mirë pasojat), na urdhëroi të përgatisnim një apo disa albume me modele të uniformave…. me grada! Ushtria vazhdonte qysh nga koha e lidhjes me ushtrinë “motër” të Kinës të mbante uniformat tipike prej doku, të Mao Ce Dunit, pa asnjë shenjë dalluese të rangjeve ndërmjet kuadrove. Edhe PETLICKA (rombi i kuq i vendosur në jakë e ylli në kapelen shapkë, se kapele oficeri nuk mund të quhej më, ishin tipike kineze. Ama, Komiteti Qendror e argumentonte se PETLICKA dhe nderimi me grusht ishin të trashëguara nga Lufta Nacional-Çlirimtare, etj., etj.. Heqja e gradave dhe veshja me uniformën groteske kineze bëri të pakënaqur pothuaj të gjithë kastën e gjeneralëve dhe ushtarakëve madhorë, aq sa disa duke shfaqur hapur pakënaqësinë përfunduan… “pa dashje”… në burg, për agjitacion e propagandë. Gjeneralit A.S i gjetën gjatë kontrollit në shtëpi uniformën e tij të gjeneralit, të cilën e ruante si kujtim me nostalgji. Direkt u akuzua se: “Po pret të ndërrohet pushteti e ta veshë prapë…”. Duhet pranuar që uniforma sovjetike me grada ishte një uniformë e bukur, autoritare që krijonte respekt për eprorin. Se si u katandis ushtria shqiptare me ato uniforma alla kinezçe, nuk ka nevojë për koment. Dy ishin dallimet në atë situatë, vendosja në kapelen e pilotëve (të një palë krahëve prej llamarine të galvanizuar në Artistiken “Migjeni”), kjo për t’u bërë qejfin të dalloheshin nga gjithë të tjerët, se ndoshta rrëmbenin avionin dhe ia mbathnin nga perëndimi, si Antonesku i Rumanisë që ia mbathi në Gjermaninë Federale. Ndryshimi tjetër ishte cilësia e copës së uniformës për oficerët madhorë ishte më e fisme, e veçantë. Kështu, qeveria shqiptare, vendosi t’u kthehej përsëri gradave, për t’i prodhuar me “forcat e veta”, ndërkohë që industria e veshmbathjes dhe e shenjave dalluese është një industri jashtëzakonisht moderne. Pra, urdhrin e morëm nga Kiçoja dhe së bashku me Fatmir Haxhiun filluam punën në një zyrë në Ministrinë e Mbrojtjes. Ndërkohë unë kisha edhe një zyrë tjetër në Bankën e Shtetit ku isha komanduar e urdhëruar të përgatisja modelet e kartëmonedhave për t’i prodhuar në vend. (Histori që do e nxjerrim në një shkrim të veçantë). Pasi përfunduam albumin, ia paraqitëm Kiço Mustaqit dhe zëvendësministrit, burrit të shkëlqyer e të zot, Jaçe Lulës. Pas disa ditësh më thërret Kiçoja në zyrë e më thotë:

-Albumi ka dalë i shkëlqyer, vërejtje nuk pati. Prandaj Komiteti Qendror vendosi të operojmë duke të të dërguar jashtë shtetit për të siguruar bazën materiale. Ti ke përvojë në këtë drejtim, se ke qenë jashtë shtetit i dërguar si nga Banka e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe tani nga Ministria jonë. Prandaj zgjidh një kuadër tjetër që të jeni bashkë.

-Shoku Kiço – iu përgjigja – mendoj që të marr me vete Stavri C. të Drejtorisë së Prapavijës, kuadër serioz dhe i përgatitur ushtarakisht.

-Dakord – më tha – do lajmërojmë edhe Stavrin dhe ndërkohë përgatituni. Ne po dërgojmë kërkesën për vizë në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Jashtme.

