HomeKryesore“Mali i Zi mund të jetë anëtari më i ri i BE,...

“Mali i Zi mund të jetë anëtari më i ri i BE, Shqipëria në radhë”- Analiza e REL: A është gati BE të zgjerohet?

Advertismentspot_img

Dy gjëra janë shumë të qarta pas publikimit të Raportit vjetor të Progresit nga Komisioni Evropian më 4 nëntor.

Ekzekutivi i Bashkimit Evropian është shumë serioz për pranimin e anëtarëve të rinj deri në mbarim të mandatit pesëvjeçar, në fund të vitit 2029. Dhe tashmë i ka identifikuar kandidatët: Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën.

Ky është raporti i parë që e ka publikuar përbërja e re e Komisionit prej kur e ka nisur punën në fund të vitit të kaluar.

Si zakonisht, në dokument përmendet përparimi – ose mungesa e tij – në 10 vendet që e synojnë BE-në: Kosovë, Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi, Turqi, Moldavi, Gjeorgji dhe Ukrainë.

Mirëpo, duket se raportet e këtij viti kanë pasur një prekje gjeopolitike.

Pas diskutimeve që i ka pasur Radio Evropa e Lirë me disa zyrtarë në Bruksel në muajt e fundit, është e qartë se zgjerimi i bllokut evropian është kthyer sërish në prioritet.

Shteti i fundit që i është bashkuar BE-së ka qenë Kroacia më 2013 dhe prej atëherë blloku evropian, në fakt, është tkurrur për herë të parë, me largimin e Britanisë së Madhe më 2020.

Në dokumentin e këtij viti përmendet se “ky është mandati i parë i Komisionit prej periudhës 2010-2014, kur, marrë parasysh përparimin e përshpejtuar të disa vendeve kandidate, zgjerimi është mundësi reale” dhe që i gjithë procesi i zgjerimit “po lëviz më shpejt sesa në 15 vjetët e fundit”.

Ndryshimi i kahes ka të bëjë me sulmin rus ndaj Ukrainës më 2022, prandaj, sipas kryediplomates së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, “ndryshimet gjeopolitike e bëjnë zgjerimin diçka të domosdoshme”.

“Zgjerimi nuk është mirë që të ndodhë, është diçka që duhet të ndodhë me patjetër, nëse duam të jemi lojtarë të fuqishëm në skenën botërore”.

Mali i Zi i pari?
Të gjitha parashikimet tregojnë se Mali i Zi mund të jetë anëtari më i ri. Podgorica ka thënë se synon përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2026 dhe në raport përmendet se ky shtet “është në rrugë për ta përmbushur këtë objektiv ambicioz”.

Ky nuk është vendim që i përket Komisionit Evropian, dhe as vendit kandidat, por të 27 vendeve anëtare që vendosin me unanimitet për hapjen dhe mbylljen e 33 kapitujve të anëtarësimit që përfshijnë shumë fusha, të cilat vendet që e synojnë BE-në duhen t’i miratojnë si ligje kombëtare, në mënyrë që gjithçka të jetë në përputhje me legjislaturën e bllokut evropian.

Podgorica është duke negociuar që 13 vjet, dhe ndonëse i ka hapur të 33 kapitujt, ajo ka arritur t’i mbyllë vetëm shtatë sosh – dhe shumicën prej tyre në 12 muajt e fundit, duke treguar një lloj momentumi. Në dhjetor, Mali i Zi synon mbylljen e pesë kapitujve tjerë, ndonëse disa diplomatë evropianë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se diçka e tillë tingëllon shumë optimiste.

Shqetësimet kryesore lidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe pavarësisë së gjyqësorit.

Me fjalë tjera, viti 2026 mund të jetë shumë ambicioz, mirëpo secilën herë e më shumë ka zëra që Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të më 2028.

Shqipëria në radhë
Shqipëria mund të jetë më pas në radhë. Qeveria shqiptare shpreson në mbylljen e bisedimeve për anëtarësim më 2027, ndonëse Komisioni dyshon që diçka e tillë mund të arrihet.

Përparimi i këtij vendi në 12 muajt e fundit ka qenë i jashtëzakonshëm, pasi ai ka arritur t’i hapë 28 prej 33 kapitujve dhe pritet t’i nisë negociatat për pesë kapitujt e mbetur më vonë gjatë këtij muaji.

Megjithatë, mbyllja e kapitujve është proces më i vështirë sesa hapja. Dhe në aspektin e Shqipërisë, është shumë e rëndësishme që të bëjë edhe ndryshime tjera. Ndonëse ky shtet është kthyer në destinacion për turistë, dhe shumë evropianë janë duke blerë prona afër bregdetit, shumë zyrtarë evropianë thonë se Shqipëria ende vuan nga ajo që e përshkruajnë si një vatër e krimit të organizuar.

Prandaj, mund të mos jetë befasi që njëra prej rekomandimeve të Komisionit Evropian është që Tirana duhet të bëjë më shumë përpjekje për “hetim të trafikantëve të drogës dhe t’i identifikojë dhe shkatërrojë grupet kriminale”.

Çfarë për Moldavinë dhe Ukrainën?
Aplikimet e tyre janë “në çift” dhe ashtu kanë qenë prej fillimit pasi të dyja kanë aplikuar për anëtarësim më 2022 dhe pritet që ashtu të vazhdojnë, pavarësisht disa zërave se këtë vit secili aplikim mund të trajtohet veç e veç.

Kjo do t’ia mundësonte Moldavisë ecjen përpara dhe nisjen e bisedimeve për anëtarësim, pasi Ukraina vazhdon të jetë e bllokuar nga Hungaria dhe pritet të jetë në atë pozicion deri në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në këtë shtet në Evropës Qendrore në prill të vitit 2026.

Moldavia shpreson se mund të anëtarësohet në BE më 2028, ndërsa Ukraina beson se mund të jetë anëtare në këtë dekadë, pavarësisht luftës në territorin e vet.

Të dyja shtetet kanë marrë vlerësime shumë të mira nga Komisioni, ndonëse Kievit i është tërhequr vërejtje për tentimet për të ndikuar në agjencitë kundër korrupsionit NABU dhe SAP.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular