Dhoma e Ulët e Parlamentit të Polonisë votoi sot pro heqjes së imunitetit të një ish-ministri të Drejtësisë, duke hapur rrugën për arrestimin dhe ndjekjen penale të tij për disa vepra, mes të cilave abuzim me pushtetin dhe krijim të një organizate kriminale.
Zbigniew Ziobro, që shërbeu si ministër i Drejtësisë në vitet 2015–2023 gjatë qeverisjes nacionaliste të partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS), nuk mori pjesë në votim. Ai është larguar jashtë vendit, duke deklaruar se nuk do të kishte një trajtim të drejtë nëse do të qëndronte në Poloni.
Qeveria pro-evropiane e Donald Tusk kërkon zhvillimin e një hetimi për keqmenaxhimin që, sipas saj, ka ndodhur gjatë periudhës së qeverisjes së PiS-it.
Ziobro, arkitekti i reformës gjyqësore që shkaktoi përplasje të ashpra me Komisionin Evropian për pavarësinë e gjyqësorit, është zyrtari më i lartë i PiS ndaj të cilit është tentuar ngritja e akuzave penale.
Prokurorët duan ta akuzojnë atë për 26 vepra penale, përfshirë keqpërdorimin e fondeve të “Fondit të Drejtësisë”, që duhej të ndihmonte viktimat e krimeve. Sipas hetimeve, Ziobro ka përdorur një pjesë të këtyre fondeve për të blerë programin spiunues “Pegasus”.
Vetë ai pretendon se është viktimë e një “gjuetie shtrigash” të orkestruar nga qeveria, në shenjë hakmarrjeje sepse kishte hetuar persona të afërt me rrethin e Tuskut të akuzuar për korrupsion.
Ndërkohë, disa prej vartësve të tij po hetohen nga autoritetet. Njëri prej tyre, Marcin Romanowski, është larguar në Hungari ku ka marrë azil politik.
Muajin e kaluar, kryeministri hungarez Viktor Orbán u takua me Ziobron në Budapest dhe akuzoi qeverinë e Tuskut për “gjueti politike shtrigash”. Sipas mediave polake, Ziobro vazhdon të qëndrojë në Budapest.







