Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla gjatë prezantimit të projektbuxhetit të bujqësisë në Komisionin Parlamentar për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural tha se për vitin 2026 fondet për sektorin janë 16.3 mld lekë, një rritje prej 11.3% ose 11 mln euro më shumë për fermerët, përpunuesit dhe peshkatarët.
Ministri Salla tha se me projektbuxhetin 2026 parashikohet që fermerëve t’u shpërndahen 5.2 mld lekë në formën e subvencioneve dhe granteve. Teksa nga kompensimi 10% i TVSh për inputet bujqësore mbështetja për fermerët llogaritet çdo vit në vlerën e 1.5 mld lekëve.
“Programi i Zhvillimit Rural është boshti i kësaj pakete me 7.7 miliard lekë në 2026 ose 47,5% të buxhetit total të MBZHR. Me këtë program zbatojmë prioritetet 2025–2029 dhe e afrojmë sektorin me KAP deri në 2030. Kjo do të thotë më shumë prodhim, më shumë cilësi, më shumë treg.
Në qendër, qëndron Skema Kombëtare e cila ndërtohet mbi rritjen e prodhimit dhe potencialeve të tregjeve. 5.2 miliardë lekë shkojnë për pagesa direkte dhe grante investimi për ferma, për forcimin e zinxhirit të vlerës dhe agroturizmin. Kjo vlerë është 16% më shumë se buxheti fillestar i vitit 2025.
Thirrja e fundit për investime në ferma, linja përpunimi dhe agroturizëm pati më shumë se 800 aplikime të cilat do të vazhdojnë të zbatohen edhe në vitin 2026. Kështu, kjo skemë do të injektojë në modernizimin e sektorit gjatë vitit në vijim së paku 2 miliardë lekë, dhe investimet janë rritur me 27%.
Objektivi ynë është i qartë dhe i bërë publik në planin e qeverisë 2030: Skemë me buxhet deri 100 milion euro në vit, 150,000 përfitues dhe kushtëzime për praktika mjedisore, siguri ushqimore, gjurmueshmëri dhe mirëqenie kafshësh.
Këtë vit skema shoqërohet nga instrumenti fiskal që e çon rritjen e të ardhurave në çdo fermë, serë, pemëtore, apo stallë blegtorale.
Kompensim 10% i TVSH-së së inputeve , i lidhur me shitjet me faturë për çdo fermer me NIPT fermeri. Në praktikë 10% e vlerës së faturës së shitjes i kthehet fermerit si kompensim mbi vlerën e produktit të shitur. Kjo ul kostot e prodhimit, forcon lidhjen prodhim–grumbullim–përpunim, rrit gjurmueshmërinë dhe sigurinë ushqimore për konsumatorin vendas dhe të huaj. Vetëm kjo masë sipas të dhënave paraprake mbështet fermerët dhe bujqësinë me rreth 1.5 miliard lekë çdo vit. Pra ndërtojmë një qasje të re për të gjithë fermerët nëpërmjet parimit: faturo dhe përfito”, u shpreh ai.
Ministri Salla u ndal edhe te Garancia Sovrane që mundëson aktorëve të sektori kredi me normë interesi 2% si pjesë e fondit të vënë në dispozicion prej 250 milion Euro nga Banka e Shqipërisë.
Kjo mbështetje me vlerë 3 miliardë lekë do të rinovohet edhe për vitin 2026 sipas tij.
Programi i dytë buxhetor sipas minsitrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është ai i sigurisë ushqimore i cili ka një vlerë prej 2,9 miliard lekë për vitin 2026 ose një rritje prej 12,1%.
“Prioritetet për vitin 2026 janë:
Forcojmë laboratorin e Referencës Kombëtare (ISUV) dhe 7 laboratorët rajonalë të shëndetit të kafshëve, shëndetit të bimëve dhe sigurisë ushqimore .
Rrisim kapacitetet analitike, zgjerojmë gamën e testeve të akredituara, sigurojmë mirëmbajtjen periodike të tyre.
Kjo e bën sistemin të besueshëm dhe rrit potencialin eksportues të produkteve bimore duke mundësuar edhe hapjen e tregjeve për produktet shtazore.
Rrisim gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore brenda në fermë, që nga fara e fidani, trajtimi, ujitja , karenca e deri tek produkti ushqimor për treg të brendshëm apo eksport.
Rrisim gjurmueshmërinë në të gjithë zinxhirin e tregtimit të produktit sapo del nga ferma deri në tavolinë.
Po kështu rrisim gjurmueshmërinë e ushqimeve shtazore që fillon me ushqimin për kafshë, kafshët, produktet dhe nën produkteve të tyre”.
Ndër të tjera ministri tha se do të investohet më shumë për të përmirësuar dhe modernizuar ujitjen dhe kullimin dhe për t’u mbrojtur më mirë nga faktorët natyrorë siç është përmbytja. Fondi i investimeve për përmirësimin e kanaleve të ujitjes do të rritet 36%.







