Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se për Shëndetësinë dhe mirëqenien Sociale janë parashikuar 1 miliard euro dhe 15 milionë euro ekstra për pacientët e Onkologjikut.
Përmes një komunikimi-video në rrjetet sociale, kreu i qeverisë theksoi se hapet për herë të parë një linjë financimi “nga buxheti i shtetit vetëm për këtë nevojë jetike, duke futur 15 milionë euro ekstra në shërbim të pacientëve të Onkologjikut. Për herë të parë, shërbimi i rikonstruksionit të gjirit për gratë dhe vajzat që kalojnë kancerin do jepet i plotë për të gjitha dhe falas”
“Si fundjavë mu duk e udhës të ndaj me ju projekt buxhetin 2026 me mbi 1 miliardë eurot e tij për Shëndetësinë dhe mirëqenin sociale; afro 4% e prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Pa dashur t’ju lodh me shifra në një ditë të shtunë, po ndalem te lufta me kancerin dhe nevoja për barnat e shtrenjta që kërkon kjo luftë.
E pra, për herë të parë hapim linjë financimi nga buxheti i shtetit vetëm për këtë nevojë jetike, duke futur 15 milionë euro ekstra në shërbim të pacientëve të Onkologjikut. Për herë të parë, shërbimi i rikonstruksionit të gjirit për gratë dhe vajzat që kalojnë kancerin do jepet i plotë për të gjitha dhe falas”, u shpreh Rama.
Ai vuri në dukje se ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala “do udhëheqë projektin kombëtar të ngritjes së “institut kombëtar të tumoreve për Shqipërinë 2030”.
“Ndërkohë që ministrja e Shëndetësisë e shpallur së fundmi ndër 100 gratë më influnete në mjekësinë botërore për çështjen e kancerit, do udhëheqë projektin kombëtar të ngritjes së institut kombëtar të tumoreve për Shqipërinë 2030. Institucioni i ri ekselence i cili do i bashkohet rrjetit ndërkombëtar të instituteve që luftojnë me kancerin.
Ndërkohë, 4600 mjekë, infermierë dhe farmacistë si dhe 14.200 teknikë dhe laborantë do të përfitojnë një rritje të re pagash. Çka është edhe një mesazh i qartë për gjeneratën e re të bluzave të bardha, se në Shqipëri qëndrohet dhe punohet me dinjitet dhe se Shqipëria 2030 do të bëhet vendi ku ikja do të jetë thjesht zgjedhje individuale, jo imponim nga pamundësia për të qëndruar dhe punuar këtu”, tha më tej Rama.
Kryeministri shtoi se infrastruktura spitalore do të modernizohet edhe në qarqet e vendit.
“Me spitalin e ri të Korçës, urgjencën e Durrësit, spitalet bashkiake të Matit e Tropojës dhe të tjera me radhë akoma, do të vazhdojnë intensivisht edhe investimet në modernizimin e infrastrukturës spitalore.
Me objektivin e qartë dhe të shpallur që në Shqipëri në 2030, asnjë strukturë e shërbimit shëndetësor të mos jetë jashtë standardeve të Bashkimit Europian”, ndërsa shtoi se viti 2026 do të jetë viti i inteligjencës artificiale në shëndetësi.
“2026-a është edhe viti i hyrjes së inteligjencës artificiale në shërbimin tonë shëndetësor, përmes një kompanie të përbashkët që shteti shqiptar po krijon me një prej ekselencave të inteligjencës artificiale në shëndetësinë europiane, ndërkohë që me financimet e siguruara nga fondet europiane, ne do të krijojmë ekosistemin digjital të gatshëm për inteligjencën artificiale duke hapur shtigjet e reja të diagnostikimit me imazhe, të analizave parashikuese dhe të ndërveprueshmërisë në rang kombëtar të sistemit shëndetësor digjital, në përputhje me agjendën digjitale të Bashkimit Europian. Dhe në mbyllje 2026 do të hapë edhe siparin e partneritetit strategjik të QSU-së me spitalin prestigjioz San Raffaele të Milanos, një ndër më të mirët në botë duke nisur procesin e një transformimi që do ta bëjë QSUT-në 2030, një qendër rajonale të shëndetit me prestigj në të gjithë Ballkanin perëndimor. E pra, jemi në rrugën drejt Shqipërisë 2030 edhe në shëndetësi edhe në rritjen e shërbimit shëndetësor”, deklaroi Rama.







