Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti këtë të hënë, më 10 nëntor, në një takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Gjatë këtij takimi, Gonzato i dorëzoi Begajt raportin vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë, pjesë e Paketës së Zgjerimit 2025.
Sipas një njoftimi nga Presidenca, gjatë takimit u zhvillua një diskutim i frytshëm mbi gjetjet e raportit dhe hapat e ardhshëm në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Presidenti Begaj vlerësoi punën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Delegacionit të BE-së në Tiranë dhe theksoi përkushtimin e Shqipërisë për të vijuar me vendosmëri në përmbushjen e prioriteteve të integrimit evropian.
Mes të tjerash, kreu i Shtetit nënvizoi progresin e bërë nga Shqipëria gjatë vitit të kaluar në hapjen grupkapitujve dhe rëndësinë e vijimit të reformave thelbësore në përputhje me standardet evropiane dhe parimet themelore të BE-së.
Po ashtu, presidenti i Republikës shprehu bindjen se “reformat duhet të vijojnë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet evropiane”, me qëllim përshpejtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, duke e konsideruar këtë proces si një aspiratë kombëtare dhe strategjike për të ardhmen e vendit.







