Një konfrontim fizik ka ndodhur në Këshillin Bashkiak të Pogradecit. Shkak është bërë miratimi me shumicë votash i një liste së sipërfaqes së tokës prej mbi 34 mijë hektarësh në fshatin Çërravë që mund të jepen me qira.
Kjo ka sjellë debate verbale mes këshilltarëve dhe disa banorëve të fshatit që kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Pas replikave të forta, në fund këshilltarët miratuan me 20 vota pro këtë vendim. Kjo shkaktoi fillimisht irritimin e banorëve dhe më pas agravimin e situatës deri në dhunë fizike.
“Turp të keni, të gjithëve. Legena. Palaço”, u shpreh një prej banorëve pas vendimit. Por fjala legen nuk është pëlqyer shumë nga një prej këshilltarëve, i cili i është ngritur në këmbë banorit. Kjo shkaktoi konfrontimin fizikisht të tyre, teksa u desh ndërhyrja e personave të tjerë të pranishëm për t’i ndarë.
Pas sherrit në Këshillin Bashkiak mbërriti policia, për të bërë shoqërimin e dy personave të përfshirë.
Pas ngjarjes, Policia e Shtetit ka shoqëruar 27 vjeçarin Muçllari dhe më pas e ka arrestuar në kushtet e flagrancës nën akuzën e goditjes për shkak të detyrës.
Mbrëmjen e sotme dhjetëra banorë të fshatit kanë dalë në mbështetje të 27 vjeçarit duke kërkuar lirimin e tij nga qelia.
Sipas tyre kjo është një tentativë për ti trembur ata që të tërhiqen nga kauza për të ndaluar dhënien e 34 hektarë sipërfaqe tokë shtetërore me qira.
Ata deklaruan se arrestimi i të riut është i paligjshëm dhe tërësisht politik. Sa kohë që sipas tyre këshilltari bashkiak nuk është ndaluar, pasi sipas tyre ishte ai që provokoi i pari çka solli më pas konfrontimin fizik mes palëve.
Ndërkohë më herët lidhur me këtë ngjarje përfaqësues të bashkisë Pogradec deklaruan se banorët ishin dëgjuar, nga mbi 70 ha sipërfaqe që ishte parashikuar të jepej me qira, bashkia ka hequr nga hartat 36 ha që cilësoheshin kullotë dhe ka vendosur dhënien e 34 ha që kanë status pemtore, por edhe kjo u kundërshtua nga banorët të cilët kërkuan anulimin e procedurës.
Banorët deklaruan se nuk do të lejojnë asnjë investitor që të vijë dhe të investojë në tokat që deri dje ata i përdornin si kullota për blegtorinë.