Në atë kohë, pa vizën e Ministrisë së Brendshme nuk mund të merrje vizë në shtetin ku do shkoje. Për këtë shërbim, para nisjes na njoftuan se do kishim në dispozicion pesë milionë dollarë për të lidhur kontrata për blerjen e stofrave, shiritave të kuq, të verdhë, kopsa, modele gradash etj.. Përralla me mbret. Ekonomia shqiptare në atë kohë kishte marrë të tatëpjetën. Ndihma “vëllazërore e Kinës motër” kishte marrë fund. Vendi iu ishte kthyer tollonave si në kohë lufte. Pra, ato pesë milionë dollarë, goxha para për atë kohë, ishin thjesht propagandë për t’i treguar botës dhe KNER-it që ekonomia shqiptare është e fuqishme etj.. etj.. Në takimin para nisjes, na porositi për të qenë të kujdesshëm gjatë takimeve me të huajt dhe korrekt me oraret. Na përcolli deri te dera e zyrës ashtu buzagas siç ishte, se kishte edhe humor. Sa ishte në pushtet, Kiços nuk iu përmend emri kurrkund për të meta e dobësi, grupe armiqësore, për përfitime personale apo pjesëtar i tezave të mbrojtjes.

DITËT E PROTESTAVE

Dhe tani të vijmë në ditët e protestave, kur Kiçoja ishte emëruar ministër i Mbrojtjes dhe Kandidat i Komitetit Qendror, duke zëvendësuar Prokop Murrën. Unë punoja në zyrën që na kishin dhënë me Fatmirin. Bie telefoni.

-Kiçoja jam – urdhëroni iu përgjigja – eja lart në zyrën time tani!

-Si urdhëron -iu përgjigja dhe me një frymë ngjita shkallët lart.

-Ulu – më tha – E shikon more djalë – vazhdoi ai – se ç’bëhet jashtë, revolucion, batërdi. Një kaos që “nuk e merr vesh qeni të zonë”!

Troket dera dhe hyn lehtazi shoqëruesi i tij me një pjatë në dorë, ku ishin vendosur një kokërr mollë, një vesh rrush dhe një thikë në një kartëpecetë bezeje. Pasi e la pjatën në tavolinën në formë T-je, ai u largua. Kiçoja u afrua te pjata dhe më pyeti:

-Kë do, mollën apo rrushin? (këto bënin pjesë të trajtimin si kuadër i lartë).

Duke menduar se kush rri e qëron mollën në prezencë i thashë shpejt e shpejt, duke qeshur:

-Rrushin.
-E mirë, shko e merre.

Ai mori mollën dhe pasi e qëroi, e preu kubikë-kubikë, gati për të ngrënë. Por, papritur bie telefoni, ai i kuqi, i cili lidhej direkt me Ramiz Alinë.

-Kiço – u dëgjua zëri i Ramizit – në atë zyrë ku qetësia ishte absolute.

-Nxirr tanket në rrugë dhe vendosi tek ura e hotel “Dajtit” që të frenohet turma e të mos bëjnë përpara. Kiçoja, sikur e kishte përgjigjen “hazër xhevap”, ia preu pa ia bërë tërr syri:

Jo, shoku Ramiz, unë nuk mund ta zbatoj këtë urdhër, të nxjerr tanket kundër protestuesve, tanket i kemi për luftë kundër serbit. Nëse doni, ju urdhëroni të dalin tanket e Gardës, të cilat janë direkt nën urdhrat tuaja.

-Ashtu – ia preu Ramizi dhe i mbylli telefonin Kiços

Ç’është e vërteta Garda në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë tanke në organikë. Mbrojtjen e kryeqytetit e bënin dy brigada tankesh, njëra në Sauk me komandant Petrit. M dhe tjetra në Zall Herr me komandant Kujtim. D. Mirëpo situata ndryshoi me daljen në dritë të akuzave për grupin e “puçistëve” Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, ku njeri prej tyre në hetuesi, duke akuzuar njëritjetrin përmendi faktin që kish thënë se “po, të dua unë e rrethoj Komitetin Qendror me tanke”. Idem me një drejtor të SHIK-ut të Tiranës, i cili duke ngrënë drekë me mua dhe dikë tjetër u shpreh se: “Po të dua unë, me një fishkëllimë rrethoj vendin me shikas”…(kishte pirë pak!). Me daljen e asaj shprehjes nga grupi i “puçistëve”, Byroja Politike, me urdhër të veçantë e me ngut, vendosi brenda në oborrin e Gardës, në kapanon veror një kompani tankiste, nëntë tanke dhe një dragaç. Ato do të përdoreshin vetëm me urdhër të Byrosë Politike. U zgjatëm pak në këtë pikë se organikisht Kiçoja nuk kishte asnjë kompetencë të urdhëronte nxjerrjen e tankeve të Gardës. Por, Ramiz Alia si rrufjan që ishte gjatë gjithë karrierës së tij, donte që përgjegjësinë t’ia kalonte Kiços, për atë ç’ka mund të ndodhte. Shyqyr Zotit nuk ndodhi ndonjë masakër, falë edhe atij politikanit që ktheu turmën, që ishte nisur në drejtim të Bllokut. Sepse tanku atëherë kishte një arsenal me armatim të rëndë. Edhe Boris Jelcini në Rusi nxori tanket në rrugë, por ama jo kundër popullit por, qëlloi direkt Parlamentin Rus (DUMA), derisa i detyroi parlamentarët të dorëzojnë pushtetin. E kishim fjalën në kundërshtimin që Kiçoja i bëri Ramiz Alisë, gjë që ishte një situatë e paprecedentë sepse në historinë dhjetëravjeçare nuk kishte guxuar asnjë njeri të kundërshtonte urdhrin e Enver Hoxhës apo Ramiz Alisë, epo ja që doli një trim, trim e patriot, gjakftohtë e largpamës. Për të qenë i sinqertë, mua më zuri “tartakuti”, frika se nga çasti në çast, do të hapej dera e do hynin nja tre-katër sigurimsa, të cilët pa çak, pa bam do t’i vinin hekurat në duar Kiços. Se historia kishte treguar se hekurat ishin vëne dikur edhe në mes të mbledhjeve, (si Sadami kundërshtarëve), pastaj të hiqnin titullin e postin, dekoratat, konfiskimin e pasurisë e mospasje të drejtë vote për pesë vjet, paçka se kur bëheshin këto ti mund të ishe në burg ose… në varr me një plumb pas koke! Dhe ashtu u bë, Ramizi nxori tanket në bulevard për të frenuar e trembur protestuesit, por shoferët e tankeve u bashkuan me protestuesit e të hipur mbi tanke bënin xhiro në bulevard. Njërin prej tankeve e përdorën për të tërhequr litarin në qafën e monumentit të Enverit. Pastaj tanket u kthyen vetë në Gardë. Kur kaluan tanket para Ministrisë së Mbrojtjes me atë tërsëllimën e zinxhirëve në asfalt, Kiçoja u ngrit në këmbë dhe u afrua tek dritarja.

-E shikon, Pëllumb – i nxori tanket. Gabim i madh. Ishalla nuk ka ndonjë shkrepje se pastaj… “O Mete për vete”. Këta kot e kanë – vazhdoi duke shtuar – edhe ata të Shkollës së Bashkuar që duan të dalin nga shkolla e të sulmojnë protestuesit, edhe ata që dhanë urdhrin të mobilizoheshin rezervistat. Bile, për revoltën e Shkollës së Bashkuar, aso kohe Sali Berisha akuzoi Kiço Mustaqin sikur ai ishte inspiruesi i asaj revolte.

-Por Kiçua, qetë, – iu përgjigj me vendosmëri- se nuk kam lidhje me atë revoltë, koha do ta vërtetojë këtë.

-Epo – ia ktheu Saliu – grushtin e shtetit nuk e bëjnë bluzat e bardha, por ushtria.

-Ushtria, ushtria – ia ktheu Kiçua- por, jo unë. (Më pas u vërtetua se revoltën në Shkollën e Bashkuar e kishin organizuar dy nënkryetarët e shoqatës “Vullnetarët e Enver Hoxhës”, të cilët më pas u bënë njëri deputet i PS-së dhe tjetri president i PD-së)

-Pëllumb – m’u drejtua më pas Kiçoja – nuk mbahet pushteti me dhunë si Pinoçeti në Kili, nuk mund të mbushim stadiumet me rininë e vendit siç bëri Pinoçeti që vrau e zhduku dyzet e ca mijë bijë nënash dhe pse? – se donin liri veprimi, liri të shprehjes e barazi para ligjit.

-Ata (PD-ja) – vazhdoi ai – kanë me vete rininë, ne nuk kemi asgjë, veç kobureve. Prandaj, pushtetin ta dorëzojmë pa gjak, e kërkon koha ashtu si në të gjitha vendet e Lindjes.

U ngrit, kapi dorezën e telefonit dhe pa i rënë akoma numrit, u kthye nga unë (mollën e rrushin ndërkohë i kishim ngrënë) dhe më tha:

-Largohu, ik nga ministria, nuk dihet se çfarë mund të ndodhë!

-Si urdhëron – i thashë – dhe ia dhashë vrapit për në shtëpi, nga ku do ndiqja në televizor zhvillimin e ngjarjeve në mes të Tiranës.

Më vonë, kur Kiço u kthye në Shqipëri nga emigrimi pesëmbëdhjetëvjeçar u takuam në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë Popullore. Unë ndërkaq kisha informacion të saktë për punën që Kiço kishte bërë në Greqi. Ai (siç e pohoi edhe vet) punonte në një pikë shitje karburantesh (dhe jo roje siç shkruan ndonjë nëpër portale). Ama, është tragjike, askush nuk mund ta imagjinonte që një ministër Mbrojtje, Kandidat i Komitetit Qendror të Byrosë Politike i Shqipërisë të katandiset argat, duke iu shërbyer grekëve. Por e vërteta mbetet e vërtetë. Kiçoja nuk kishte ndonjë kapital përveç rrogës së tij si funksionar shteti, prandaj i duhej të bënte çdo lloj pune që të mbante veten dhe familjen. Qeveritë e mëparshme nuk duhej kurrsesi që të lëshonin Kiçon, ushtarak i pastër, me eksperiencë, trim e patriot të largohej drejt Greqisë, por ta mbanin si këshilltar apo ekspert pranë Forcave të Armatosura!

-Epo – më tha Kiçoja duke qeshur me shpirt pasi u takuam – i provova të dyja, edhe majën e pushtetit, edhe fundin e piramidës.

Kjo ishte historia e një ushtaraku të veçantë, që guxoi e kundërshtonte urdhrin e Ramiz Alisë, duke evituar një përplasje të përgjakshme. Megjithatë, unë nuk do të rri pa përmendur në këtë shkrim edhe një episod tjetër që i ka ndodhur Kiço trimit, lidhur me djemtë e tij. Ata të dy punonin në tragetet e transportit të mallrave dhe pasagjerëve në linjën AntirioPatra. Zakonisht punonin turni i natës, një punë sakrifice që vetë grekët nuk e pranonin si punë. Por, ama pagesa ishte goxha e kënaqshme. Por, siç ndodh rëndom, hajdutët duke pasur parasysh se këta fitojnë shumë, i sulen apartamentit ku banonin djemtë duke i kërcënuar me thika në duar për t’u dhënë paratë atyre. Filloi përleshja dhe hajdutët duke parë vendosmërinë e tyre pasi i plagosën të dy, u larguan duke iu marrë vetëm njëqind mijë dhrahmi, të cilat ishin në një sirtar.

M’i shpëtoi Zoti – pat thënë Kiçoja atëherë.

-Në ato kohë kjo ngjarje bëri bujë në shtypin grek (sa herë ka ngjarje me shqiptarë media gjithfarësh hidhen në sulm) dhe qëlloi që unë po udhëtoja me taksi nga aeroporti në Athinë.

-Ju shqiptarët – më tha taksisti grek – të vrisni për tridhjetë mijë dhrahmi, ndërsa ne edhe kur vjedhim banka me miliona, mundohemi që jetën e të pranishmëve ta ruajmë.

Kjo thënie e taksixhiut grek përkon sot me të penduarit e drejtësisë sonë, kur deklarojnë pa ua bërë tërt syri, se – për të vrarë x-in mora dhjetë mijë euro, për të sakatosur (jo vrarë) mora njëzet mijë euro. Absurde. Ligji te ne është shumë i butë. Nejse, po e mbyllim me kaq. Radhën tjetër do t’u japim lexuesve të gazetës “Panorama” një shkrim për bisedën private që kam bërë me Ramiz Alinë nga aeroporti i Athinës deri në Tiranë.

Autori, drejtor i revistës “Hosteni”

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular